• Kryesore
  • Editoriale
  • Skepticizëm
  • Tematike
  • Diskutime
  • Pyetje
  • IDENTIFIKOHU
Vizioni për Shqipërinë në këndvështrimin Biblik Identifikohu / Regjistrohu
0 komente
0

A mund të shpjegosh legalizmin në kishë?

Legalizmi është një term që i referohet urdhërimeve ose ligjeve që kisha vë mbi besimtarët në lidhje me çështje ose fusha të cilat Bibla nuk i thotë konkretisht.

Këto ligje kanë zakonisht të bëjnë me të ashtëquajturat “fusha gri”, që domethënë, nuk janë as mëkat, por as nuk thuhet qartë në Bibël që mund ta bësh një gjë të tillë, pra janë fusha që çdo individ duhet të vendosë vetë përpara Zotit se çfarë do të bëjë.

Le ta ilustrojmë këtë me një shembull meqënëse mund t'ju duket shumë abstrakte deri tani. Le të marrim si shembull fushën e veshjes. Bibla thjesht na thotë që veshja jonë të jetë modeste, por nuk përcakton se çfarë mund apo nuk mund të veshim. Problemi qëndron në faktin se fjala modeste mund të interpretohet në shumë mënyra, dhe ajo që mund të më duket mua modeste, mund të mos i duket dikujt tjetër si e tillë. Atëherë, nga dëshira për të njehsuar modestinë, mjaft kisha, vendosin si ligj për anëtarët se çfarë mundet të veshin dhe çfarë quhet “mëkat” që të veshësh.

Megjithëse dëshira e tyre mund të jetë e mirë pse e nxjerrin një ligj të tillë, ky është një gabim i rëndë, dhe pasojat janë jo të vogla. Kisha të tilla, vazhdojnë të nxjerrin ligje të këtij karakteri, duke vënë barra mbi besimtarët në fusha të tjera të ngjashme.

Tani le të shpjegojmë si duhet të funksionojë ky parim sipas Biblës.

Romakët 14 është ndoshta kapitulli më i rëndësishëm në Bibël në lidhje me këtë çështje. Në këtë kapitull Perëndia shpjegon ekuilibrin që ne duhet të kemi për “fushat gri”. Le ta sqarojmë këtë në hollësi. Kapitulli 14 sjell disa shembuj konkretë me të cilët besimtarët e asaj kohe kishin probleme.

Disa nga këto shembuj përfshijnë çështjen e ushqimit, ditëve të caktuar të javës për adhurim. Nëse nuk e keni lexuar Dhjatën e Vjetër në Bibël, këto shembuj mund të mos kenë kuptim për ju, prandaj po e shpjegojmë shkurtimisht. Në Dhjatën e vjetër, Zoti i dha kombit të Izraelit një grup urdhërimesh të quajtura ndryshe “Ligji”. Qëndra e këtyre urdhërimeve janë padyshim dhjetë urdhërimet e gjetura tek Eksodi 20, por padyshim që kishte plot ligje të tjera për përcaktonin mjaft hollësi të jetës. Një nga këto ligje kishte të bënte me ushqimin. Sipas ligjit Zoti i ndaloi çifutët të hanin disa lloje kafshësh të papastra.

Kur Jezusi erdhi, ai e përmbushi ligjin, dhe pas vdekjes së Tij në kryq njerëzit nuk kanë më nevojë të mbajnë ligjin e Dhjatës së Vjetër. Në fund të fundit edhe vetë emri të tregon një gjë të tillë. Dhjata e vjetër do të thotë “Beselidhja e vjetër”, dhe Dhjata e re do të thotë Beslidhja e re, të cilën Perëndia e lidhi me njerëzit me anë të gjakut të Birit të Tij, Jezus Krishtit.

Por, në kishën e hershme, shumë besimtarë ishin shumë të ngatërruar në lidhje me çështjen e ligjit, dhe shumë prej tyre mendonin se akoma nuk mund të hanin disa lloje ushqimesh. Atëherë, apostulli Pal, adreson këtë problem në kapitullin 14 të librit të Romakëve. Parimi në këtë kapitull ka të bëjë me lirinë e ndërgjegjes dhe besimit në lidhje me vendimin e çdo individi nëse duhet të hamë çdo lloj mishi apo jo.

