Faleminderit
për pyetjen tënde. Ne të
inkurajojmë që të lexosh
pyetjen e parë
në këtë faqe, pasi ajo
shpjegon mjaft gjëra në lidhje
me atë që Bibla thotë
për pozitën e gruas. Gjithashtu
të inkurajojmë që të
lexosh (nëse nuk ke lexuar akoma)
artikullin “Trajtimi
i grave sipas Biblës dhe Kuranit”,
pasi ai artikull citon vargjet nga Bibla
se si duhet mashkulli të trajtojë
gruan e tij.
Atëherë,
nëse i ke lexuar këto dy artikuj,
tani po japim një përmbledhje
të pikave kryesore për të
sqaruar më mirë pyetjen tënde.
Bibla
mëson këto gjëra në
lidhje me rolin e gruas:
1. |
Gruaja
është krijesë e Perëndisë
e barabartë me burrin. |
2. |
Roli
i gruas në familje është
i ndryshëm nga roli i burrit. |
3. |
Mashkulli
është caktuar nga Zoti
të jetë drejtues i familjes,
dhe si i tillë përgjegjës
për vendimet që merr. |
4. |
Burri
duhet ta trajtojë gruan me
respekt dhe ta dojë atë
ashtu si Krishti deshi Kishën
dhe dha veten e Tij për të. |
5. |
Rolet
e ndryshme në familje nuk përcaktojnë
mosbarazi, por strukturë dhe
rend, mjaft i nevojshëm për
funksionimin normal të çdo
familje. |
6. |
Mënyra se si familja duhet
të funksionojë është
një shëmbëlltyrë
e marrëdhënies të
besimtarëve (Kishës) me
Zotin Jezus Krisht. |
7. |
Sa
herë që prishet ky ekuilibër
në familje, probleme të
mëdha rezultojnë. |
Para
se të sqarojmë në hollësi
këto parime, le të theksojmë
një parim që është
shumë i rëndësishëm
në përgjigjen e çdo
pyetje që kemi. Është
një gjë mjaft e rrezikshme
që të vendosësh se çfarë
do besosh në lidhje me një
temë të caktuar, dhe pastaj
të kërkosh nje fe që
bie dakord (ose mëson) atë
që ti beson. Unë mund të
shpik një fe sot që mëson
se femrat janë superiore ndaj meshkujve,
por kjo nuk do të thotë se
kjo vjen prej Zotit. Prandaj, është
e rëndësishme që në
rradhë të parë të
shikosh faktet pse Bibla është
fjala e Zotit, dhe pastaj të studiosh
çfarë mëson Bibla dhe
kur mendimet tona nuk përputhen
me Biblën, atëherë jemi
ne që duhet të ndryshojmë
mendim, jo Zoti.
Atëherë,
pa humbur kohë, le të shpjegojmë
pyetjen tënde. Kur Zoti krijoi
njeriun, Ai krijoi Adamin të parin,
dhe Zoti mendoi që nuk ishte mirë
që Ai të ishte vetëm,
prandaj krijoi gruan nga brinja e Adamit.
Megjithëse Adami dhe Eva u krijuan
të dy nga Zoti, dhe ishin krijesa
të barabarta përpara Perëndisë,
ata u krijuan ndryshe nga njëri
tjetri dhe për qëllime të
ndryshme. Adami u krijua nga dheu, dhe
gruaja u krijua nga brinja e Adamit.
Jo më kot meshkujt nuk e kanë
problem të merren me punë
ku bëhen pis, pasi ata u krijuan
nga dheu! 
Pastaj
Zoti tha që burri dhe gruaja do
të bashkohen dhe të dy do
të bëhen një mish i vetëm.
Pra, martesa, për Zotin është
akti ku dy bëhen një. Le të
mos harrojmë që megjithëse
Zoti i krijoi si mashkullin ashtu edhe
femrën ata u krijuan ndryshe. Ky
ndryshim nuk ka të bëjë
me barazinë, por me funksionin.
