• Kryesore
  • Editoriale
  • Skepticizëm
  • Tematike
  • Diskutime
  • Pyetje
  • IDENTIFIKOHU
Vizioni për Shqipërinë në këndvështrimin Biblik Identifikohu / Regjistrohu
0 komente
0

Kishat janë të mbushura me hipokritë dhe ti më thua të shkoj në kishë?

Le të shohim së pari përkufizimin e fjalës "Hipokrit". Hipokrit është një njeri që vepron ndryshe nga fjalët që thotë, ose një njeri që vepron ndryshe nga ato që thotë që beson.

A është e vërtetë që kishat janë të mbushura me hipokritë? Padyshim. Unë nuk njoh asnjë njeri që të jetojë 100% sipas gjërave që beson. Çdo njeri ka diçka që beson që nuk po e jeton në jetë. Kjo nuk ndodh vetëm në kisha, kjo ndodh gjithandej!

Nëse do të pyesnit një nga qeveritarët e korruptuar në Shqipëri nëse ata jetojnë 100% sipas gjërave që besojnë, atëherë ju sapo takuat një hipokrit! Shumë mund të pyesin, si arrin ti në këtë konkluzion pa a ditur se çfarë përgjigje do të japë ai? Nuk ka rëndësi çfarë përgjigje jep, nëse thotë "PO", atëherë sapo ju gënjeu sepse nuk jeton 100% me drejtësi, diku e ka shkelur të drejtën edhe ai, nëse thotë "JO", atëherë po e pranon që është një hipokrit.

Pra, shkoqur fare, nuk ka asnjë njeri në këtë botë që të mos ketë të paktën pak hipokrizi brenda tyre. Çështja është që njerëzit presin më tepër ndaj njerëzve që shkojnë në kishë, sesa nga një që nuk shkon, prandaj kur shohin një të tillë që bën diçka që bie në kundërshtim me gjërat që ka thënë ai, ose kisha, atëherë njerëzit menjëherë thonë unë nuk dua të shkoj në kishë, sepse atje ka hipokritë!!!

Le ta marrim shtruar këtë muhabet! Si pari, është e qartë sipas Biblës që Zoti krijoi kishën si një institucion për grumbullimin e besimtarëve, për adhurimin e Perëndisë, rritjen në besim, inkurajimin ndaj njëri-tjetrit, dëshmisë ndaj botës së pashpëtuar, predikimin e Fjalës së Zotit, etj.

Apostulli Pal i shkruan kishave në të gjitha letrat që mbajnë emrin e tij. Pra është e pakundërshtueshme që Perëndia pret që besimtarët, ata që duan të adhurojnë Zotin, të rriten në besim, të jenë një inkurajim për të tjerët, etj, të shkojnë dhe të përfshihen në një kishë lokale. Kur një besimtar pranon Jezus Krishtin në jetën e tij, sipas Biblës ai bëhet një krijesë e re, tani ka një natyrë të re, që i pëlqen Perëndisë. Kjo natyrë e re duhet ushqyer me Fjalën e Perëndisë për t'u rritur dhe forcuar. Kjo nuk do të thotë që ky besimtar ka humbur natyrën e vjetër, që është natyra mëkatare, por kjo do të thotë që tani ka mundësinë për të kënaqur Perëndinë. Natyra që ai ushqen më tepër është ajo që do ta zotërojë atë më shumë.

Prandaj është e rëndësishme që të kuptojmë që edhe pasi pranojmë Jezusin dhe shpëtohemi nga ferri, ne përsëri mëkatojmë.

Po të themi se s'kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjështar dhe fjala e tij nuk është në ne. 1 Gjonit 1:10

Ku varg nuk u drejtohet jobesimtarëve, por besimtarëve dhe Gjoni e thotë qartë që të gjithë mëkatojmë, edhe pas shpëtimit, e megjithatë besoj se shumica (nqs jo të tërë) pranojnë që nuk është mirë të mëkatosh.

Atëherë si qëndron kjo puna e hipokritëve në kishë? Në qoftë ti je një prej atyre që bie dakort me titullin e këtij artikulli, atëherë unë kam disa pyetje për ty.

  • Për kë shkon ti në kishë, për Zotin apo për të tjerët?
  • A ka thënë Zoti në Bibël që të mos heqim dorë nga të mbledhurit bashkë? (Heb 10:25)
  • Si do të inkurajosh ti të tjerët apo të inkurajohesh prej besimtarëve të tjerë nëse nuk shkon në kishë?
  • Si do të japësh ti kontributin tënd ndaj familjes së Perëndisë?