Tani se të shikojmë se çfarë thuhet aty:

Pranojeni atë që është i dobët në besim, pa e qortuar për mendimet. Dikush mendon se mund të hajë nga çdo gjë, ndërsa ai që është i dobët ha vetëm barishte.Romaket 1:1,2

Pra, ai njeri që ka problem të hajë një lloj mishi të caktuar është ai që është i dobët në besim, por Zoti thotë, pranojeni një njeri të tillë.

Ai që ha të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha të mos gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar. Romaket 1:3

Ky varg është mjaft i rëndësishëm dhe shpjegon mjaft gjëra. Qëndrimi i drejtë duhet të jetë ashtu si vargu shpjegon, pra ai që ha mish të mos përbuzë atë që nuk ha mish, por ai që nuk ha nuk duhet të gjykojë atë që ha. Do të kthehemi përsëri tek ky varg pak më vonë, tani le të vazhdojmë të shikojmë se çfarë thuhet tjetër.

Sepse dikush e çmon një ditë më shumë se një tjetër, dhe tjetri i çmon të gjitha ditët njëlloj; gjithsecili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij. Ai që e çmon ditën, për Zotin e çmon; ai që nuk e çmon ditën, për Zotin nuk e ruan; kush ha, për Zotin ha dhe i falet nderit Perëndisë; dhe kush nuk ha, për Zotin nuk ha dhe i falet nderit Perëndisë.Romakët 14:5,6

Në të njëjtin kontekst flitet për çështjen e ditëve. Mund të keni dëgjuar psh për Kishën Adventiste të Ditës së Shtatë. Ata adhurojnë çdo të Shtunë, dhe thonë që të gjithë ne sot duhet të mbajmë ditën e Shtunë, sipas ligjit që jepet tek Eksodi 20. Këtu thuhet qartë që ditët janë njëlloj, në fund të fundit Zoti i krijoi të gjitha, prandaj adhuroni kur të doni, qoftë të Shtunën apo të Dielën, apo ndonjë ditë tjetër.

Unë e di dhe jam plotësisht i bindur në Zotin Jezus, se asnjë gjë nuk është e ndyrë në vetvete, por për atë që çmon se diçka është e ndyrë, për atë është e ndyrë. A ke besim ti? Mbaje besimin për veten tënde përpara Perëndisë; lum ai që nuk dënon veten e tij në atë që miraton. Por ai që është me dy mendje, edhe sikur të hajë, është dënuar, sepse nuk ha me besim; dhe çdo gjë që nuk bëhet me besim, është mëkat.Romaket 14:14,22,23

A nuk është e qartë kjo? Pra, Zoti do që ne të jemi të bindur për vendimin që marrim. Në këto vargje duhet qartë se asnjë ushqim nuk është i ndryrë, nëse do ta hash, mund ta hash atë, dhe nuk bën mëkat. Por, nëse ti vendos që kjo gjë është mëkat për ty, dhe pastaj e bën këtë gjë, atëherë ke mëkatuar, prandaj thuhet se çdo gjë që nuk bëhet me besim është mëkat.

Tani që kemi parë vargjet le ta zgjerojmë pak temën për të shpjeguar më tepër çfarë është legalizmi në kishë. Kisha të ndryshme nxjerrin ligje të ndryshme që nuk janë në Bibël dhe nuk rrespektojnë këtë kapitull. Një shembull i përmendur më parë ishte fusha e veshjes. Mjaft kisha abuzojnë anëtarët e tyre në këtë pikë, duke u thënë se çfarë mund të veshin. P.sh, ka disa kisha ku quhet mëkat për femrat të veshin pantallona! Kjo është çmenduri dhe prish veprën e Perëndisë në kishë. Unë nuk kam parë asnjë varg ku Apostulli Pal t'i shkruajë kishave që gratë të mos veshin pantallona. Shikoni si qëndron çështja: nëse një grua vendos që është mëkat për atë të veshi pantallona, unë s’kam problem me këtë, ky është vendimi i saj. Por nëse ajo i thotë grave të tjera në kishë që është mëkat për të gjitha gratë të veshin pantallona, atëherë ky është gabim.

