Vizioni
për Shqipërinë!!! Cili Shqiptar nuk do
të kishte dëshirë të shikonte Shqipërinë
në ditë më të mira, në prosperitet
e begati, të zhvilluar dhe me një ekonomi të
fortë? Sa shqiptarë do të kërkonin
të linin vendin e tyre për një tokë të
huaj, nëse Shqipëria do të ofronte ato gjëra
që perëndimi të josh? A nuk duam të
tërë ne më të mirën për vendin
tonë? A do të rregullohen gjërat një
ditë? A do të jemi ne gjallë kur të
rregullohen?
E
vërteta është që Shqiptarët sot janë
të lodhur nga politika, nga premtimet, fjalimet shumëfytyrëshe,
qeveritarët e pafytyrë e imoralë, administrata
e korruptuar, skemat e shumta për t’u pasuruar brenda
muajit, e shumë të tjera si këto, që çojnë
nivelin e pesimizmit aq lart sa syri nuk shikon se ç’ndodhet
përtej, në të ardhmen. A ka një të
ardhme në Shqipëri?
Pas
rënies së komunizmit në 1990, shpresat e Shqiptarëve
për një të ardhme më të mirë
u fuqizuan shumë. Me gjithë gjendjen e rëndë
ekonomike, mungesën e thellë të ushqimit, sendeve
elementare të jetesës, higjenës, ndihmës
mjeksore etj, populli akoma shpresonte që gjërat
do të bëheshin më mirë. Me hapjen
e dyerve për tregtinë me vendet fqinje e më
larg, sasia e gjërave të ofruara në treg filloi
të rritej. Me atë filloi të rriteshin
edhe dukuritë e tjera prezente në vendet kapitaliste,
si droga, prostitucioni, krimi, etj. Në politikë
vazhdonin përplasjet midis rivalëve për pushtet,
dhe populli ishte konfuz midis nostalgjisë për mungesën
e krimit dhe të rregullit, pastërtisë (morale
dhe fizike) nga njëra anë, dhe deshirës për
të ndryshuar cilësinë e jetës, por duke
parë një realitet zhgënjyes nga politika, nga
ana tjetër. Pas vitit 1996, korrupsioni lulëzoi
në kulm, me përfshirjen e instancave më të
larta të qeverisë. Shtirja e korrupsionit arriti
deri në punonjësit me të ulët të
administratës, gjë e cila u bë e mundur me
terrenin që u hodh nga fushata e pastrimeve të ish-administratës
nga “komunistët”, dhe me zëvendësimin me individë
“besnikë” të pushtetit të ri. Në
këto vite Shqipëria përjetoi një nga format
më tinzare të diktatures e tipit: “ti ke lirinë
e fjalës, por po fole kundër meje, gjej vend e futu”.
Kulmi i korrupsionit çoi në ngjarjet e vitit 1997,
në një luftë civile që shkatërroi
të tërë vendin, solli humbjen e jetës
së mijëra vetëve, dhe vetem koha do të
tregojë pasojat e vërteta. Pas atij viti me
ndërrimin e qeverisë, Shqiptarët edhe një
herë morën konfirmimin për dyshimet që
kishin se politika në Shqipëri jo vetëm që
nuk do ta çojë vendin gjëkundi, por ka ngelur
në duar të njerëzve që individët
me dëshirë për punë dhe sinqeritet, me
moral të drejtë, i shikojnë si një kërcënim
për pozitën e tyre dhe jo si një mundësi
për të përmirësuar vendin. Pas një
realiteti të hidhur prej 12 vjetësh pas rënies
së komunizmit, Shqiptarët sot e shohin veten në
një pozitë, që nuk votojnë më për
një kandidat për bindjet që kanë për
të, por më saktë votojnë për të
keqen më të vogël midis dy të këqijave. Jo
më kot, gjatë këtyre 12 vjetëve, Shqipëria
pa një emigracion me përmasa kolosale (në krahasim
me numrin e popullsisë), që nga punëtori më
i thjeshtë e deri tek truri i vendit. Atëherë,
pas tërë kësaj, ne përsëri pyesim: “a
ka një të ardhme për Shqipërinë”? Njerëzit
janë të lodhur nga gënjeshtrat, premtimet,
fjalët euforike që vazhdojnë të qëndrojnë
në ajër, njerëzit nuk duan më të
dëgjojnë asgjë dhe asnjë! E vërteta
është se ka një të ardhme për Shqipërinë,
dhe kjo është në dorën e vetë Shqiptarëve. E
vërteta gjithashtu është se kjo e ardhme nuk
qëndron në përgjigjet që jep politika
apo politikanët! Në vazhdim të këtij
artikulli ne do të prezanojmë një vizion për
Shqipërinë, që nëse të gjithë
ne si Shqiptarë do ta shohim, kuptojmë, dhe përqafojmë
këtë vizion, atëherë rezultatet do jenë
konkrete.
