• Kryesore
  • Editoriale
  • Skepticizëm
  • Tematike
  • Diskutime
  • Pyetje
  • IDENTIFIKOHU
Vizioni për Shqipërinë në këndvështrimin Biblik Identifikohu / Regjistrohu
0 komente
0

A nuk është kisha përgjegjëse për inkuizicionin, kryqëzatat, dhe pengimin e përparimit të shkencës?

Kjo pyetje është sa serioze aq edhe e rëndësishme per t'u sqaruar saktë. Është parimi ynë në Albavizion.com që ne do të paraqesim të vërtetën e pastër dhe pa kompromis në të gjithë artikujt e botuar në Albavizion.com.

Ky artikull, veçanërisht, për shkak të pyetjes së paraqitur, dhe premtimit tonë për të thënë të vërtetën, mund të ofendojë disa njerëz për shkak të traditës apo besimit të tyre. Megjithatë, ne do i qëndrojmë premtimit tonë dhe do t’ju japim të vërtetën. Inkurajojmë të gjithë lexuesit që nuk bien dakort me këtë përgjigje që të vërtetojnë faktet e paraqitura këtu me historinë, jo me traditën e tyre fetare, e cila mund të jetë e gabuar.

Atëherë, a është kisha përgjegjëse për të tëra ato gjëra që titulli përshkruan? Kisha Katolike është. Sipas historisë, Kisha Katolike gjatë periudhës së mesjetës dominonte shumë shtete në Europë. Për shkak të besimit të tyre, Kisha Katolike nuk beson në ndarjen e fesë dhe të shtetit, prandaj është përpjekur gjithmonë të vendosë dominimin e saj me anë të analeve politike. Gjatë periudhës së mesjetës Kisha Katolike është përgjegjëse për vrasjen, keqtrajtimin, abuzimin e miliona njerëzve në Europë. Pa u futur në hollësi duke përmendur shumë nga këto barbarizma, është e rëndësishme të kuptojmë PSE ndodhi një gjë e tillë!

Çdo pasojë ka një shkak dhe megjithëse ne shpesh herë jemi më të interesuar për pasojat, shkaku që solli këto pasoja është më i rëndësishëm sesa pasojat vetë. Atëherë, pse ndodhi një gjë e tillë?

Të dashur lexues, le t’ju kujtojmë edhe një herë që ky artikull nuk synon të sulmojë apo diskretitojë askënd, ne thjesht duam të paraqesim analizën e plotë të besimeve që çuan në periudhën më të errët të njerëzimit, atë të mesjetës. Arsyeja kryesore që çoi në periudhën e mesjetës është pikërisht besimi i Kishës Katolike.

Kisha Katolike beson se Jezus Krishti caktoi pozitën e Papes si atë të përfaqësuesit të Perëndisë në Tokë. Ata pretendojnë se Apostulli Pjetër ishte Papa i parë, dhe prej tij vijnë të gjithë ata që kanë mbajtur fronin e Papës. Sipas tyre Papa nuk mëkaton për thëniet që bën “Nga Katedra” dhe ai është njeriu i parë në botë që njerëzit duhet të dëgjojnë në çështjet e besimit dhe të politikës. Kisha Katolike gjithmonë ka dekurajuar njerëzit e thjeshtë që të lexojnë apo mësojnë Biblën. I gjithë interpretimi i Biblës duhet pranuar nëpërmjet thënieve të kishës, dhe njerëzit e zakonshëm nuk janë në gjendje të kuptojë Biblën me anë të leximit.

Gjatë periudhës së mesjetës Bibla ishte një gjë e rrallë në duart e popullit. Vetëm priftërinjtë e Kishës Katolike kishin mundësinë për të lexuar Biblën. Shumë prej tyre pengonin përkthimin e Biblës në gjuhën e njerëzve. Ata dëshironin që Bibla të mbetej në latinisht që njerëzit të mos e kuptonin dhe të vareshin krejtësisht prej tyre në interpretimin e Biblës. Gjatë mesjetës mijëra njerëz u dogjën të gjallë sepse mbanin një Bibël. Kisha Katolike gjithmonë ka pasur një listë librash të ndaluar për t’u lexuar dhe për një kohë të gjatë Bibla ka qënë një prej tyre.

Po si ka mundësi që një sistem i tillë fetar që thotë që beson Biblën si fjalën e Zotit të pengojë njerëzit nga leximi i saj? Shumë njerëz debatojnë që i tërë sistemi i kishës katolike është ndërtuar për të pasur një fasade fetare, kur në të vërtetë Bibla është libri i fundit që ata besojnë.