Kohë më parë njihja një besimtar që më tha se është mëkat të shikosh televizor! Unë i thashë atij se njoh një njeri i cili pa filmin e Jezusit në televizor dhe pranoi Jezusin si Zotin dhe Shpëtimtarin e tij. Unë e pyeta atë nëse ai kishte mëkatuar duke bërë një gjë të tillë! Ai nuk dinte ç’të thoshte dhe vazhdoi të mbante po të njëjtën pozitë. Të vjen keq vërtet që ka kisha që predikojnë gjëra të tilla! Televizori është një vegël, mund të përdoret për mirë dhe mund të përdoret për keq. Nëse një besimtar shikon pornografi ose gjëra të ngjashme atje, atëherë ai po mëkaton, por të vendosësh një ligj duke thënë prerazi se të shikosh televizor është mëkat, kjo përbën një mëkat.

Le ta shpjegojmë këtë në kontekstin e Romakëve 14. Nëse dikush ka një dobësi, atëherë ai mund të vendosë një ligj për jetën e tij, për ta mbrojtur atë nga mëkati. Nuk ka asnjë problem me këtë gjë. Ky njeri sipas vargut 1, është i dobët në besim dhe vendos një ligj të tillë që ta mbrojë vetveten, por ky njeri nuk duhet të predikojë këtë si një ligj edhe për të tjerët që mund të mos kenë të njëjtën dobësi. Ata duhet të vendosin vetë për këtë. Psh. Një besimtar tjetër që unë njoh, vendosi për disa vite që të mos shkonte në plazh, sepse kjo gjë e tundonte atë, me mendime mëkatare, kur shikonte vajzat në rroba banje. Prandaj, ai vendosi për të mbrojtur veten e tij, që të mos shkonte në plazh, për të shmangur tundimet, sepse njihte dobësinë e tij. Pra sipas Romakëve 14, ky njeri ishte i dobët në atë fushë dhe vendosi një ligj për veten e tij, për ta mbrojtur atë. Urdhëri që i jepet besimtarëve në këtë fushë, sipas vargut 3 është që ai që s’ka një problem të tillë të mos e përbuzë atë besimtar që ka marrë një vendim të tillë dhe ai që nuk shkon në plazh të mos gjykojë ata që shkojnë. Lexoni vargun 3, a nuk është kjo e qartë?

Pse e thotë Zoti këtë gjë? Sepse kjo është tendenca që njerëzit kanë. Deri këtu jemi sipas parimeve të thënë në Bibël. Tani, nëse ai që nuk shkon në plazh del para kishës dhe thotë se është mëkat të shkosh në plazh, ai mëkaton në një gjë të tillë. Lexoni vargun 14. Zoti thotë që për atë që e çmon një gjë të tillë të ndryrë, për ATË NJERI është e ndryrë, jo për të tjerët. Pra nëse ai vendosi që është mëkat për atë të shkojë në plazh sepse përbën tundim për atë, atëherë ky ligj që ai vendosi është mëkat për këtë njeri nëse e shkel, jo për të tjerët. Ne mund të vendosim mjaft ligje të tilla në jetën tonë, që na mbrojnë ne nga mëkati, dhe kjo nuk është një gjë e keqe, por duhet të kemi kujdes të mos gjykojmë të tjerët që nuk kanë vendosur një ligj të tillë në jetën e tyre. P.sh. një njeri mund të mos ketë problem fare me tundimin thjesht sepse shkoi në plazh, prandaj ai njeri që ka vendosur të mos e bëjë një gjë të tillë, nuk duhet t’i thotë të tjerëve që është mëkat për ata të bëjnë një gjë të tillë.

Ky është legalizmi në kishë. Është gjëja më e lehtë që legalizmi të egzistojë në çdo kishë. Kjo ndodh sepse nga dëshira për të ruajtur veten dhe të tjerët nga mëkati, besimtarët nxjerrin rregulla dhe ligje që nuk janë në Bibël.

