• Kryesore
  • Editoriale
  • Skepticizëm
  • Tematike
  • Diskutime
  • Pyetje
  • IDENTIFIKOHU
Vizioni për Shqipërinë në këndvështrimin Biblik Identifikohu / Regjistrohu
0 komente
0

Sot në botë ka 1000 fe, ku ta di unë se kush thotë të vërtetën?

Kjo është një pyetje e mirë dhe besoj se shumë njerëz e bëjnë këtë pyetje sinqerisht për të ditur si të dallojnë se kush po thotë të vërtetën.

Ka mjaft mënyra në fakt për të mësuar se kush thoë të vërtetën dhe kuptohet që nëse 1000 fe mësojnë rrugë të ndryshme për të shkuar në parajsë, nuk mundet që të kenë të tëra të drejtë. Ose janë të tëra gabim ose vetëm njëra ka të drejtë.

Le ta thjeshtojmë pak problemin. Është e vërtetë që sot ka mbi 1000 fe, por ka vetëm dy rrugë që njerëzit po mundohen për të shkuar në parajsë.

E para, ku futen më shumë se 1000 fe apo filozofi, është se një njeri mund të shkojë në parajsë në bazë të veprave të mira që bën.

Këto vepra ndryshojnë sipas feve dhe besimeve (si p.sh. pagëzimi, vajtja në kishë, të trajtosh mirë njerëzit, të mos vrasësh, të mos vjedhësh, kurbani, bajrami, e të tjera si këto), por të tëra këto kanë një gjë të përbashkët, besimin që nëse ti bën disa gjëra të caktuara (ose nuk bën shumë të këqija), atëherë Zoti mundet që t’i peshojë këto dhe nëse veprat e mira peshojnë më shumë se të këqijat, atëherë do shkosh në parajsë, në të kundërtën në ferr.

Kjo ide mund të tingëllojë si ide e mirë, dhe e pranueshme për njerëzit, por është shumë larg së vërtetës. Bibla nuk e mëson këtë aspak.

Sipas Biblës askush nuk mund të shkojë në parajsë me forcat e veta, sepse standarti që Zoti kërkon për parajsën është 100% shenjtërim. 100%, pa asnjë mëkat!

Askush nuk e arrin dot këtë, prandaj Zoti, nga dashuria e madhe për njerëzimin, gjeti një rrugë, dhe kjo rrugë është nëpërmjet Jezus Krishtit, dhe kjo është e vetmja rrugë.

Këto janë 2 rrugët që njerëzit ndjekin për të shkuar në parajsë. 1000 (e më tepër) fe apo filozofi, thjeshtohen në vetëm 2 rrugë.

Tani, mënyra sesi një njeri mund të dallojë se kush thotë të vërteteën është duke analizuar burimin e besimit ose fjalëve të tyre. Sot ekzistojnë në botë një numër i vogël librash fetarë që pretendojnë se janë nga Zoti. Nga këta libra Bibla është libri më i veçantë. Nuk ka asnjë libër tjetër si Bibla.

Bibla u shkrua nga rreth 40 autorë, në një kohëzgjatje prej 1500 vjetësh, në 3 kontinente të ndryshëm. Shumica e këtyre autorëve nuk njiheshin me njëri-tjetrin, dhe shkruan pjesë të ndryshme të Biblës, dhe shumë prej tyre nuk dinin çfarë kishin shkruar të tjerët.

Kur të tëra këto shkrime u përmblodhën në një libër të vetëm, që sot quhet Bibla (nga fjala “biblos” greqisht, që do të thotë libër), u vu re që rrjedhshmëria dhe përputhja e të tëra pasazheve me njëra tjetrën ishte sikur një njeri i vetëm e kishte shkruar atë që nga fillimi deri në fund, dhe fakti është që dikush vërtet e shkroi atë nga fillimi në fund, dhe ky është vetë Perëndia.

Ai thjesht përdori njerëz të ndryshëm për të shkruar Fjalën e Tij. Asnjë libër tjetër “fetar” nuk i afrohet Biblës. Jo vetëm kaq, por mbi të gjitha Bibla është një libër profetik. Në Bibël gjenden qindra profeci që parashikojnë të ardhmen me precizionin më të madh. Askush nuk mund ta bëjë këtë përveç Perëndisë, sepse askush nuk e njeh të ardhmen.

