Koncepti i rilindjes nuk është i ri, pavarësisht se në 2013-ën pati një adoptim të gjerë nëShqipëri të këtij termi.
2000 vjet më parë, Jezusi, duke folur me një nga krerët fetarë në Izrael, i tha:
Në të vërtetë, në të vërtetë po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë. Gjoni 3:3
dhe më tepër:
Mos u mrekullo që të thashë: "Duhet të lindni përsëri". Gjoni 3:7
Por në dallim me të gjitha huazimet e fjalës "rilindje" të perdorur gjatë gjithë historisë së njerëzimit, rilindja për të cilin Jezusi flet nuk është figurative.
Për të kuptuar cfarë është kjo rilindje, ne duhet të kthehemi në fillim të kohës, për të parë se cfarë kishte vdekur kohë më parë që kishte nevojë tashmë për rilindje.
Kur Zoti krijoi njeriun e parë, e krijoi atë të vecantë nga cdo krijesë tjetër që kishte bërë.
Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. Zanafilla 1:27
Njeriu u krijua në shëmbëlltyrën e Perëndisë, dhe si i tillë, njeriu është Trini.
Bibla e përkufizon trininë e njeriut, qartazi:
Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. 1 Thesalonikasve 5:23
Në këtë varg shpjegohet se njeriu, në tërësinë e tij është: Trupi, Fryma, dhe Shpirti.
Meqënëse Zoti e krijoi njeriun për të patur një marrëdhënie të gjallë dhe reale me të, Zoti i dha mundësinë njeriut që të shprehte me vullnet të lirë adhurimin dhe miqësinë ndaj Perëndisë.
Një formë e këtij vullneti të lirë ishte mundësia për të zgjedhur të kundërtën.
Zoti i dha Adamit dhe Eves urdhërimin që të mos hanin nga pema e njohjes të së mirës dhe të keqes, por zgjedhja i përkiste atyre.
Urdhërimi për t'ju bindur Perëndisë, u shoqërua me shpjegimin e pasojave nëse do të zgjidhej e kundërta:
Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: "Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri". Zanafilla 2:16,17
Historia na tregon qe njeriu zgjodhi mekatin, dhe pasojë e kësaj zgjedhje ishte vdekja.
Por Zoti kishte thënë: "sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri"
Adami dhe Eva nuk vdiqën fizikisht atë ditë, por ata vdiqën frymërisht.
Fryma është pikërisht ajo pjesë që na mundëson marrëdhënien me Perëndinë.
I gjithë njerëzimi që pasoi Adamin dhe Evën lindën me një trup dhe shpirt të gjallë, por me një frymë të vdekur, duke e patur të pamundur të kishin një marrëdhënie reale me Perëndinë.
Prandaj Jezusi i thotë Nikodemit se ai duhet të lindtte përsëri. E njëjta vlen edhe për ne.
Kjo lindje nuk është një metaforë, por është një lindje reale. Kur ne pendohemi nga mëkatet tona dhe kuptojmë që Jezusi Krishti është e vetmja rrugë shpëtimi, dhe e pranojmë Atë në jetën tonë si Zotin dhe shpëtimtarin tonë, ne rilindim frymërisht, dhe Perëndia na shpëton shpirtin nga dënimi për mëkatet tona.
Ky është kuptimi i vërtetë i rilindjes. Kjo është rilindja pa të cilën nuk mund të jetoni. Kjo është rilindja që Perëndia ju ofron nëpërmjet Jezus Krishtit.
Shto Komentin