• Kryesore
  • Editoriale
  • Skepticizëm
  • Tematike
  • Diskutime
  • Pyetje
  • IDENTIFIKOHU
Vizioni për Shqipërinë në këndvështrimin Biblik Identifikohu / Regjistrohu
0 komente
0

Vizioni për Shqipërinë

Cili Shqiptar nuk do të kishte dëshirë të shikonte Shqipërinë në ditë më të mira, në prosperitet e begati, të zhvilluar dhe me një ekonomi të fortë?

Sa Shqiptarë do të kërkonin të linin vendin e tyre për një tokë të huaj, nëse Shqipëria do të ofronte gjërat minimale të cilat Shqiptarëi kërkojnë në perëndim?

A nuk duam të tërë ne më të mirën për vendin tonë? A do të rregullohen gjërat në Shqiperi?

E vërteta është që Shqiptarët sot janë të lodhur nga politika, nga premtimet, fjalimet shumëfytyrëshe, qeveritarët dhe administrata e korruptuar, skemat e shumta për t’u pasuruar brenda muajit, e shumë të tjera si këto, që çojnë nivelin e pesimizmit aq lart sa syri nuk shikon se ç’ndodhet përtej, në të ardhmen. A ka një të ardhme për Shqipërinë?

Pas rënies së komunizmit në 1990, shpresat e Shqiptarëve për një të ardhme më të mirë u fuqizuan shumë. Me gjithë gjendjen e rëndë ekonomike, mungesën e thellë të ushqimit, sendeve elementare të jetesës, higjenës, ndihmës mjeksore etj, populli akoma shpresonte që gjërat do të bëheshin më mirë.

Me hapjen e dyerve për tregtinë me vendet fqinje e më larg, sasia e gjërave të ofruara në treg filloi të rritej. Me atë filloi të rriteshin edhe dukuritë e tjera prezente në vendet kapitaliste, si droga, prostitucioni, krimi, etj. Në politikë vazhdonin përplasjet midis rivalëve për pushtet, dhe populli ishte konfuz midis nostalgjisë për mungesën e krimit dhe të rregullit, pastërtisë (morale dhe fizike) nga njëra anë, dhe deshirës për të ndryshuar cilësinë e jetës, por duke parë një realitet zhgënjyes nga politika, nga ana tjetër.

Pas vitit 1996, korrupsioni lulëzoi në kulm, me përfshirjen e instancave më të larta të qeverisë. Shtirja e korrupsionit arriti deri në punonjësit me të ulët të administratës, gjë e cila u bë e mundur me terrenin që u hodh nga fushata e pastrimeve të ish-administratës nga “komunistët”, dhe me zëvendësimin me individë “besnikë” të pushtetit të ri. Në këto vite Shqipëria përjetoi një nga format më tinzare të diktatures e tipit: “ti ke lirinë e fjalës, por po fole kundër meje, gjej vend e futu”.

Kulmi i korrupsionit çoi në ngjarjet e vitit 1997, në një luftë civile që shkatërroi të tërë vendin, solli humbjen e jetës së mijëra vetëve, dhe vetem koha do të tregojë pasojat e vërteta.

Pas atij viti me ndërrimin e qeverisë, Shqiptarët edhe një herë morën konfirmimin për dyshimet që kishin se politika në Shqipëri jo vetëm që nuk do ta çojë vendin gjëkundi, por ka ngelur në duar të njerëzve që individët me dëshirë për punë dhe sinqeritet, me moral të drejtë, i shikojnë si një kërcënim për pozitën e tyre dhe jo si një mundësi për të përmirësuar vendin.

Pas një realiteti të hidhur prej 23 vjetësh pas rënies së komunizmit, Shqiptarët sot e shohin veten në një pozitë, që nuk votojnë më për një kandidat për bindjet që kanë për të, por më saktë votojnë për të keqen më të vogël midis dy të këqijave.

Jo më kot, gjatë këtyre 23 vjetëve, Shqipëria pa një emigracion me përmasa kolosale (në krahasim me numrin e popullsisë), që nga punëtori më i thjeshtë e deri tek truri i vendit. Atëherë, pas tërë kësaj, ne përsëri pyesim: “a ka një të ardhme për Shqipërinë”? Njerëzit janë të lodhur nga gënjeshtrat, premtimet, fjalët euforike që vazhdojnë të qëndrojnë në ajër, njerëzit nuk duan më të dëgjojnë asgjë dhe asnjë!