Problemi
më i madh që komunizmi shkaktoi, nuk është
trashëgimi i një ekonomie të varfër dhe
të pazhvilluar, apo ndonjë faktor tjetër që
mund të na vijë në mendje, problemi më
i madh qëndron në faktin që ato vite krijuan
një kontigjent idesh që mohojnë egzistencen
e Perëndisë dhe prezencën dhe ndikimin e Tij
në botën e sotme. Nuk ka asnjë dyshim
në mendjen tonë, që ky është faktori
i parë dhe kryesor që Shqipëria ndodhet në
gjendjen që është sot, dhe ka kaluar ato gjëra
që ka kaluar gjatë këtyre 13 vjetëve të
fundit. Shpresojmë që të tërë
artikujt e botuar në këtë website të sqarojne
qartë këtë bindje me fakte të pakundërshtueshme. Si
një hyrje në këtë temë, nuk ka asnjë
dyshim se Shqiptarët janë nga njerëzit më
të zgjuar. Dëshmitë e tërë Shqiptarëve
që studiojnë në universitete të ndryshëm
të botës, tregojnë qartë që niveli
i inteligjencës së studentëve tanë, është
jo vetëm konkurues, por më i lartë se shumicës
së studentëve të tjerë në universitete
të të gjithë botës. Por diçka
ndodh kur një njeri (kushdo qoftë) mohon egzistencën
e krijuesit dhe refuzon Fjalën e Zotit si të vërtetë
dhe me autoritet për jetët e njerëzve. P.sh,
në Bibël thuhet tek Psalmi 14:1 shprehimisht: “I
pamendi ka thënë në zemër të tij:
“Nuk ka Perëndi”...” Ky varg zbulon mjaft gjëra. E
para se problemi i njerëzve që mohojnë egzistencen
e Zotit nuk qëndron në mendje, pra që nuk kuptojnë
parimet e egzistencës së Zotit, problemi qëndron
në zemrën e tyre. Atëherë kur një
njeri mohon egzistencen e Zotit, disa nga pasojat e menjëhershme
janë që njerëz të tillë humbasin
aftësinë për të gjykuar gjërat drejt,
prandaj Zoti i quan këta njerëz të pamend. Në
qoftë se kjo ju duket ofenduese mendoni pak për
këtë. Nëse ju shkoni diku, dhe shikoni
një shtëpi, hyni brenda por nuk gjeni njeri, çdo
gjë është në vendin e vet, prisni por
asnjeri nuk vjen, atëherë dilni jashtë, shikoni
një kalimtar dhe e pyesni: “e kujt është
kjo shtëpi”? Nëse ai përgjigjet: “oh,
nuk është e asnjërit, kështu kot me kalimin
e kohës disa dërrasa u ngjitën bashkë,
pastaj edhe disa tulla, edhe mobiljet brënda, edhe me
në fund u krijua kjo shtëpia që sheh ti”!!!
Nëse dikush ju jep ju këtë përgjigje,
a nuk do të mendonit ju që ai njeri është
i pamend, nëse ai vërtet e beson një gjë
të tillë? Patjetër, sepse megjithëse
ju nuk e dini kush është i zoti i shtëpisë,
megjithëse nuk e keni parë ose takuar atë,
ju e dini fare mirë se ajo shtëpi nuk është
krijuar vetë, apo nga rastësija! Prandaj me
të drejtë ju mund ta quani atë njeri të
pamend kur ju jep një përgjigje të tillë. Në
të njëjtën mënyrë Zoti i quan të
pamend ata njerëz që vendosin të besojnë
që nuk ka një Zot, dhe mohojnë çdo
ligj të shkencës, dhe çdo fakt të shfaqur
në këtë botë, nëpërmjet natyrës. Ne
kemi mbuluar në hollësi, pyetje të tilla që
kanë të bëjnë me krijimin, evolucionin,
egzistencën e Zotit, etj, në faqen e artikujve,
dhe nëse ka një gjë që ne do t’ju inkurajonim,
kjo është që të lexoni artikujt e botuar
aty.
