Në fakt ju nuk jeni i vetmi që keni këtë pyetje. Edhe unë kisha të njëtjën pyetje kur besoja në evolucionin. Kjo pyetje mund të ndahet në dy pjesë.
Pjesa e parë ka të bëjë me pyetjen që nëse nuk e shohim Zotin, atëherë a ekziston Ai në të vërtetë, ose pse nuk e shohim dot Zotin, dhe pyetja e dytë mund të shkruhet: ku është Zoti?
Fakti që nuk e shohim dot Zotin nuk do të thotë që ai nuk ekziston. Ka mjaft gjëra që ne nuk i kemi parë ndonjëherë dhe përsëri besojmë në to. P.Sh. sa prej jush keni parë ndonjëherë trutë apo mushkëritë tuaja? Sa prej jush e keni parë ndonjëherë erën? Po forcën e rëndesës? Megjithatë të gjithë ne besojmë në to.
Ka dy arsye kryesore pse nuk e shohim dot Perëndinë. E para ka të bëjë me natyrën e qënies së Perëndisë.
Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.Gjoni 4:24
Syri i njeriut është krijuar për të parë gjëra të caktuara, dhe frymërat nuk janë një prej tyre, por kjo nuk do të thotë që ato nuk ekzistojnë. Veshët e njeriut u krijuan për të dëgjuar tingujt me një frekuencë nga 1 Hz deri 20000 Hz. Çdo tingull tjetër është i pakapshëm nga veshët e njeriut, por kjo nuk do të thotë që nuk ekzistojnë tinguj (valë) të tjera jashtë këtyre frekuencave.
Arsyeja e dytë ka të bëjë me Lavdinë e Perëndisë.
ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm.1 Timoteut 6:16
Provoni njëherë këtë: në një ditë të bukur, pa re, provoni që të shikoni diellin drejtpërdrejt, pa syze apo ndonjë objekt të errët, për rreth dhjetë minuta. A e bëni dot? Nuk besoj që po! Por nëse nuk shikoni dot diellin si mundet të shikoni atë që e bëri diellin? Në fakt dielli nuk është aspak një yll i fortë, e megjithatë nuk mund të shihet drejtpërdrejt. Kur mendon se sa miliarda yje Zoti ka krijuar, kupton që lavdia e Tij është aq e madhe saqe asnjë nuk mund ta shohë e të jetojë.
Bibla jep një histori në lidhje me këtë temë, kur Moisiu i kërkoi Perëndisë që ta shihte tek Eksodi 33.
Atëherë Moisiu tha: “Tregomë lavdinë tënde!” Zoti iu përgjigj: “Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë”.
Përsa i përket pyetjes se ku është Zoti, Bibla tregon se froni i Perëndisë ndodhet përmbi yjet, në drejtim të veriut (interesante që çdo busull tregon veriun). Megjithatë Bibla gjithashtu thotë që Zoti është i kudogjendur. Kjo nuk do të thotë aspak si panteizmi se Zoti është në natyrë, në lulet, pemët, etj, por do të thotë që një nga karakteristikat e Perëndisë është fakti që Ai është i kudogjendur. Një pasazh mjaft i fuqishëm mbi këtë temë është Psalmi 139 (që ne ju inkurajojmë që ta lexoni).
Në përfundim, fakti që nuk e shohim Zotin, nuk do të thotë askak që nuk mund ta njohim atë apo vullnetin e Tij për jetët tona, sepse Zoti na flet dhe na drejton nëpërmjet Fjalës së Tij, Biblës.
Shto Komentin