Në
këtë artikull ne do të shikojmë se çfarë
thotë Bibla në lidhje me këtë pyetje. Njerëzit
kanë ide të ndryshme në lidhje me këtë
çështje, dhe nëse do të bazoheshim te
çfarë njerëzit thonë, mendimi ynë
do të ishte një më tepër se i të
tjerëve, prandaj më mirë do të shohim
se çfarë thotë vetë Zoti për këtë
në Fjalën e Tij.
Sipas
Biblës, së pari duhet të pranosh se ke mëkatuar
kundër Perëndisë dhe për shkak të
mëkateve ti meriton dënimin në ferr (Romakët
3:23, Zbulesa 21:8). Nqs dikush nuk bie dakort me këtë
pikë, atëherë ai njeri nuk mund të shpëtohet,
sepse ai nuk e sheh nevojën për një shpëtimtar. Tek
Romakët 3:23 thuhet se “të gjithë kanë
mëkatuar”, prandaj çdo njeri duhet të vendosë
nëse do të besojnë këtë apo jo. Nëse
dikush nuk beson këtë, nuk ka pse të besojë
pjesën tjetër të Biblës.
Së
dyti duhet të kuptosh që ti nuk e shpëton dot
vetveten, pavarësisht nga përpjekjet e tua. Arsyeja
është e thjeshtë: standarti që Perëndia
kërkon që një njeri të shkojë në
Parajsë është 100% shenjtërim, pra shumë
i vështirë (i pamundur në fakt) që ndonjë
njeri ta arrijë (Zbulesa 21:27). Kur dikush kupton
dhe beson këto dy pika, atëherë, kupton gjithashtu
që ka nevojë për një shpëtimtar. Perëndia
(më mirë se çdokush tjetër) e dinte
këtë, prandaj siguroi një shpëtimtar për
ne, Jezus Krishtin. Romakët 5:8 thotë: “Por
Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në
atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti
vdiq për ne”. Jezusi nuk është një shtesë
(apo pjesë) e rrugës për në Parajsë,
Ai është vetë rruga, dhe nuk ka rrugë
tjetër. Tek Veprat 4:12 duke folur për Jezusin
Bibla thotë: “Dhe në asjë tjetër
nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër
nën qiell që u është dhënë njerëzve
dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi”. A
mund të thuhet më qartë se kaq ? Për
shumë njerëz, të pranosh Jezusin do të
thotë, ti shtojnë jetës së tyre diçka
në lidhje me Perëndinë ose Jezusin, psh të
shkojnë në kishë (me raste festash), apo të
bëjnë kryqin, apo të pagezohen, apo gjëra
të tjera si këto, por kjo është larg kuptimit
që Bibla përkufizon për ne se çdo të
thotë të pranosh Jezusin. Tek Galatasit 2:21
Bibla thotë: “Unë nuk e hedh poshtë hirin
e Perëndisë sepse, në qoftë se drejtësia
vjen me anë të ligjit, atëherë Krishti
ka vdekur më kot”. Pra ky varg thotë qartë,
se nëse ne mund të shkonim në parajsë
duke zbatuar disa gjëra të caktuara (bëj këtë,
mos bëj atë, dmth nje ligj të caktuar), atëherë
Jezusi paska vdekur më kot, sepse unë mund të
shkoja në parajsë edhe pa të, por padyshim
që Jezusi vdiq në kryq duke marrë dënimin
nga Perëndia në vendin tonë, sikur ai të
kishte bërë të tëra mëkatet tona,
me qëllim që ne të shpëtonim. Kjo
nuk do të thotë që automatikisht çdo
njeri do të shkojë në Parajsë, sepse Perëndia
nuk i ka bërë njerëzit si robotë, ata
kanë mundësi të zgjedhin, por i dashur lexues
mba mend që zgjedhjet që ne bëjmë kanë
gjithmonë një pasojë, për të mirë
ose për të keq. Zoti na e jep jetën e
përjetshme falas, është një dhuratë
për ne, që kjo dhuratë të bëhet e
jona, ne duhet që thjesht ta zgjasim dorën dhe ta
pranojmë atë. Kjo dhuratë është
vetë Jezusi. Kur ju e kuptoni dhe besoni se Jezusi
vdiq për ju personalisht dhe ju do shumë, dhe do
që ju të shpëtoheni dhe te keni jetën
e përjetshme, kur vendosni besimin tuaj me gjithë
zemër pa hezitim tek Jezusi, atëherë jeni gati
për ta ftuar atë të vijë në zemrën
tuaj dhe t’ju shpëtojë. Kjo do të thotë
të pranosh Jezus Krishtin. Ai bëhet jeta juaj,
jo një shtesë e jetës suaj. Nëse
kjo është dëshira juaj, ajo që ju ngelet
tani është thjesht një lutje shpëtimi,
ku ju i drejtoheni Perëndisë dhe pendoheni për
mëkatet tuaja dhe e ftoni Jezusin të vijë në
zemrën tuaj dhe t’ju falë çdo mëkat
e t’ju japë jetën e përjetshme. Nëse
ju e dëshironi këtë, atëherë më
poshtë po paraqesim një lutje që ju mund t’i
drejtoni Perëndisë për shpëtim. Kjo
lutje është thjesht një model, mos e mësoni
atë përmendësh, mos harroni se Zoti shikon
zemrën tuaj, dhe jo renditjen e fjalëve, por nëse
nuk jeni të sigurt se si të luteni, atëherë
mund të bëni këtë lutje:
Ati
ynë qiellor, unë e di që jam një mëkatar
dhe që për shkak të mëkateve të mija
meritoj dënimin në ferr. Por faleminderit o
Zot që me deshe kaq shumë saqë dërgove
Jezus Krishtin për mua. Unë besoj se Ti, Zoti Jezus
vdiqe në kryq për mua dhe tani pendohem para teje
për çdo mëkat dhe të ftoj ty të
vish në zemrën time, të më falësh
çdo mëkat dhe të më japësh jetën
e përjetshme. Faleminderit që më shpëtove. Amen
!
Nëse
ju e bëtë këtë lutje me gjithë zemër,
ne do të dëshironim të gëzoheshim bashkë
me ju për këtë vendim kaq të rëndësishëm. Nëse
doni që ta ndani këtë gëzim bashkë
me ne, atëherë na dërgoni një email, dhe
na thoni për vendimin tuaj. Na
shkruani tek kontakt@albavizion.com.
Zoti ju bekoftë.