Në qoftë se përgjigja e kësaj pyetje do të varej nga njerëzit, atëherë do të kishim aq mendime sa numri i njerëzve që do të pyesnim.
Përgjigjet më të shpeshta do të ishin: “Jo”, “Ca fol mor’ ti”, “Asnjë nuk mund ta dijë me siguri”, “ku i dihet o burrë”, “e kush u kthye që t’na thoshte”, “edhe ka, edhe s’ka”, e plot të tjera.
Që t’i përgjigjesh saktë kësaj pyetje, së pari duhet të dish se çfarë është jeta dhe çfarë është vdekja. Padyshim, asnjë ateist nuk mund t’i përgjigjet kësaj pyetje, sepse për ata jeta ështe koinçidenca më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë, dhe njeriu është thjesht pjesë e kësaj rastësie.
Është interesante t’i dëgjosh ateistët që mundohen të japin zgjidhje problemeve njerëzore, pa e ditur se ç’është njeriu! Kur nuk di të shkuarën, apo të ardhmen, si mundet të kuptosh të tashmen? Çfarë është njeriu?
Sipas Biblës njeriu është i përbërë nga tre pjesë, trupi, fryma dhe shpirti. Trupi kuptohet është ana fizike e njeriut, fryma është ajo që e mban gjallë trupin e njeriut ( përveç gjërave të tjera ), dhe shpirti përfshin mendjen, vullnetin, dëshirat, ndjenjat, pasioniet, emocionet, dhe më kryesoren ndërgjegjen. Thelbi i një njeriu nuk është trupi, por shpirti. Shpirti nuk është diçka abstrakte, por konkrete. Shpirti i njeriut ndodhet brenda trupit fizik dhe ka formën dhe trajtën e trupit.
Prandaj kur Bibla flet për pasanikun që shkoi në ferr tek Luka 16, midis të tjerave përmend:
duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë, dhe pa..., atëherë ai bërtiti dhe tha..., dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerësisht në këtë flakë.
Pra shpirti i njeriut ka çdo gjë që ka edhe trupi, vetëm se nuk është fizik apo i vdekshëm. Kur trupi i njeriut pushon së jetuari, shpirti e lë trupin dhe i nënshtrohet ligjeve të krijuesit. Një njeri pas vdekjes së trupit është po aq i ndërgjegjshëm dhe real sa edhe para vdekjes, vetëm se nuk është i rrethuar me nga një trup fizik. Sipas Biblës, Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrë së Tij, prandaj njeriu ka një shpirt që nuk vdes kurrë, sepse Perëndia është i përjetshëm, dhe ky shpirt do ta kalojë përjetësinë ose në ferr ose në parajsë. Vendimi që ne marrim në lidhje me Jezus Krishtin përcakton se ku do ta kalojmë përjetësinë.
Nuk ka asnjë ateist gjallë në botë që mund t’ju mësojë pjesët elementare të jetës dhe të qënies së njeriut, këto gjëra që ju lexuat më sipër.
A ka jetë pas vdekjes? Padyshim që ka, jeta pas vdekjes është po aq reale sa ajo para vdekjes. Krijuesi i jetës shpjegon dhe garanton këtë të vërtetë, vetëm se pas vdekjes njerëzit nuk do të kenë mundësinë të vendosin më për përjetësinë e tyre, dhe së pari do t’i japin llogari Perëndisë për jetën e tyre mbi tokë, dhe nëse nuk keni pranuar Jezus Krishtin që të paguajë për mëkatet tuaja, atëherë do të paguani vetë në ferr përjetësisht.
Mos prisni sa të jetë vonë për t’u përballuar me këtë realitet. Merrni sot vendimin më të rëndësishëm të jetës suaj, ashtu si miliona njerëz në të gjithë botën, duke pranuar Jezus Krishtin në zemrën tuaj.
Shto Komentin