Nëse një njeri nuk ka frikë nga Krijuesi, thjesht nga ekzistenca e një qënie të mbinatyrshme dhe të plotfuqishme, atëherë motivimi dhe arsyeja për të kuptuar gjërat shpirtërore është zero.
Prindërit e përdorin shpesh frikën si një mjet për t’u mësuar fëmijëve gjëra të caktuara që ata akoma s’i kuptojnë. Në të njëtën mënyrë Zoti përdor edhe frikën midis gjërave të tjera, për t’i mësuar njerëzve parime ose të vërteta që syri nuk i shikon dot.
Por padyshim për skeptikët ky argument nuk vlen aspak, përkundrazi është sipas tyre një përpjekje e dobët për të mbuluar një temë kaq të gjërë. Megjithatë kini durim, nuk kemi mbaruar akoma. Kur flet me mjaft ateistë (sidomos shqiptarë) për ekzistencën e ferrit, shumë prej tyre thonë: “kush u kthye nga ferri që të na tregojë se paska një ferr?
Në fakt unë njoh plot veta që janë kthyer nga ferri pasi kanë qënë atje, dhe ata thonë që ekziston. Një shoku im në fakt shkoi në ferr dhe kur u kthye na tregoi të gjithëve që ferri ishte i vërtetë. A e besoni ju këtë? Padyshim që jo!
Po pse nuk e besoni? Në qoftë se ju keni të njëjtin qëndrim, që “kush u kthye nga ferri t’na tregojë që paska një ferr”, atëherë mendoni pak, nëse një njeri ju thotë ju që ai ishte në ferr e sapo u kthye që andej, a do t’i besonit ju? Kjo është ajo që kërkuat apo jo? Mos u përgjigjni aq shpejt! Mendohuni pak mirë! Padyshim që nuk do i besonit, qoftë ai njeri edhe një i afërt, i familjes apo fisit.
Fakti është që unë nuk njoh njeri që të jetë kthyer nga ferri, por arsyeja pse thashë që njihja plot veta është sepse megjithëse shume veta e përdorin atë si një justifikim. Kur ti i thua që njeh disa veta që u kthyen ata përsëri nuk besojnë!
Si mund të flas unë me kaq siguri? Ku e di unë se çfarë menduat ju? Për t’u përgjigjur kësaj pyetje, po shkëpus një pasazh nga Bibla, një histori të vërtetë (jo shëmbëlltyrë), që shpjegon këtë shumë më qartë sesa unë mund ta them.
Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm. Atje ishte edhe një lypës, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij, dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara, dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët. Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën. Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij. Atëherë ai bërtiti dhe tha: “O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të tij në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë”. Por Abrahami thoshte: ”O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan. Dhe, veç të gjithave, mids nesh dhe jush është një humnerë e madhe kështu që ata që do të donin të kalonin që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej te ne”. Por ai i tha: “Atëherë, o atë, të lutem ta dërgosh atë te shtëpia e tim eti, sepse unë kam pesë vëllezër e le t’i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh”. Abrahami u përgjigj: “Kanë Moisiun dhe profetët, le t’i dëgjojnë ata”. Ai tha: “Jo, o atë Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen”. Atëherë ai i tha: “Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe në se dikush ringjallet prej së vdekurish”.Luka 16:19-31
Disa gjëra vihen re nga kjo histori. E para që ferri është një vend real, me flakë të vërteta dhe jo imagjinare apo simbolike.
Së dyti, vuajtjet janë të padurueshme dhe të përjetshme, së treti askush nuk mund të kthehet apo të dalë nga ferri, së katërti askush nuk dëshiron të jetë atje, dhe së fundi askush nuk dëshiron që të tjerët të shkojnë atje. Ky pasazh shpjegon qartë megjithëse pasaniku donte të kthehej t’u thoshte vëllezërve që të mos shkonin atje, ata përsëri nuk do ta kishin besuar!
Përpara se të arrini në një konkluzion të shpejtë, mendoni pak se është vetë Zoti Jezus Krisht që po e tregon këtë histori. Arsyeja që pse ata nuk do ta besonin jepet në vargun ku thotë: “kanë Moisiun dhe profetët, le t’i dëgjojnë ata”. Shprehja Moisiun dhe profetët i referohet Fjalës së Perëndisë (Moisiu shkroi 5 librat e parë të Biblës dhe profetët shkruan të tjerët). Me fjalë të tjera Zoti po thotë, ata kanë fjalën e Perëndisë, nëse nuk i besojnë asaj nuk do të besojnë edhe nëse dikush nga të vdekurit kthehet dhe u tregon atyre për ferrin.