Le të shpjegojmë më në hollësi. Kisha Katolike beson se tradita e kishës së tyre është përmbi shkrimet. Me fjalë të tjera nëse dikush gjen në Bibël një parim që kundërshton besimet e kishës, tradita e lënë nga etërit e kishës, ose thëniet e Papës janë më të rëndësishme sesa Bibla. Kjo i vështirëson gjërat për një njeri që do të dijë të vërtetën. Sipas Jezus Krishit vetë, fjala e tij (Bibla) është e vërteta.

Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta. Gjoni 17:17

Sipas Jezus Krishtit, Bibla është e vërteta, dhe jo traditat apo besimet e ndonjë kishe. Kisha Katolike e përdor Biblën për qëllimet e saj por nuk e beson atë. P.sh. në librin e parë të Biblës, Zanafilla, në dy kapitujt e parë tregohet si Zoti krijoi gjithësinë, Tokën, njeriun dhe çdo gjallesë në Tokë dhe në ujërat. A e dini ju pozitën e kishës Katolike sot për këto kapituj? Më poshtë është një citim i marrë nga parathënia e Biblës Katolike që thotë:

Për besimtarin Bibla – Shkrimi i shenjt, është libri i frymëzuar prej Hyjit, i cili sjell të vërtetën hyjnore, që nuk mund të jetë e gabuar. Por cili është objekti i vërtetë i Biblës, mbi të cilin ajo ka sigurinë e pagabueshmërisë? Nuk duhet të harrohet se vërtetësia e Biblës qëndron në të vërtetën religjoze: Shkrimi i shenjt është i vërtetë nga fakti se flet për marrëdhëniet e njeriut me Hyjin, me misterin e Jezu Krishtit; kur mëson besnikërinë e njeriut ndaj Hyjit. Me fjalë të tjera, Bibla mëson të vërtetën kur flet për marrëdhëniet e Hyjit me ne dhe kur flet për marrëdhëniet e njeriut me Hyjin dhe me njëri-tjetrin.

Në fushat e tjera të dijes njerëzore, Bibla nuk pretendon të shprehet dhe nuk e shtron mendimin e vet lidhur me çështjet shkencore, të cilat e kanë objektin e vet dhe shkencën e vet…(biologji, astronomi etj) dhe, nëse i përmend, përmend dhe shfrytëzon arritjet e tyre të kohës kur kishte shkruar autori. Për ilustrim: shpeshherë dhe prej shumëkujt i ngarkohet kjo barrë padrejtësisht. Për shembull shpesh shtrohet pyetja: “A është e vërtetë ajo që thuhet në Bibël për prejardhjen e botës?” e citohen kapitujt e parë të Librit të Zanafillës! Harrohet se kapitujt e parë të Zanafillës nuk e kanë planin e kërkimeve shkencore – kjo gjë u përket shkencave të tjera! Në fakt këta kapituj janë kompozime poetike të njerëzve që përsiasin e që duan të pohojnë se njerëzimi e ka zanafillën prej Hyjit, duan të dëftojnë qëllimin e lartë që Hyji ia ka dhënë, vendin e mëkatit në jetën e njeriut dhe shpresën e madhe të shëlbimit. Ajo merr disa tradita të vjetra të njerëzimit dhe u jep drejtimin për të besuar në një Hyj të vetëm. Krejt, pra, këto kompozime poetike të mëdha të krerëve të parë të Biblës, kanë vetëm këtë qëllim dhe jo të hyjnë në çështjet e biologjisë a të shkencave të tjera.

A mund të thuhet më qartë se kaq, se çfarë beson Kisha Katolike? Dmth, e thënë shqip, Zoti ka gënjyer në kapitujt e parë të Biblës, dhe në qindra vargje të tjera gjatë gjithë Biblës, ku Zoti lavdërohet si krijuesi i gjithçkaje. Une dua të di ku thuhet në Bibël se Bibla nuk pretendon të shprehet në lidhje me çështjet shkencore?! Na thoni një varg nga Bibla, citojeni ku thuhet kjo gjë? Ne kemi trajtuar qartë në artikullin "Shkenca dhe Bibla" se si Zoti përdor disa nga ligjet që Ai krijoi në natyrë, për të shfaqur fakte shkencore mijëra vjet para se shkenca të zbulonte egzistencën e tyre. Atëherë si mundet një "besimtar" të thotë se Bibla nuk pretendon të shprehet në fushat e shkencës?