E vërteta është se ka një të ardhme për Shqipërinë, dhe kjo është në dorën e vetë Shqiptarëve. E vërteta gjithashtu është se kjo e ardhme nuk qëndron në përgjigjet që jep politika apo politikanët!

Në vazhdim të këtij artikulli ne do të prezanojmë një vizion për Shqipërinë, që nëse të gjithë ne si Shqiptarë do ta shohim, kuptojmë, dhe përqafojmë këtë vizion, atëherë rezultatet do jenë konkrete.

Problemi më i madh që komunizmi shkaktoi, nuk është trashëgimi i një ekonomie të varfër dhe të pazhvilluar, apo ndonjë faktor tjetër që mund të na vijë në mendje, problemi më i madh qëndron në faktin që ato vite krijuan një kontigjent idesh që mohojnë egzistencen e Perëndisë dhe prezencën dhe ndikimin e Tij në jetën e individëve, shoqërisë apo kombeve.

Nuk ka asnjë dyshim në mendjen tonë, që ky është faktori i parë dhe kryesor që Shqipëria ndodhet në gjendjen që është sot, dhe ka kaluar ato gjëra që ka kaluar gjatë këtyre 23 vjetëve të fundit.

Si një hyrje në këtë temë, nuk ka asnjë dyshim se Shqiptarët janë njerëz të zgjuar. Dëshmitë e tërë Shqiptarëve që studiojnë në universitete të ndryshëm të botës, tregojnë qartë që niveli i inteligjencës së studentëve tanë, është jo vetëm konkurues, por më i lartë se shumicës së studentëve të tjerë në universitete të të gjithë botës.

Por diçka ndodh kur një njeri (kushdo qoftë) mohon egzistencën e krijuesit dhe refuzon Fjalën e Zotit si të vërtetë dhe me autoritet për jetët e njerëzve. P.sh, në Bibël thuhet:

I pamendi ka thënë në zemër të tij: “Nuk ka Perëndi” Psalmi 14:1

Ky varg zbulon mjaft gjëra. E para se problemi i njerëzve që mohojnë egzistencen e Zotit nuk qëndron në mendje, pra që nuk kuptojnë parimet e egzistencës së Zotit, problemi qëndron në zemrën e tyre.

Atëherë kur një njeri mohon egzistencën e Zotit, disa nga pasojat e menjëhershme janë që njerëz të tillë humbasin aftësinë për të gjykuar gjërat drejt, prandaj Zoti i quan këta njerëz të pamend.

Në qoftë se kjo ju duket ofenduese mendoni pak për këtë. Nëse ju shkoni diku, dhe shikoni një shtëpi, hyni brenda por nuk gjeni njeri, çdo gjë është në vendin e vet, prisni por asnjeri nuk vjen, atëherë dilni jashtë, shikoni një kalimtar dhe e pyesni: “e kujt është kjo shtëpi”? Nëse ai përgjigjet: “oh, nuk është e asnjërit, por ndodhi që me kalimin e kohës disa dërrasa u ngjitën bashkë, pastaj edhe disa tulla, edhe mobiljet brënda, edhe me në fund u krijua kjo shtëpia që sheh ti”!!!

Nëse dikush ju jep ju këtë përgjigje, a nuk do të mendonit ju që ai njeri është i pamend, nëse ai vërtet e beson një gjë të tillë? Patjetër, sepse megjithëse ju nuk e dini kush është i zoti i shtëpisë, megjithëse nuk e keni parë ose takuar atë, ju e dini fare mirë se ajo shtëpi nuk është krijuar vetë, apo nga rastësija!

Prandaj me të drejtë ju mund ta quani atë njeri të pamend kur ju jep një përgjigje të tillë. Në të njëjtën mënyrë Zoti i quan të pamend ata njerëz që vendosin të besojnë që nuk ka një Zot, dhe mohojnë çdo ligj të shkencës, dhe çdo fakt të shfaqur në këtë botë, nëpërmjet natyrës.

Ne kemi mbuluar në hollësi pyetje të tilla që kanë të bëjnë me krijimin, evolucionin, egzistencën e Zotit, etj, në disa nga artikujt në këtë faqe të cilat ju inkurajomë t'i lexoni.

Në vitin 1967, Shqipëria u bë vendi i parë në Botë që të përfshijë në kushtetutë një nen që ndalon ligjërisht besimin në Zot. Megjithëse në atë kohë kishte vende të tjera komuniste që nuk lejonin lirinë e besimit, asnjë shtet nuk shkoi aq thellë sa të quante të paligjshme dhe jokushtetuese besimin në Zot.