Fjala e Perëndisë, Bibla, është më autoritare se çdo gjë tjetër. Apostulli Gjon thotë tek Gjoni 20:31 se:
këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.Gjoni 20:31
Prandaj i dashur lexues ju sot keni në dorë të zgjidhni nëse do të besoni dëshminë që jep Zoti nëpërmjet Fjalës së Tij, ose do ta refuzoni atë dhe do të besoni ç’të dëshironi ju.
Tani kalojmë në pikën tjetër, që jam i sigurt do t’ju interesojë të gjithëve ju; ku ndodhen ferri dhe parajsa?
Bibla ka shumë për të thënë për të dyja. Përsa i përket ferrit, Bibla thotë që ferri ndodhet në qendër të Tokës (Jobi 28:5, Mateu 12:40, Efesianëve 4:8-10; Veprat 2:24-27, etj). A e dini ju se çfarë ka në qendër të Tokës? Rrezja e Tokës është 6341 km dhe padyshim që asnjënjeri nuk ka gërmuar apo shpuar aq thellë, megjithatë, të gjithë e dimë se çfarë ka në qendër të Tokës.
Ne dimë se llava që del nga shpërthimi i vullkanëve e ka origjinën në qendër të Tokës. Aty ndodhet ferri! E dini që kur trupi i një njeriu vdes, shpirti i një njeriu të pashpëtuar, që nuk ka pranuar Jezus Krishtin në jetën e tij/saj shkon drejt e në ferr. Forca e rëndesës të tërheq direkt në qendër të Tokës, dhe nuk ka asgjë që t’ju pengojë, sepse nuk keni më një trup fizik. Kjo është serioze! Për çfarë do të debatoni tani? Për ekzistencën e ferrit? Apo të forcës së rëndesës?
Arsyeja që një njeri shkon në ferr, nuk është për gjërat që ka bërë apo nuk ka bërë, arsyeja është sepse ka mëkatuar kundër një Zoti të përjetshëm, që kërkon një pagesë të përjetshme për mëkatet. Në qoftë se ju vendosni që ta refuzoni Biblën, Fjalën e Perëndisë si të vërtetë, dhe refuzoni të besoni se Jezus Krishti vdiq në kryq për mëkatet e të gjithë njerëzve, duke përfshirë dhe tuajat, atëherë nuk ju pret gjë tjetër përveç përjetësisë në ferr! Ky nuk është kërcënim, por është e vërteta që Zoti thotë në Fjalën e Tij.
Ai thotë gjithashtu se Zoti nuk dëshiron që ndonjë të shkojë në ferr, por nëse dikush vendos të refuzojë atë, ata po zgjedhin vetë për të paguar për mëkatet e tyre, dhe sipas Biblës, paga e mëkatit është përjetësia në ferr (Romakët 3:23, Zbulesa 21:8).
është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi.Hebrenjve 9:27
Në qoftë se ti e jeton jetën tënde si dëshiron vetë, pa pyetur se ç’ka thotë Zoti për ty në Fjalën e Tij, dhe pa pranuar pagesën që Jezusi bëri për mëkatet e tua, kur trupi ty të mbetet i pajetë, dhe shpirti të lërë trupin tënd, nuk do të kesh më ku të mbahesh, pas kujt të fshihesh, shokët e tu nuk do të jetë aty që të tallen me Zotin apo ata që besojnë në Zot, e tërë jeta jote mbi Tokë shfaqet me të shpejtë përpara syve të tu ndërsa forca e rëndesës të tërheq drejt qëndrës së Tokës (ferrit) me një shpejtësi marramendëse, ashtu siç tërheq një njeri që hidhet nga një avion, dhe ti i tmerruar e kupton se çfarë po ndodh dhe është thjesht çështje minutash para se të përfundosh përjetësisht në ferr, atëherë thërret me tërë forcën e qënies tënde, “O, ZOT”, por çfarë pret prej Zotit tani? Të të shpëtojë? Zoti nuk gënjen dot dhe nuk do të veprojë kundër gjërave që ka thënë në Fjalën e Tij.
E vetmja rrugë që Ai ka bërë për shpëtim është nëse ti personalisht të kuptosh që je një mëkatar, dhe që mëkatet të ndajnë prej Zotit dhe meritojnë dënimin, dhe beson që Jezus Krishti vdiq në kryq për mëkatet e tua, kur ti beson dhe e pranon Atë në zemrën tënde dhe i lutesh që të të falë të tëra mëkatet, atëherë Zoti e mban Fjalën e Tij dhe të shpëton nga ferri përgjithmonë.