Gruaja u krijua nga brinja e Adamit
dhe kjo jo më kot. Zoti nuk e krijoi
gruan nga këmbët e Adamit
që ai të mbizotëronte
mbi gruan dhe ta shtypte, as nga koka
që ajo të drejtonte burrin,
por nga brinja. Kjo tregon se roli i
gruas është pikërisht
për të ruajtur dhe mbrojtur
gjënë më të çmuar
në burrin e saj, zemrën. Ne
e dimë se brinjët shërbejnë
si një mbrojtje e organeve vitale
të jetës. Ky është
roli i gruas në familje. Meqënëse
përmendëm se Zoti tha se të
dy do të bëhen një, kur
një burrë dhe një grua
bashkohen, dhe të dy duhet të
jenë një, nëse nuk ka
disa rregulla si ato që Zoti ka
caktuar në Bibël, atëherë
pasojat janë të mëdha.
Ne nuk mund të neglizhojmë
faktin se burri dhe gruaja janë
ndryshe nga njëri tjetri. Ky ndryshim,
siç përmendëm disa
herë nuk është në
barazinë si krijesa përpara
Zotit, por është në gjini,
ana fizike, ana emocionale, etj. Meshkujt
dhe femrat nuk mendojnë njësoj,
proçesi i mendimit është
komplet ndryshe. Meshkujt dhe femrat
nuk reagojnë njësoj në
fushën e ndjenjave. Atëherë,
kur të dy bëhen një mish,
nëse të dy do të ishin
njësoj përgjegjës për
drejtimin e familjes, kjo do të
sillte pasoja. Kjo do të ishte
njësoj si një krijesë
me dy koka ku të dy po mundohen
t’i thonë trupit se çfarë
duhet të bëjë. Kjo është
njësoj si të kesh një
makinë me dy timona, dhe secili
shofer vendos vetë se ku do të
shkojë. Kjo nuk është
e frytshme, madje është e
rrezikshme.
Prandaj,
Zoti i dha burrit përgjegjësinë
e drejtimit të familjes dhe gruas
rolin mbrojtjës dhe ruajtjes së
këtij ekuilibri në familje.
Pse i ndau rolet Zoti në këtë
mënyrë, është punë
e Tij, dhe ne nuk mund të japim
përgjigje për këtë,
por kjo nuk do të thotë se
burri nuk duhet të pyesi gruan
për asnjë gjë, por do
të thotë se është
detyra dhe përgjegjësia e
burrit (në fund të fundit)
se si e drejton familjen e tij. Le të
mos harrojmë se me këtë
privilegj vjen edhe përgjëgjësia.
Dmth, nëse burri vendos të
marrë një vendim të caktuar
për familjen dhe ky vendim është
i gabuar, atëherë është
burri ai që jep llogari para Zotit
për këtë gabim, jo gruaja.
Ky parim shikohet qartë se kë
mbajti Zoti përgjegjës për
ardhjen e mëkatit në botë:
Romakeve
5:12
Prandaj,
ashtu si me anë të një
njeriu të vetëm mëkati
hyri në botë dhe me anë
të mëkatit vdekja, po ashtu
vdekja u shtri tek të gjithë
njerëzit, sepse të gjithë
mëkatuan;
Në
fakt ishte Eva ajo që mëkatoi
e para, jo Adami, megjithatë Zoti
thotë që mëkati hyri
në botë me anë të
Adamit, sepse ai ishte përgjegjës
për drejtimin e familjes, prandaj
Zoti i kërkoi atij llogari për
mëkatin.
Pra, marrëdhënia burrë-grua
në familje duhet të funksionojë
në mënyrën se si Zoti
e ka caktuar. Burri është
drejtuesi i familjes dhe përgjegjës
për vendimet e marra. Gruaja ndjek
drejtimin e burrit të saj për
familjen dhe ruan ekuilibrin e paqes
në familje. Në fund të
fundit, pasazhi në Bibël që
jep këtë urdhërim, fillon
duke vendosur kontekstin duke thënë:
Efesianëve
5:21
nënshtrohuni
njëri-tjetrit në druajtjen
e Krishtit!