Le të mos harrojmë se është shkenca ajo që ndjek pas faktet shkencore të thëna në Bibël, dhe jo e kundërta. Sipas kësaj parathënie, del se krijimi për të cilin flitet tek Zanafilla, është gënjeshtër. Aty thuhet qartë për çdo njeri që di të lexojë sa një fëmijë i klasës së dytë se Zoti vetë krijoi gjithcka. Kurse parathënia e Biblës Katolike thotë që njerëzit që i referohen këtyre kaptujve për të thënë se Zoti ka krijuar gjithcka e kanë gabim, sepse këto kapituj nuk pretendojnë të thonë që kjo është e vërtetë!!!

Ku thuhet që këto kapituj nuk thonë atë që çdo njeri lexon prej atyre vargjeve? Nuk thuhet asgjëkundi! Bibla Katolike i quan këto kapituj "kompozime poetike të mëdha" që nuk kanë për qëllim të hyjnë në "çështjet e biologjisë a të shkencave të tjera". Dhe kjo nuk qenka hipokrizi? Këta që thonë këto gjëra janë vërtetë besimtarë të Biblës? Bibla nuk flet vetëm tek Zanafilla për krijimin, ka qindra vargje pothuajse në çdo libër të Biblës, ku flitet për krijimin.

Nëse Zanafilla s'është e vërtetë, atëherë e gjithë Bibla s'është e vërtetë, dhe nëse Bibla gënjen në këto kapituj, pse duhet të marrim seriozisht pjesën tjeter? Dmth, sipas tyre, nëse "biologjia" thotë se evolucioni është i vërtetë, atëherë ne nuk duhet ta kundërshtojmë këtë, sepse Bibla nuk pretendon të flasë në fushat shkencore, por vetëm në marrëdhëniet e Zotit (Hyjit) me njeriun. Kjo është blasfemi! Ky është një sistem hipokrit dhe blasfemues ndaj Zotit. Ky është një sistem fetar prostitutë që shet çdo gjë tyren për të arritur qëllimet që kanë, politike dhe fetare.

Ata përdorin Biblën pa e besuar atë, e shtrembërojnë kur të duan dhe si të duan dhe nëse njeri thotë që Bibla thotë ndryshe, përgjigja e tyre është e thjeshtë, tradita e kishës qëndron mbi Biblën! Dhe kjo qënka fe e "Krishterë"? Si mund të jetë e Krishterë, kur vetë Krishti krijoi gjithçka (Kolosianet 2, Gjoni 1) dhe ata e quajnë këtë një gënjeshtër?

Që të jesh i Krishterë, duhet të besosh ato që Krishti tha dhe bëri. Shikoni çfarë tha Krishti:

por në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër. Marku 10:6

Sepse në atë ditë do të jetë një mundim i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot, dhe të tillë nuk do të ketë më kurrë. Marku 13:19

Tani kë do besojmë ne, Kishën Katolike apo Krishtin? Dhe si mundet Kisha Katolike të thotë është e Krishterë kur nuk besojnë fjalët e Krishtit? Nqs Zanafilla nuk eshte e vertete, atehere as ajo qe Krishti tha nuk eshte e vertete, sepse Ai iu referua Zanafilles dhe krijimit si te vertete! Apo mos valle jemi ne ata qe vendosim se cilat pjese te Bibles jane te verteta dhe cilat nuk jane? Kush na e dha nje liri te tille? Bibla, apo Kisha Katolike?

Mos vallë jemi ne armiqtë tuaj sepse ju themi të vërtetën? Këto që po themi janë fakte, jo thjesht mendimet tona, nëse këto fakte kundërshtojnë traditën tuaj fetare, atëherë ju duhet të zgjidhni kë do besoni, por mos thoni se feja Katolike është një fe e Krishterë.

Shikoni vetë se çfarë tha Papa Gjon Pali II në vitin 1996 në takimin vjetor të Akademisë së Shkencave:

"Sot, më tepër se një gjysëm shekulli pas këtij diskutimi ["Humani Generis"], njohuritë e reja na drejtojnë që ta njohim teorinë e evolucionit si më tepër se një hipotezë... Rezultatet e studimeve të kryera pa lidhje me njëra tjetrën, përbën në vetvete një provë të rëndësishme në favor të kësaj teorie [të evolucionit]..."

Na vjen keq në qoftë se kjo ju ka ofenduar, por siç thamë më lart, këto janë fakte. Lërini ndjenjat mënjanë dhe analizoni faktet. Në qoftë se juve ju ofendon kjo, le t'ju themi se edhe ne na ofendojnë akuzat që njerëzit bëjnë që të krishterët janë përgjegjës për inkuizicionin, kryqëzatat, etj, etj.

