Në
shekullin e fundit bota ka përjetuar përqindjen
më të madhe të rritjes së njohurisë
me një shkallë eksponenciale. Kjo solli zhvillimin
e shkencës në përmasa të paimagjinueshme
më parë. Shumë romane apo novela që flisnin
për arritje të shkencës në vitet 2200
apo më pas duken tani qesharake përpara fakteve
të zhvillimit shkencor. Rritja e njohurisë në
fushën e astronomisë, fizikës, elektronikës,
përpunimit të sinjaleve, kimisë, etj, krijoi
kushte për lulëzimin e filozofive humaniste dhe
evolucioniste. Më në fund njeriu mund të mburrej
me të tëra arritjet e tij dhe ta shikonte veten
si maja e shkallës së evolucionit duke besuar se
asgjë apo asnjë krijesë tjetër nuk qëndron
më lart se ai. Besimi në Zot filloi të shikohej
dhe predikohej si një pengesë ndaj ecjes përpara
dhe pjesë e njerëzve të paditur apo shkolluar.
Teori të vjetra si ajo e evolucionit filluan të
paketoheshin me terma shkencore dhe të paraqiteshin si
fakte shkencore dhe të pakundërshtueshme. Në
mes të një çorbulle të tillë, të
një shoqërie që askush nuk ja mat dot shpejtësinë
e lëvizjes dhe ndryshimit, njerëzit me të drejtë
pyesin: “A nuk ka provuar shkenca se Bibla është
një përrallë”? A kundërshton Bibla faktet
e pamohueshme shkencore?
Pyetje të tilla zakonisht vijnë nga njerëz
që ose nuk kanë studiuar Biblën apo shkencën,
ose kanë vendosur të mohojnë faktet dhe të
besojnë çfarë u vjen atyre për shtat.
Ky artikull nuk ka për qëllim debatimin midis evolucionit
dhe krijimit, për këtë temë lexoni artikullin
“Krijimi apo evolucioni”,
por në vend të saj, në këtë artikull
duam të paraqesim përpara lexuesve vargje nga Bibla
që përmbajnë fakte shkencore, qindra ose mijëra
vite përpara se ato të zbuloheshin nga shkenca.
Le
të shohim disa prej tyre:
Jobi
26:7 (shkruar rreth 3700 vjet më parë)
Ai
shtrin veriun në zbrazëti dhe e mban tokën
pezull mbi hiçin.
Këtu
Bibla thotë qartë që Toka nuk qëndron
mbi asnjë objekt tjetër, në kundërshtim
me besimin e kohës kur libri I Jobit u shkrua. Në
atë kohë njerëzit besonin se Toka mbahej nga
një breshkë, ose diçka tjetër.
Levitiku 17:11 (shkruar rreth 3500 vjet më parë)
Sepse
jeta e mishit është në gjak.
Padyshim
qe ne e dimë këtë tani, por kur u shkrua ky
varg njerëzit nuk e dinin këtë. Në fakt
deri në shekullin e 19-të nuk u zbulua kjo gjë.
Kur operacionet e para filluan në fushën e mjeksisë,
shumë pacientë vdisnin nga humbja e madhe e gjakut.
Me vonë u zbulua që njeriu nuk jetonte dot pa gjak,
ndërkohë që Bibla e kishte thënë
këtë mbi 3000 vjet më parë.
Jobi
38:35 (shkruar rreth 3700 vjet më parë)
Mos
je ti ai që hedh rrufetë atje ku duhet të shkojnë,
duke thënë: "Ja ku jam?".
Kuptohet
që rrufetë nuk “thonë” ndonjë gjë,
por në këtë varg shfaqet një nga zbulimet
më të mëdha të gjitha kohërave, zbulimi
i natyrës së dyfishtë të dritës.
Tani ne e dimë se drita nuk është vetëm
lëndë (materie) por edhe valë. Është
pikërisht vetia e dytë e dritës (si valë)
që nuk u zbulua deri pak kohë më parë.
Kjo veti e dritës, mundëson (përveç
të tjerave) komunikimin satelitor, dhe lidhjet telefonike
në kohë reale në të gjithë botën.