Pra,
gruaja nuk është skllave e
burrit, apo robot, që burri të
shtypë një buton edhe ajo
të bëjë atë gjë,
por të dy duhet të konsultohen
me njëri-tjetrin për planin
e Zotit për familjen e tyre.
Ka
edhe nje arsye tjetër pse burri
është caktuar drejtues i familjes.
Në Bibël, kisha quhet nusja
e Krishtit.
Ky krahasim është dhënë
për të shpjeguar faktin se
Krishti na do pa kufi dhe kujdeset për
ne. Kisha ndjek drejtimin e Krishtit
dhe Ai siguron për ne. Ashtu si
Krishti është i njëjtë
me Perëndinë At, ashtu edhe
gruaja është e njëjtë
me burrin, por pozitat janë të
ndryshme. Kjo e gjitha është
në funksion të rregullit në
familje dhe shoqëri.
Kjo është ajo që Bibla
mëson në lidhje me këtë
temë. Pra, si përmbledhje,
sipas Biblës roli i burrit dhe
gruas në familje, nuk ka të
bëjë me superioritetin apo
inferioritetin, por ka të bëjë
me faktin që të dy kanë
role të ndryshme për të
arritur unitetin dhe paqen e duhur në
familje. Tani, përgjegjësia
jonë është të themi
se çfarë mëson Bibla
në këtë fushë, dhe
jo çfarë bëjnë
fetë e ndryshme, qofshin këto
edhe kisha të ndryshme. Nëse
një kishë nuk vepron sipas
Biblës, kjo është puna
e tyre, por ne nuk duhet t’ia
hedhim fajin Zotit apo Biblës për
sjelljen e tyre. Bibla na mëson
të sillemi ashtu siç kemi
shpjeguar në këtë artikull,
nëse njerëzit i binden apo
jo, kjo është puna e tyre
përpara Zotit. Nga ana tjetër
nuk duhet të gjykojmë çfarë
ka thënë Zoti sepse ka njerëz
besimtarë që nuk i binden
fjalës së Tij. Prandaj në
analizën tonë në të
gjithë artikujt nuk jemi marrë
me çfarë bëjnë
apo besojnë besimtarë të
ndryshëm, por çfarë
thonë burimet e besimit të
tyre, psh Bibla apo Kurani, sepse ka
më tepër rëndësi
të studiosh çfarë thonë
librat në të cilat këto
fe mbështeten, sesa a i binden
tamam besimtarë të ndryshëm
këtyre librave. Psh, është
çmenduri t’i hedhesh fajin
Krishit apo Biblës për pjesëmarrjen
e Kishes Ortodokse Serbe në politikën
e masakrave në Kosovë, kur
dihet qartë se ata nuk ndjekin
Biblën. Prandaj, nëse ju keni
një shembull të keq para syve
tuaj në lidhje me marrëdhëniet
burrë-grua, ne po ju shpjegojmë
çfarë mëson Bibla në
lidhje me këtë, dhe është
përgjegjësia jonë të
gjejmë një kishë që
mëson dhe sillet sipas Bibles.
Prandaj, unë nuk shoh asnjë
parim në Bibël që të
kufizojë të drejtat personale,
shoqërore, apo familjare të
gruas, siç thua ti. Fakti që
Zoti ka caktuar role të ndryshme
në familje nuk do të thotë
mosbarazi apo mohim i të drejtave.