Por në qoftë se, i dashur lexues, ti e refuzon Atë, Bibla thotë tek Hebrenjve 10:29:
ç’dënim më të keq meriton ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes. gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë.Hebrenjve 10:29,31
Në qoftë se Zoti po të flet në zemrën tënde tani për të pranuar Jezus Krishtin, atëherë duke besuar me gjithë zemër tek Jezus Krishti, drejtoi Perëndisë këtë lutje:
Zot i dashur, unë e di që jam një mëkatar, dhe që mëkatet më ndajnë prej teje. Por unë nuk dua të shkoj në ferr kur të vdes. Zot unë besoj se Jezus Krishti vdiq në kryq për mëkatet e mia dhe se Ai më do, prandaj tani pendohem për çdo mëkat që kam bërë, dhe te ftoj ty Zoti Jezus që të vish në zemrën time, të më falësh çdo mëkat dhe të më japësh jetën e përjetshmë. Unë e di që nuk e meritoj atë, por faleminderit që Ti ma jep atë si dhuratë. Në emrin e çmuar të Krishtit lutem, Amen!
Në qoftë se ju e bëtë këtë lutje sot, me gjithë zemër përpara Perëndisë, ne duam që të gëzohemi me ju për vendimin më të rëndësishëm të jetës suaj. Atëherë ju inkurajojmë që të na dërgoni një email dhe me pak fjalë na thoni për vendimin tuaj. Zoti ju bekoftë.
Shto Komentin
Kjo është një temë shumë e vlefshme për jobesimtarët që nuk besojnë në Jezus Krishtin. Unë për vete time, kur kam dëgjuar për herë të parë fjalën ferr, më është drithëruar mishi, dhe kam menduar shumë seriozisht për të ardhmen e shpirtit tim duke ditur gjithmonë akoma më shumë, që unë jam një vizitor dhe mendoja se a do ta arrij unë moshën 70 apo 80 vjeç në këto kohëra që po jetojmë?
Ç’farë më pret më mbrapa mua pas ndarjes nga kjo jetë, e kam fjalën për vdekjen e trupit! Mos harroni edhe atë të rrugëtimit të shpirtit tim e tuajin bashkë? Vdekja nuk është asgjësim, por me atë fillon përjetësia, për në ferr ose në parajsë!
Tani, deri sa Fjala e Perëndisë e shpreh shumë qartë që ekziston dhe që atje shkon me vullnet të lirë për shkak të mosbesimit dhe të refuzimit të Birit, vetëm në qofsha unë i verbër frymërisht për shumë arsye dhe në qofsha “budalla” në këtë drejtim, që të humbas për shkak të mos pranimit të Jezus Krishtit si Zot dhe Shpëtimtar? Ç’më duhet mua emri, pushteti, pasuria, fuqia, lavdia, nëse unë do të shkoja në ferr për shkak të refuzimit të Birit të Perëndisë, plus dhe duke bërë një jetë pa besim, ndaç në të mira e në rrugë të këqija?! Ferri është përshkruar si një humnerë pa fund (Luka 8:31, Zbulesa 9:1) dhe liqen i zjarrit dhe squfurit, në të cilin banorët e tij do të torturohen ditë e natë, në jetë të jetëve (Zbulesa 20:10). Në ferr do të ketë lotë dhe kërcëllim dhëmbësh, që tregojnë pikëllim të thellë dhe inat. (Mateu 13:42). Është një vend ku “krimbi nuk vdes dhe zjarri nuk fiket kurrë” (Marku 9:48). Ferri është një vend ku të padrejtët do të përjetojnë zemërimin e pafund dhe të përjetshëm të Perëndisë. Ata do të durojnë torturat emocionale, mendore dhe fizike duke vuajtur në mënyrë të ndërgjegjshme nga turpi, keqardhja dhe shpërfillja. Zoti Jezus nuk gjen asnjë kënaqësi në vdekjen e të pabesëve, por dëshiron që kushdo, unë, ti, ju dhe të gjithë njerëzit të kthehen nga rrugët e tyre të shumta të besimit verbues, ku ka dhe nga ata që duan të shkojnë në parajsë me vepra të mira dhe me besime të rreme, që nuk të japin asnjë lloj garancie për jetën e përjetshme? Për mua garancia është evidente, sepse JEZUSI është i ringjallur. AMIN
Njerëzit duhet të kuptojnë që ky ferr është real dhe nuk i shpëtojnë dot as edhe një shpirt që ndahet nga një trup i vdekur, pa besim në Jezus Krishtin, sikurse parajsa për ata që kanë besuar dhe që pranojnë veprën shpëtuese të Jezus Krishtit, sepse në parajsë shkohet vetëm nëpërmjet një ndërmjetësi dhe ky është Jezusi i kryqëzuar dhe tashmë i ringjallur. “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë'' (1Korintasve 2:9).
Zoti ju bekoftë, paqe dhe hir për shpirtrat e trazuar dhe për të pavendosurit në këtë drejtim. Në fakt duhet të zgjidhni sa më shpejto që të jetë e mundur për ju, sepse sot është DITA E SHPËTIMIT tënd nga ferri, nesër mund të jetë shumë vonë!!!