Dmth, meqënëse drita lëviz me shpejtësi
300,000 km/sek, do të thotë që duke shfytëzuar
natyrën valë të dritës, ne mund të
transmetojmë një sinjal në të gjithë
botën brenda sekondit, gjë e cila mundëson
një shkallë të lartë komunikimi në
të gjithë globin. Ku e dinte Jobi këtë
3700 vjet më parë?
Isaia
40:22 (shkruar rreth 2700 vjet më parë)
Ai
është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës…
Këtu
thuhet se Zoti qëndron ulur mbi rruzullin e Tokës.
Po kush besonte 2700 vjet më parë se Toka është
rrethore? Të gjithë besonin që Toka është
e sheshtë, megjithatë ata që besonin Biblën
mund ta dinin këtë fakt shkencor, mbi 2000 vjet
para se shkenca të pranonte atë që Bibla gjithmonë
kishte thënë, pavarësisht se çfarë
besonin njerëzit apo shkencëtarët.
Psalmi 8:8 (shkruar rreth 3000 vjet më parë)
zogjtë
e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që
kalojnë nëpër shtigjet e detit.
Matthew
Maury (1806-1873) që konsiderohet si “ati i oqeanografisë”
zbuloi rrymat detare dhe oqeanike pasi lexoi këtë
varg nga Bibla. Shtigjet e detit, i referohet rrymave të
caktuara në dete dhe oqeane. Këto rryma sot shfrytëzohen
nga njerëzit për qëllime lundrimi, studimi
të lëvizjes së peshqeve, temperaturat e deteve
dhe oqeanëve, etj.
Amos
9:6 (shkruar rreth 2600 vjet para Krishtit)
Ai
thërret ujërat e detit dhe i derdh mbi faqen e dheut;
emri i tij është Zoti.
Këtu
flitet për proçesin e avullimit dhe kondensimit
të ujërave, për ciklin e qarkullimit të
ujit në natyrë, avullimin e ujërave të
deteve, oqeanëve etj, dhe kthimin në Tokë në
formën e shiut. Patjetër që ne e dimë
këtë tani, por kur u shkruajt ky varg s’e kishte
idenë njeri.
Zanafilla 1:1 (shkruar rreth 3500 vjet më parë)
Në
fillim Perëndia krijoi qiejtë dhe Tokën.
Nuk
duket shumë thënie shkencore apo jo? Ky është
vargu i parë në Bibël! Me këtë varg
fillon Fjala e Perëndisë për njerëzit.
Në këtë varg përfshihen parimet bazë
të krijimit që shkenca kupton sot. Le t’i shohim
ato një nga një:
Koha:
Në fillim
Burimi i energjisë: Perëndia krijoi
Hapësira: qiejtë
Lënda: Tokën
Këto
janë katër elementet bazë të çdo
krijimi. Në qoftë se doni të bëni diçka,
çfarëdo gjëje qoftë, zgjidhni vetë
një shembull, provojeni një herë ta bëni
pa ndonjë nga këto elemente. Nuk po them të
jetë gjë e komplikuar, le të themi, për
hatër të ilustrimit, se doni të bëni një
byrek (edhe meqe mua më pëlqen byreku).
Së pari kjo gjë do të ndodhë në kohë,
dmth, në një kohë të caktuar, a e bëni
dot byrekun jashtë këtij parametri? Padyshim që
jo, çdo krijim, kërkon kohën.
Së dyti, provoni të bëni këtë pa
energji. Hajde, hajde, provoje. Nëse beson se i gjithë
universi u krijua nga rastësia, atëherë padyshim
mund të bëhet një byrek nga rastësia.
Ju mund të thoni se universit iu deshën miliarda
vjet që të bëhej! Ok, le ta lëmë
byrekun disa vjet në tavolinë, e të shohim
nëse do bëhet vetë. Prit, se s’kemi mbaruar
akoma!
Së treti, provoni ta bëni byrekun në vakum!
Provoje! Nuk thashë në ajër, sepse ajri është
hapësira që Zoti krijoi, por në vakum, le të
shohim sa e lehtë është kjo për t'u bërë!