Nuk janë të krishterët përgjegjës për ato gjëra, janë pasojat e nje sistemi të korruptuar, humanist, që përdor Biblën për t'i nënshtruar njerëzit, por që as nuk e beson as i nënshtrohet autoritetit të Biblës. Sistemi i Kishës Katolike nuk ka të bëjë asgjë me Krishtërimin.

Kisha Katolike lartëson Papën në figuren e “Atit të Shenjtë”. Sipas Biblës, ka vetëm një që është i shenjtë dhe ai është Perëndia vetë. Madje në Bibël në mënyrë specifike ndalohet përdorimi i shprehjes “At i shenjtë” në referim ndaj ndonjë njeriu.

Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej. Mateu 23:9

Gjatë gjithë ekzistencës së Kishës Katolike në veçanti gjatë mesjetës, Papët kanë bërë mëkate nga më të ndryshmet. Në një kohë kishte dy papë që e quanin njeri-tjetrin antikrishti. Shumë prej tyre u përfshinë në akte imorale, duke patur shumë fëmijë të paligjshëm. Nuk ka mundësi që një njeri të studioje historinë dhe të quajë Papën “At i shenjtë”, vetëm nëse dëshiron t’i injorojë faktet.

sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë Romaket 3:23

A ka vend për interpretim një varg i tillë? Çfarë do të thotë "të gjithë mëkatuan"? Ku thuhet aty që përveç Papës, të gjithë të tjerët kanë mëkatuar? Papa lartëson veten në barazim me Perëndinë, refuzon atë që Bibla thotë qartë, por qënka përfaqësues i Zotit në Tokë?

Të dashur lexues, mos u nxehni me ne për këto që po lexoni, mos harroni qe ne po citojmë Biblën, nëse ju refuzoni këto, atëherë po refuzoni Fjalën e Zotit, dhe për ne ajo është më e rëndësishme sesa doktrinat e çdo kishe.

Kisha Katolike shtrembëron doktrinën e shpëtimit të njerëzve nga mëkatet e tyre. Sipas Biblës shpëtimi është një dhuratë nga Perëndia, jo një meritë e jona.

Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush. Efesianët 2:8,9

Kisha Katolike i ka shtuar dokrinës së besimit mjaft mësime të shpikura nga ata duke e bërë të pavlefshme veprën e Krishtit në kryq. Kjo vihet re qartë edhe në doktrina si purgatori. Kjo fjalë as që përmendet ndonjëherë në Bibël, e jo më të mësojë egzistencën e një vendi të tillë. Purgatori egziston në imagjinatën e kishes katolike, dhe është një mjet për t'i zhvatur njerëzit nga paratë, sepse kjo doktrinë mëson se nëse dikush nga familja jep para kishës, atëherë mundet që shpirti i një personi të familjes mund të shkojë nga purgatori në parajsë.

Megjithëse ka shume doktrina të tjera që Kisha Katolike beson dhe mëson që nuk janë sipas Biblës, ne nuk do të humbasim kohë duke i renditur të gjitha. Mjafton që të themi se Kisha Katolike është përgjegjëse për emrin e keq që njerëzit i japin krishtërimit, në bazë të gjitha gjërave që Katolikët kanë bërë. Kjo nuk do te thotë që të gjithë besimtarët katolikë janë të tillë, ne po flasim për strukturën e kishës. Ka mjaft besimtarë katolike që janë njerëz të mirë dhe nuk i dinë këto gjëra. Kjo ndodh sepse shumë prej tyre nuk e njohin Biblën, pasi kisha e tyre nuk i inkurajon besimtaret të lexojnë Biblën, dhe nëse e lexojnë, ata besojnë se traditat e kishës qëndrojnë mbi Biblën.

Kisha katolike është nje fe e rreme që përdor Biblën për të arritur qëllimet e saj fetare dhe politike. Ajo nuk ka asgjë të përbashkët me krishtërimin e vërtetë. Fakti që citon Biblën shpesh herë nuk do të thotë që ajo e beson atë. Edhe djalli e citon Biblën, por nuk i nënshtrohet asaj. Arsyeja pse shumë veta nuk e kuptojnë këto që po themi, është për shkak të ngjashmërisë së madhe që Kisha Katolike ka më krishtërimin e vërtetë.

Le të mos harrojmë se gënjeshtra më e madhe është ajo që është më pranë të vërtetës. Nëse dikush ju thotë që një djalë 20 vjeçar është 87 vjeç, padyshim që nuk do e besoni, sepse duket qartë që kjo nuk është e vërtetë, por nëse ju thotë se është 21 vjeç, atëherë shumë njerëz mund ta besojnë. Djalli ka imituar të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, Biblës, dhe Krishtërimit, dhe ka krijuar mjaft fe (midis tyre Kishën Katolike) që janë aq të ngjashme me të vërtetën saqë vetëm ata që studiojnë të vërtetën në hollësi mund ta kuptojnë ndryshimin, të tjerët e kapërdijnë gënjeshtrën sepse është shumë afër së vërtetës.