Në
vitin 1967, Shqipëria u bë vendi i parë në
Botë që të përfshijë në kushtetutë
një nen që ndalon ligjërisht besimin në
Zot. Megjithëse në atë kohë kishte
vende të tjera komuniste që nuk lejonin lirinë
e besimit, asnjë shtet nuk shkoi aq thellë sa të
quante të paligjshme dhe jokushtetuese besimin në
Zot. Kjo padyshim nuk do të kalonte pa asnjë
pasojë. Ligji i tretë i Njutonit thotë
se për çdo veprim ka një kundërveprim. Kundërveprimi
në këtë kontekst ishte mjerimi dhe varfërija
e një populli të tërë, që padyshim
nuk i mungonte inteligjenca, por që kishte vendosur që
inteligjenca e tij qëndronte më lartë se ajo
e krijuesit të tij, duke mohuar egzistencen e tij. Pas
disa vitesh të vështira tranzicioni, pas rënies
së komunizmit, Zoti i dha edhe një mundësi
tjetër Shqipërisë që të kthehej tek
Perëndia, dhe disa iu përgjigjen kësaj thirrjeje. Shumë
të tjerë, të zhgënjyer plotësisht
nga koha e komunizmit, bindjet, propaganda, dhe më në
fund dështimi i asaj ideologjije, kaluan në ekstremin
tjetër, që gjëja më e rëndësishme
në jetë është materializmi, që materializmi
do zgjidhë çdo problem, dhe aty qëndron çelësi
i gëzimit dhe lumturisë në jetën e njerëzve. Shtrëngimi
ekonomik nga njëra anë dhe dëshira për
të arritur këtë synim brenda një kohe
shumë të shkurtër nga ana tjetër, nxiti
mjaft Shqiptarë për t’u marrë me çdo
gjë të paligjshme që ishte parë ose jo
më parë në botë, duke kaluar edhe profesionistët
shumëvjeçarë në këto “profesione”. Kjo
situatë kërkon pyetje serioze për jetën
e çdo individi, dhe përgjigje të po të
njëjtit kalibër. Cili është kuptimi
i jetës? Çfarë sjell gëzim e lumturi
në jetën e një njeriu? A ka një të
ardhme për Shqipërinë? A ka një vizion
për Shqipërinë? Trajtimi i pyetjeve të
mësipërme është bërë në
hollësi në faqen e artikujve, por titulli i këtij
artikulli është Vizioni për Shqipërinë,
atëherë, ne do të qëndrojmë me të. Rëndësia
e një vizioni është e papërshkrueshme. Vizioni
është thjesht aftësia (ose mundësia) e
dikujt për të parë diçcka. Një
nga gjërat më të vështira në jetë
është të jetosh pa dritën e syve (pa vizion). Unë
kam pak eksperiencë në këtë drejtim, duke
punuar për një vit me të verbërit tek
shkolla e të verbërve në Tiranë, dhe vërtet
që kjo është një nga gjërat më
të rënda për një njeri. Por çfarë
vizioni kemi ne për të ardhmen? Apo nuk kemi
një vizion? Bibla thotë tek Fjalët e Urta
29:18 se, “pa një vizion profetik, populli humbet...”. Prandaj
lutja jonë është që çdo Shqiptar
të kuptojë këtë vizion për Shqipërinë,
dhe të bëhet pjesë e realizimit të këtij
vizioni. Vizioni është ky: ndryshimi dhe
përmirësimi i cilësisë së jetës
të një populli nuk vjen nga ligjet apo rregullat
që mundohen të ndryshojnë individet nga jashtë
brenda, me anë të forcës apo frikës, por
vjen nga brenda jashtë, kur një njeri kupton se
të gjithë njerëzit janë mekatarë,
dhe janë krijuar me një shpirt të përjetshëm
që nuk vdes kurrë, dhe për shkak të mekatit
çdo njeri meriton dënimin e përjetshëm
në ferr nga Perëndia, por Perëndia e deshi
aq shumë botën, saqë dha Birin e Tij, Jezus
Krishtin, që vdiq në kryq për mëkatet
tona dhe u ringjall pas tre ditësh, dhe nese ne e besojmë
këtë dhe e pranojmë Jezus Krishtin personalisht
në jetën tonë, atëherë, Ai na jep
jetën e përjetshme, dhe ne bëhemi një
krijesë e re. Pasi ne e marrim këtë vendim
në jetën tonë, Zoti fillon të ndryshojë
jetën tonë sipas planit të Tij. Nëse
çdo individ përgjigjet pozitivisht ftesës
që Perendia i bën gjithsecilit, atëherë,
cilësia e jetës së atij kombi, ndryshon për
të mirë. Ky është vizioni për
Shqipërinë, që çdo Shqipëtar, të
kuptojë që zgjidhjet e problemeve në Shqipëri
( dhe në çdo vend tjetër) nuk do të
vijnë nga politika, por nga jetët e ndryshuara të
individëve, që kane pranuar Jezus Krishtin si Zotin
dhe Shpëtimtarin e jetës së tyre, dhe kërkojnë
që të kënaqin Zotin me mënyrën se
si jetojnë. Nëse ne si Shqipëtarë
e përqafojmë këtë vizion, rezultatet do
të jenë mjaft të dukshme.