Kjo padyshim nuk do të kalonte pa asnjë pasojë. Ligji i tretë i Njutonit thotë se për çdo veprim ka një kundërveprim. Kundërveprimi në këtë kontekst ishte mjerimi dhe varfërija e një populli të tërë, që padyshim nuk i mungonte inteligjenca, por që kishte vendosur që inteligjenca e tij qëndronte më lartë se ajo e krijuesit të tij, duke mohuar egzistencën e tij.

Pas disa vitesh të vështira tranzicioni, pas rënies së komunizmit, Zoti i dha edhe një mundësi tjetër Shqipërisë që të kthehej tek Perëndia, dhe disa iu përgjigjen kësaj thirrjeje.

Shumë të tjerë, të zhgënjyer plotësisht nga koha e komunizmit, bindjet, propaganda, dhe më në fund dështimi i asaj ideologjije, kaluan në ekstremin tjetër, që gjëja më e rëndësishme në jetë është materializmi, që materializmi do zgjidhë çdo problem, dhe aty qëndron çelësi i gëzimit dhe lumturisë në jetën e njerëzve.

Shtrëngimi ekonomik nga njëra anë dhe dëshira për të arritur këtë synim brenda një kohe shumë të shkurtër nga ana tjetër, nxiti mjaft Shqiptarë për t’u marrë me çdo gjë të paligjshme që ishte parë ose jo më parë në botë, duke kaluar edhe profesionistët shumëvjeçarë në këto “profesione”. Kjo situatë kërkon pyetje serioze për jetën e çdo individi, dhe përgjigje të po të njëjtit kalibër. Cili është kuptimi i jetës? Çfarë sjell gëzim e lumturi në jetën e një njeriu? A ka një të ardhme për Shqipërinë? A ka një vizion për Shqipërinë? Trajtimi i pyetjeve të mësipërme është bërë në në artikuj të tjerë në këtë faqe, por titulli i këtij artikulli është Vizioni për Shqipërinë, atëherë, ne do të qëndrojmë me të.

Rëndësia e një vizioni është e papërshkrueshme. Vizioni është thjesht aftësia (ose mundësia) e dikujt për të parë diçka. Një nga gjërat më të vështira në jetë është të jetosh pa dritën e syve (pa vizion). Por çfarë vizioni kemi ne për të ardhmen?

Apo nuk kemi një vizion? Bibla thotë tek Fjalët e Urta 29:18 se, “pa një vizion profetik, populli humbet...”. Prandaj lutja jonë është që çdo Shqiptar të kuptojë këtë vizion për Shqipërinë, dhe të bëhet pjesë e realizimit të këtij vizioni.

Vizioni është ky: ndryshimi dhe përmirësimi i cilësisë së jetës të një populli nuk vjen nga ligjet apo rregullat që mundohen të ndryshojnë individët nga jashtë brenda, me anë të forcës apo frikës, por vjen nga brenda jashtë, kur një njeri rilind shpirtërisht.

Kjo rilindje nuk është figurative apo sllogan politik.

Kjo rilindje bëhet realitet për të gjithë ata që kuptojnë se njerëzit lindin mekatarë, dhe për shkak të mekatit çdo njeri meriton dënimin e përjetshëm në ferr nga Perëndia, dhe kuptojne se Perëndia e deshi aq shumë botën, saqë dha Birin e Tij, Jezus Krishtin, që vdiq në kryq për mëkatet tona dhe u ringjall pas tre ditësh, dhe nese ne e besojmë këtë dhe e pranojmë Jezus Krishtin personalisht në jetën tonë, atëherë, Ai na jep jetën e përjetshme, dhe ne bëhemi një krijesë e re.

Eshte pikërisht kjo krijesë e re ajo gjë që sjell ndryshim në një familje, shoqëri, apo komb.

Pasi ne e marrim këtë vendim në jetën tonë, Zoti fillon të ndryshojë jetën tonë sipas planit të Tij. Nëse çdo individ përgjigjet pozitivisht ftesës që Perëndia i bën gjithsecilit, atëherë, cilësia e jetës së atij kombi, ndryshon për të mirë.