Kjo është si puna e parave të falsifikuara. Paraja e falsifikuar duket njësoj si e vërteta, por nuk ka asnjë vlerë. Arsyeja pse njerëzit falsifikojnë paratë, është sepse ajo e vërteta ka vlerë, po të mos kishte vlerë askush nuk do falsifikonte para. Arsyeja pse djalli ka falsifikuar fe të ngjashme me krishtërimin, është sepse krishtërimi ka vlerë dhe është i vërtetë. Jo vetëm kaq, por njerëzit kanë një farë sigurie nëse janë fetarë dhe mendojnë që janë në rregull me Zotin, në qoftë se i përkasin një feje të caktuar. Kjo është gënjeshtra më e madhe e djallit.

Bibla mëson qartë se shpëtimi i shpirtit tonë nuk qëndron në asnjë fe apo sistem fetar, por vetëm në Jezus Krishtin. Çdo gjë që nuk përputhet me këtë të vërtetë që Bibla mëson është e rreme dhe e rrezikshme. Kisha Katolike gjatë viteve të mesjetës është përgjegjëse për vrasjen e miliona besimtarëve nëpërmjet inkuizicionit. A e dini cili ishte kriteri kryesor i vendimit për keqtrajtimin e viktimave? Shumicën e herëve kishte të bënte me njerëz që besonin Biblën, apo mbanin një Bibël! Atëherë ju mendoni që ne jemi të ashpër në këtë artikull sepse ju kemi prezantuar faktet?

Çdo sistem, politik, shoqëror, apo fetar, që ndalon mendimin e lirë dhe leximin e cdo lloj literature që bie në kundërshtim ne besimet e tyre, është një sistem i korruptuar. Ne nuk ndihemi aspak të cënuar nga njerëzit që mendojnë ndryshe. Ne lutemi që njerëzit të shikojnë Biblën si të vetmin burim të vërtetë shpritëror, por nëse ata nuk bien dakord me atë, kjo është zgjedhja e tyre.

Si përfundim, le të sqarojmë edhe një herë, që ky artikull nuk u shkrua si një sulm ndaj katolikëve, siç e përmendëm më lart, ka mjaft besimtare katolikë që janë njerëz të mirë dhe me sinqeritet ndjekin mësimet e kishës, ky artikull i drejtohet sistemit të kishës, një sistem i korruptuar, jo biblik, i ngjashëm me të vërtetën, por që mohon mësimet e Biblës. Ky është ai sistem që Zoti vetë thotë tek Zbulesa 2:6 që Ai e urren, dhe është përgjegjës për të tëra barbarizmat e kryera gjatë kohës së mesjetës. Ky është ai sistem që Zoti vetë i thotë të gjithë atyre që janë pjesë e tij që të largohen prej tyre:

Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli, duke thënë: ``Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjestarë të mëkateve të saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj, sepse mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell, dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj. Zbulesa 18:4,5

Lutja jonë është, që në rradhë të parë të moskeqkuptoni këtë artikull, dhe së dyti ta shikoni këtë nën këndvështrimin e Biblës, duke kuptuar që djalli do të mashtrojë të gjithë njerëzit, në rradhë të parë duke përdorur fenë. Lutemi që të kuptoni nga ky artikull sa e rëndësishme është të marrësh fjalët e Zotit seriozisht dhe te jesh i hapur ndaj Biblës.

0 komente për: A nuk është kisha përgjegjëse për inkuizicionin, kryqëzatat, dhe pengimin e përparimit të shkencës?

Shto Komentin

  • Përfshihu
  • Regjistrohu në faqe
  • Komento artikujt
  • Voto artikujt dhe komentet
  • Na kontakto me pyetje
  • Bëj sugjerime për përmirësime
  • Dhuro
  • Dhuratë për ty
  • Në dallim nga cdo besim tjetër, jeta e përjetshme sipas Biblës është një dhuratë që ofrohet falas dhe vetëm duke besuar tek Jezus Krishti... më tepër
  • Rreth albavizion.com
  • është një faqe e përkushtuar mësimit dhe shpjegimit të Biblës për të gjithë ata që kanë interes për të mësuar rreth krishtërimit sipas interpretimit biblik në dallim nga traditat fetare ose sociale.
Copyright 2014, albavizion.com - të gjitha të drejtat e rezervuara Kontaktoni me ne