Nëse
ju duket e çuditshme apo qesharake kjo që propozojmë,
ju ftojmë që të mendoni pak më thellë
për këtë temë. A po themi që Shqipëria
nuk ka nevojë për ligje më të mira, politikanë
më të ndershëm, apo fushata që trajtojnë
çështjet e korrupsionit, abuzimit, dhunës
etj? Padyshim që nuk po themi këtë. Por ajo
që po themi është që ligjet nuk ndryshojnë
moralin e njerëzve, e jo më thirrjet apo deklaratat
për shtyp. Ndryshimi i njerëzve vjen nga brenda-jashtë,
jo nga jashtë-brenda. Dmth, ndryshimi i vërtetë
vjen kur zemra e një njeriu ndryshon, atëherë
kjo ndikon veprimet dhe jetën e këtij individi,
dhe jo e kundërta; krijimi i ligjeve që ndalojnë
gjëra të caktuara. Megjithëse siç e
përmendëm Shqipëria ka nevojë për
ligje të mira, problemi me ligjet qëndron në
faktin se është në natyrën njerëzore
që të rrebelojnë kundër ligjeve ose urdhërave.
Vite më parë, në trotuarin përpara Hotel
Dajtit, ndodhej një pllakatë (si pjesë e trotuarit)
që thoshte: "Ju lutem mos pështyni përtokë".
Si për çudi sa herë që kaloja në
atë rrugë, shikoja pllakatën të mbushur
me pështymat e kalimtarëve! Kjo më bënte
të vrisja mendjen; a do të ishte njësoj nëse
ajo pllakatë nuk do të ishte fare aty? Në fund
të fundit çfarë i bëri njerëzit
që të kryenin një veprim të tillë?
Besoj, që shumica e njerëzve as që e kishin
ndërmend që të pështynin kur kalonin aty,
por sepse panë një shkrim që i thotë atyre
të mos bëjnë një veprim, kjo i nxiste
që të bënin pikërisht atë gjë.
Çfarë do të thotë kjo, dhe çfarë
lidhje ka kjo me vizionin për Shqipërinë? Nëse
ne kuptojmë burimin e ndryshimit të jetës së
njerëzve, jo me dhunë apo me forcë apo me ligje,
por me ndryshimin e zemrës së tyre nëpërmjet
dashurisë së Perëndisë, atëherë
pasojat (pozitive) do jenë të dukshme.
Atëherë,
mirësevini tek Albavizion.com, një website që
i dedikohet plotësisht asaj që kërkohet që
Shqiptarët të shohin, besojnë, përqafojnë
këtë vizion, dhe të bëhen pjesëmarrës
në përhapjen e këtij vizioni. Ju inkurajojmë
që tani të lexoni artikujt
e tjerë të botuar në këtë website,
dhe nëse përgjigja e një pyetje që ju
keni nuk gjendet aty, ju lutem na shkruani me pyetjet tuaja,
dhe ne do të përfshijmë pyetjen dhe përgjigjen
e pyetjes në këtë website. Faleminderit
shumë që kaluat kohë duke lexuar këtë
artikull, dhe mënyra më e mirë se si mund të
na ndihmoni, është që t’i tregoni të tjerëve
për Jezus Krishtin, dhe për këtë website. Zoti
ju bekoftë.