Ky është vizioni për Shqipërinë, që çdo Shqipëtar, të kuptojë që zgjidhjet e problemeve në Shqipëri (dhe në çdo vend tjetër) nuk do të vijnë nga politika, por nga jetët e ndryshuara të individëve, që kane pranuar Jezus Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e jetës së tyre, dhe kërkojnë që t'i pëlqejnë Perëndisë me mënyrën se si jetojnë. Nëse ne si Shqipëtarë e përqafojmë këtë vizion, rezultatet do të jenë mjaft të dukshme.

Nëse ju duket e çuditshme apo qesharake kjo që propozojmë, ju ftojmë që të mendoni pak më thellë për këtë temë.

A po themi që Shqipëria nuk ka nevojë për ligje më të mira, politikanë më të ndershëm, apo fushata që trajtojnë çështjet e korrupsionit, abuzimit, dhunës etj? Padyshim që nuk po themi këtë.

Por ajo që po themi është që ligjet nuk ndryshojnë moralin e njerëzve, e jo më thirrjet apo deklaratat për shtyp. Ndryshimi i njerëzve vjen nga brenda-jashtë, jo nga jashtë-brenda.

Dmth, ndryshimi i vërtetë vjen kur zemra e një njeriu ndryshon, atëherë kjo ndikon veprimet dhe jetën e këtij individi, dhe jo e kundërta; krijimi i ligjeve që ndalojnë gjëra të caktuara. Megjithëse siç e përmendëm Shqipëria ka nevojë për ligje të mira, problemi me ligjet qëndron në faktin se është në natyrën njerëzore që të rrebelojnë kundër ligjeve ose urdhërave.

Vite më parë, në trotuarin përpara Hotel Dajtit, ndodhej një pllakatë (si pjesë e trotuarit) që thoshte: "Ju lutem mos pështyni përtokë". Si për çudi sa herë që kaloja në atë rrugë, shikoja pllakatën të mbushur me pështymat e kalimtarëve! Kjo më bënte të vrisja mendjen; a do të ishte njësoj nëse ajo pllakatë nuk do të ishte fare aty?

Në fund të fundit çfarë i bëri njerëzit që të kryenin një veprim të tillë? Besoj, që shumica e njerëzve as që e kishin ndërmend që të pështynin kur kalonin aty, por sepse panë një shkrim që i thotë atyre të mos bëjnë një veprim, kjo i nxiste që të bënin pikërisht atë gjë. Çfarë do të thotë kjo, dhe çfarë lidhje ka kjo me vizionin për Shqipërinë? Nëse ne kuptojmë burimin e ndryshimit të jetës së njerëzve, jo me dhunë apo me forcë apo me ligje, por me ndryshimin e zemrës së tyre nëpërmjet dashurisë së Perëndisë, atëherë pasojat (pozitive) do jenë të dukshme.

Atëherë, mirësevini tek albavizion.com, një website që i dedikohet plotësisht asaj që kërkohet që Shqiptarët të shohin, besojnë, përqafojnë këtë vizion, dhe të bëhen pjesëmarrës në përhapjen e këtij vizioni. Ju inkurajojmë që tani të lexoni artikujt e tjerë të botuar në këtë website, dhe nëse përgjigja e një pyetje që ju keni nuk gjendet aty, ju lutem na shkruani me pyetjet tuaja, dhe ne do të përfshijmë pyetjen dhe përgjigjen e pyetjes në këtë website.

Faleminderit shumë që kaluat kohë duke lexuar këtë artikull, dhe mënyra më e mirë se si mund të na ndihmoni, është që t’i tregoni të tjerëve për Jezus Krishtin, dhe për këtë website. Zoti ju bekoftë.

0 komente për: Vizioni për Shqipërinë

Shto Komentin

  • Përfshihu
  • Regjistrohu në faqe
  • Komento artikujt
  • Voto artikujt dhe komentet
  • Na kontakto me pyetje
  • Bëj sugjerime për përmirësime
  • Dhuro
  • Dhuratë për ty
  • Në dallim nga cdo besim tjetër, jeta e përjetshme sipas Biblës është një dhuratë që ofrohet falas dhe vetëm duke besuar tek Jezus Krishti... më tepër
  • Rreth albavizion.com
  • është një faqe e përkushtuar mësimit dhe shpjegimit të Biblës për të gjithë ata që kanë interes për të mësuar rreth krishtërimit sipas interpretimit biblik në dallim nga traditat fetare ose sociale.
Copyright 2014, albavizion.com - të gjitha të drejtat e rezervuara Kontaktoni me ne