Vetë Perëndia i sfidon njerëzit që ta vënë në provë ekzistencën e Tij në bazë të vërtetësisë të profecive që përmban Fjala e Tij ( Isaia 41:21-24 ). Libra të tjerë fetarë as nuk pretendojnë t’i afrohen Biblës në këtë fushë. Atëherë nqs doni të dini se kush po ju thotë të vërtetën keni se me çfarë ta krahasoni. Çdo gjë që nuk përputhet me ato që thotë Bibla mund ta dini që nuk është e vërtetë.

Fatkeqësisht mjaft njerëz e përdorin pyetjen e titullit të këtij artikulli si një justifikim për t’u shmangur përgjegjësisë për të ditur të vërtetën. Në qoftë se doni të dini të vërtetën, mund ta dini atë, por mos thoni që meqë ka shumë fe në botë ju nuk mund ta dini se kush thotë të vërtetën. Ky justifikim nuk vlen aspak para Perëndisë.

Mendoni pak, në Shqipëri ka mbi 50 parti politike, por kjo nuk ju pengon ju të vendosni me kë parti do të bëheni, apo për cilën do votoni, apo cila nuk thotë të vërtetën! Apo jo? Atëherë si shpjegohet që nuk dalloni dot se kush ju thotë të vërtetën për Perëndinë? Pavarësisht se për çfarë bëhet fjalë, një parti politike, shoqatë, një ngjarje e caktuar, çdo gjë që është e debatueshme për të mbajtur një anë apo qëndrim, njerëzit gjithmonë vendosin në mendjen e tyre se cilën anë do besojnë dhe kush ka të drejtë. Atëherë nuk vendosni dot se cila fe është e vërtetë? Apo nuk doni të mësoni se kush ju thotë të vërtetën? Indiferentizmi nuk është justifikim për paditurinë.

Padyshim ka edhe nga ata spektikë që kur ballafaqohen me faktet shkencore në Bibël apo profecitë e përmbushura që ishin shkruar qindra apo mijëra vjet më parë, thonë: "ku e dimë ne që ato që janë në Bibël tani janë shkruar mijëra vjet më parë dhe jo pasi këto fakte u zbuluan apo ndodhën në histori". Përgjigja ndaj këtyre është mjaft e thjeshtë: Lexoni diçka të shkretën! Lëreni televizorin, dhe përrallat që shikoni apo dëgjoni tërë ditën dhe lexoni diçka! Merrni një libër në dorë dhe lexoni! Faktet nuk mungojnë për të tërë ata që duan t'i mësojnë ato!

I dashur lexues, Bibla thotë që nëse dikush e kërkon Perëndinë me gjithë zemër, ai do ta gjejë Atë. Padyshim, nuk është aspak rastësi që ju po lexoni këtë artikull. Nëse akoma nuk keni pranuar Jezus Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e jetës suaj, Zoti po ju jep një mundësi sot për ta marrë këtë vendim.

E vërteta është që Perëndia nuk ka krijuar asnjë fe apo sekt fetar. Fetë janë krijuar nga njerëzit, por shumë prej atyre që quhen "fe", janë thjesht zbatime të Fjalës së Zotit. Zoti na jep mundesinë që të marrim informacionin e duhur dhe përgjegjësia jonë është që të përgjigjemi drejt.

Në përfundim, ju mund të dini kush ka të drejtë, ajo që duhet të bëni është thjesht të hapni zemrën ndaj Perëndisë dhe të pranoni çfarë thotë Fjala e Tij, Bibla.

0 komente për: Sot në botë ka 1000 fe, ku ta di unë se kush thotë të vërtetën?

Shto Komentin

  • Përfshihu
  • Regjistrohu në faqe
  • Komento artikujt
  • Voto artikujt dhe komentet
  • Na kontakto me pyetje
  • Bëj sugjerime për përmirësime
  • Dhuro
  • Dhuratë për ty
  • Në dallim nga cdo besim tjetër, jeta e përjetshme sipas Biblës është një dhuratë që ofrohet falas dhe vetëm duke besuar tek Jezus Krishti... më tepër
  • Rreth albavizion.com
  • është një faqe e përkushtuar mësimit dhe shpjegimit të Biblës për të gjithë ata që kanë interes për të mësuar rreth krishtërimit sipas interpretimit biblik në dallim nga traditat fetare ose sociale.
Copyright 2014, albavizion.com - të gjitha të drejtat e rezervuara Kontaktoni me ne