Ne duhet të kemi shumë kujdes për gjëra të tilla, sepse këto gjëra shkatërrojnë punën e Perëndisë. Në fund të fundit është Fryma e Shenjtë e Perëndisë që bind botën për mëkat, nuk jemi ne, prandaj le ta lëmë Zotin të bëjë punën e vet, dhe ne të bëjmë punën tonë. Prandaj, nëse Bibla nuk thotë konkretisht që një gjë është mëkat, dhe kjo gjë nuk shkel asnjë parim biblik, atëherë duhet të kemi kujdes përpara se ta bëjmë një gjë të tillë ligj për të gjithë sikur është mëkat.

Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria.2 Korintasve 3:17

Pra, kur gjen kisha të tilla legaliste që vendosin ligje për besimtarët që nuk janë në Bibël, kjo tregon se ata nuk po drejtohen nga Fryma e Zotit në ato fusha.

Në të njëjtin kontekst tek Romakët 14, shikoni se ç’thuhet në vargun 18:

Sepse ai që i shërben Krishtit në këto gjëra, është i pëlqyer nga Perëndia dhe i miratuar nga njerëzit.Romaket 14:18

Ai që i shërben Krishtit në këto gjëra... në çfarë gjërash? Në ekuilibrin e duhur në lidhje me fusha që Bibla nuk i quan mëkat, por njerëzit mund t’i quajnë të tilla. Bibla thotë që ky njeri është i pëlqyer nga Perëndia dhe i miratuar nga njerëzit. Edhe jobesimtarët e quajnë të çmendur një njeri që thotë se është mëkat të shikosh televizor. P.sh. në qoftë se keni dëgjuar për “Dëshmitarët e Jehovait”, ky grup, jo vetëm që është një kult dhe fe e rreme, por ata kanë disa urdhërime që futen në këtë kategori që kemi përshkruar. P.sh. ata nuk festojne ditëlindjet, apo Krishtlindjen, apo Pashkët, nuk shërbejnë në ushtri, nuk pranojnë transfuzion gjaku edhe sikur jeta e tyre të varej nga kjo gjë. Unë s’kam asnjë problem nëse ata vendosin që të mos i bejnë këto gjëra për veten e tyre, por që të thonë se këto gjëra janë mëkat është një gjë tjetër. Është e vërtetë që Bibla nuk thotë festoni Krishtlindjen apo Pashkën, por as nuk thotë mos e festoni, pra nëse unë dua ta festoj është puna ime përpara Zotit. Unë po desha e festoj Pashkën çdo ditë, në fakt çdo ditë falenderoj Zotin që Krishti nuk mbeti në varr por u ringjall. Kjo është puna ime përpara Zotit, prandaj Bibla thotë që njerëz të tillë që nxjerrin ligje të tilla, as nuk miratohen nga njerëzit, domethënë edhe bota jobesimtare e kupton se ata janë të çmendur.

Si përfundim, shpresojmë që ky artikull të ketë sqaruar sadopak këtë problem që gjendet në shumë kisha dhe lë pasoja jo të vogla. Lutja jonë është që ju të gjeni këtë ekuilibër në jetën tuaj. E vërteta është që Zoti do të punojë në ne më shumë se ne duam, prandaj le të mos bëhemi pengesë për atë që Zoti do të bëjë, dhe le të themi se Zoti është mjaft në gjendje të bëjë punën e vet, atëherë le ta lëmë atë të bëjë punën e tij, dhe le të përqëndrohemi në gjërat që Ai na ka thënë ne të bëjmë. Zoti ju bekoftë.

0 komente për: A mund të shpjegosh legalizmin në kishë?

Shto Komentin

  • Përfshihu
  • Regjistrohu në faqe
  • Komento artikujt
  • Voto artikujt dhe komentet
  • Na kontakto me pyetje
  • Bëj sugjerime për përmirësime
  • Dhuro
  • Dhuratë për ty
  • Në dallim nga cdo besim tjetër, jeta e përjetshme sipas Biblës është një dhuratë që ofrohet falas dhe vetëm duke besuar tek Jezus Krishti... më tepër
  • Rreth albavizion.com
  • është një faqe e përkushtuar mësimit dhe shpjegimit të Biblës për të gjithë ata që kanë interes për të mësuar rreth krishtërimit sipas interpretimit biblik në dallim nga traditat fetare ose sociale.
Copyright 2014, albavizion.com - të gjitha të drejtat e rezervuara Kontaktoni me ne