Së katërti, provoni ta bëni byrekun pa asnjë
lëndë, dmth, pa miell, vezë, niseshte, djathë,
mish, spinaq, dhe çdo gjë tjetër që
mund t’i hidhet një byreku. E bëni dot? Po nëse
ju japim 1,000,000 vjet duke pretenduar që jetoni aq
gjatë, a do ndryshojë gjë kjo? Evolucionistët
i shtojnë ato zerot pas një numri sikur të
bëhet fjalë për pleshta, apo sikur kjo do ndryshojë
ndonjë gjë? Çfarë ndryshimi do të
kishte nëse ne ju japim 10 apo 20 apo 1,000,000 vjet
të tjera të bëni byrekun tuaj pa asnjë
nga 4 elementët kryesorë të krijimit? Asnjë
ndryshim, nuk e bëni dot për 1 vit apo për
1,000,000,000,000 vjet! Shtoni sa zero të doni nga mbrapa,
ajo s’do ndryshojë asgjë.
Vargu
i parë në Bibël, shpjegon qartë se ai
që krijoi universin, i di mirë ato që kërkohen
për krijimin e tij, dhe Ai i jep të tëra elementët
që në vargun e parë. Ky nuk është
besim i verbër, këto janë fakte. Jo me kot
Bibla thote tek 1Timoteut 6:20 "Ruhu nga kundërshtimet
e asaj që në mënyrë të rreme quhet
shkencë". Shkenca e vërtetë nuk bie në
kundërshtim me Biblën, dhe nuk ka si të bjerë
në kundërshtim, pasi krijuesi i universit, i ligjeve
shkencore dhe natyrore është Ai që na dha Biblën
si Fjalën e tij për njerëzimin.
Në përfundim, këtu kemi paraqitur një
listë nga vargjet në Bibël që shfaqin
qartë fakte shkencore, që shkenca i zbuloi mijëra
vjet pasi ishin shkruar në Bibël. A janë këto
të mjaftueshme për t’i mbushur mendjen një
njeriu që ka një Zot dhe Bibla është fjala
e tij? Padyshim që jo. Siç e kemi shprehur disa
herë në artikujt tonë në këtë
website, vendimi që një njeri të besojë
në Zot dhe në Fjalën e tij Biblën nuk
qëndron në faktet, në mungesën apo bollshmërinë
e tyre. E gjitha ka të bëjë me zemrën.
Ka plot njerëz që lexojnë një artikull
të tillë dhe thonë: “e po ku e di unë
që këto nuk u shkruan pasi shkenca i zbuloi ato”,
edhe refuzojnë çdo pikë drite që u paraqitet
dhe vazhdojnë të ecin në errësirë.
Kjo nuk ka të bëjë me faktet, kjo ka të
bëjë me zemrën e tyre që është
e ngurtësuar dhe krenare, atëherë derisa dikush
të vendosë që do të besojë të
vërtetën, pavarësisht nëse konfirmon ose
kundërshton atë që besojnë ata, nuk ka
asnjë gjë që një njeri mund të bëjë
për ata, sepse ata vetë e kanë mbyllur zemrën
ndaj së vërtetës.
1Korintasve
14:38 thotë:
Dhe
nëse dikush është i paditur, le të jetë
i paditur.
Nëse
keni lexuar artikujt në këtë website, të
dashur vizitorë, nuk jeni aspak të paditur për
Biblën apo gjërat shpirtërore, të paktën
për gjërat themelore, por nëse dëshironi
të jeni të paditur, siç thotë qartë
vargu më sipër, atëherë përgjegjësia
bie mbi ju. Lutja dhe dëshira jonë është
që ju të shikoni dhe të pranoni të vërtetën
e prezantuar këtu. Nëse mendoni ndryshe, ju inkurajojmë
që të paktën t’i merrni këto çështje
seriozisht duke ju kushtuar vëmendjen dhe studimin që
meritojnë për tema të tilla me ndikim të
madh në jetën e njerëzve. Zoti ju bekoftë.