A nuk shkon ti në asnjë vend tjetër ku ka hipokritë? Në qoftë se ti qenke kaq i shenjtë saqë nuk duron dot hipokritët në kishë, si shpjegohet që ti shkon në shkollë, punë, dyqan, stadium, kafene, etj? Mos vallë nuk ka asnjë hipokrit në ato vende ku shkon ti? Padyshim që ka. Atëherë pse shkon në ato vende? Dhe nëse shkon në ato vende, pse nuk shkon në kishë?

E vërteta është që ai njeri që ka këtë qëndrim (siç thotë titulli i artikullit), ai është vetë hipokriti më i madh! Sepse kisha nuk është për njerëz të përsosur, dhe nëse qënka mbushur me hipokritë dhe ti nuk duron dot praninë e tyre, atëherë shko dhe mësoju ti si të sillen! Bëhu ti i Perëndishëm! Le të shohin ata veprat e tua, dhe të lavdërojnë Perëndinë për shkakun tënd (Mateu 5:16). Në qoftë se ti thua që këta njerëz po shkelin parimet e Biblës dhe janë hipokritë prandaj ti nuk shkon më në kishë, ti po shkel 100 vargje më shumë sesa ata duke mos shkuar dhe ti je hipokriti më i madh!

Tani këtu duhet bërë një ndërhyrje përpara se disa prej jush të keqkuptojnë atë që po them. Nëse ju jeni në një kishë që mëson gjëra të gabuara ose doktrina të rreme, atëherë është përgjegjësia juaj që të largoheni dhe të gjeni një kishë që mëson Fjalën e Zotit. Martin Luteri ishte prift katolik, kur zbuloi që mësimet e kishës katolike nuk përputhen me të vërtetat e Biblës, që nga shpëtimi deri në doktrinat e tjera. Po ai nuk u largua nga Zoti sepse në kishë kishte hipokritë! Ai përkushtoi jetën e tij studimit dhe predikimit të Fjalës së Zotit, dhe Zoti e bekoi për atë. Prandaj le të jemi të qartë për temën e këtij artikulli. Unë po flas për ata njerëz që janë larguar nga kisha dhe nga Zoti me pretekstin se ka hipokritë në kishë. Zoti Jezus na thotë të shikojmë më parë traun në syrin tonë, përpara qimes në syrin e tjetrit.

I dashur lexues. Nëse ju jeni një nga ata jerëz që dikur shkonit në kishë, dhe tani jeni larguar, le t'ju inkurajoj që të ktheheni atje. Në qoftë se kisha mëson doktrina të gabuara dhe jo sipas Biblës atëherë gjeni një kishë tjetër që mëson Biblën, por është përgjegjësia jonë sipas Biblës që të jemi në një kishë lokale. Shkoni në kishë për Perëndinë, jo për njerëzit, adhuroni Zotin, bëhuni një shembull për të tjerët, që edhe nëse ka hipokritë ata ose do të ndryshojnë jetën e tyre, ose do të largohen, sepse do të shikojnë që hipokrizia e tyre nuk do të eci në atë vend. Bëhuni ju pozitiv dhe bëni atë që është e drejtë, pavarësisht se çfarë bëjnë apo thonë të tjerët. Zoti ju bekoftë.

0 komente për: Kishat janë të mbushura me hipokritë dhe ti më thua të shkoj në kishë?

Shto Komentin

  • Përfshihu
  • Regjistrohu në faqe
  • Komento artikujt
  • Voto artikujt dhe komentet
  • Na kontakto me pyetje
  • Bëj sugjerime për përmirësime
  • Dhuro
  • Dhuratë për ty
  • Në dallim nga cdo besim tjetër, jeta e përjetshme sipas Biblës është një dhuratë që ofrohet falas dhe vetëm duke besuar tek Jezus Krishti... më tepër
  • Rreth albavizion.com
  • është një faqe e përkushtuar mësimit dhe shpjegimit të Biblës për të gjithë ata që kanë interes për të mësuar rreth krishtërimit sipas interpretimit biblik në dallim nga traditat fetare ose sociale.
Copyright 2014, albavizion.com - të gjitha të drejtat e rezervuara Kontaktoni me ne