Megjithëse mashkulli dhe femra
jane krijuar të barabartë
si qënie njerëzore, kjo nuk
do të thotë se ata janë
të njëjtë në çdo
anë tjetër. Vetëm një
i marrë mund të mohojë
ndryshimet midis burrit dhe gruas. Dhe
nëse ju duket e padrejtë që
Zoti të ketë caktuar burrin
si drejtues të familjes dhe jo
gruan, dhe nëse kjo ju duket pabarazi,
atëherë duhet të kërkoni
barazinë në çdo fushë
tjetër të jetës, si psh
punën në gurrore, kanalet
e ujërave të zeza, shtrimi
i rrugëve me asfalt gjithë
ditën në diell, miniera, mbledhja
e plehrave publike, ndeshjen e femrave
me meshkuj në boks, etj, etj. 
Për
mendimin tonë kjo që po shpjegojmë
është praktike, meqënëse
pyetet për praktikën e përditshme.
Sa gra mezi do prisnin të ngriheshin
në mëngjes për t'u lyer
me zift duke shtruar rrugët? Mos
mendoni vetëm për burrat që
janë me pozitë, ka plot të
tjerë që nuk janë të
tillë!
Sipas Biblës burri duhet të
ndihmojë gruan me çdo gjë
që ka nevojë, megjithatë
siç shpjeguam më lart, detyrat
janë të ndryshme. Këto
përgjegjësi nuk i ndan njeri
me një listë fikse të
pandryshueshme, por Bibla jep shembuj
të ndryshëm. Sugjerojmë
që të lexoni Fjalët
e Urta 31, për një kapitull
të mrekullueshëm mbi gruan
e virtytshme. Në fund të kapitullit
thuhet:
Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin
fatlume; edhe burri i saj e lëvdon
duke thënë:
"Shumë bija kanë bërë
gjëra të mëdha, por ti
i kalon të gjitha ato".
Hiri është i rremë dhe
bukuria është e kotë,
por gruaja që ka frikë nga
Zoti është ajo që do
të lëvdohet.
I jepni frytin e duarve të saj,
dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë
te portat.
Ky
kapitull shpjegon qartë se burri
i një gruaje të tillë
nderohet nga të tjerët, gruaja
vetë nderohet nga burri dhe nga
fëmijët e saj.
Siç thamë edhe më lart,
kjo është ajo që Bibla
mëson. Megjithëse çdo
njeri e ka në dorë vetë
se çfarë do besojë,
është mendimi ynë se
asnjë sistem tjetër nuk është
më i mirë nga ai që ka
caktuar Bibla. E vërteta është
që nëse një njeri nuk
ka këtë qëndrim ndaj
Biblës dhe grave në përgjithësi,
atëherë gratë gjithmonë
do të trajtohen (në botën
jobesimtare) nga pamja e tyre, dhe sa
tërheqëse janë për
meshkujt dhe asnjëherë nuk
do të trajtohen të barabarta.
Ose në anën tjetër, ato
do të trajtohen si vegla nga fanatikë
të feve të ndryshme.
Le
të themi në mbyllje se standarti
i Biblës për trajtimin e grave
është shumë më i
lart nga çdo standart tjetër.
Burrat duhet t’i trajtojnë gratë
e tyre duke i çmuar ato.
1Pjetrit
3:7
Ju
burra, gjithashtu, jetoni me gratë
tuaja me urtësi, duke e çmuar
gruan si një enë më delikate
dhe e nderoni sepse janë bashkëtrashëgimtare
me ju të hirit të jetës,
që të mos pengohen lutjet
tuaja.
Ky
varg është i rëndësishëm
sepse mëson qartë që
një nga pengesat e përgjigjes
se lutjeve të besimtarëve
të krishterë është
kur ata nuk i trajtojnë gratë
e tyre mirë.
Burri
duhet ta dojë gruan ashtu si Krishti
deshi Kishën.
P.sh. tek Efesianëve
5:25 Bibla thotë:
Ju,
burra, t`i doni gratë tuaja, sikurse
edhe Krishti ka dashur kishën dhe
e ka dhënë veten e vet për
të.
Shpresojmë
që kjo përgjigje të ketë
sqaruar pyetjen tuaj sadopak. Faleminderit
për pjesëmarrjen tuaj në
Albavizion.com. Zoti ju bekoftë.