Kjo
është vërtetë një pyetje e mirë
që shumë njerëz e bëjnë shpesh. Atëherë
meqë kjo kërkon vëmendje të veçantë,
ne do t'ja kushtojmë këtë vëmendje me
përgjigje të saktë.
Është
mjaft e vërtetë që nëse Perëndia
do e kishte krijuar Adamin dhe Evën pa patur mundësi
për të mëkatuar, atëherë sot nuk
do të kishte mëkat në botë. Në fakt,
kjo ishte dëshira e Perëndisë, që të
mos kishte mëkat në botë, në fund të
fundit Ai i tha Adamit që të mos mëkatonin.
Po pse ja dha atë mundësi atëherë?
Padyshim
pyetjet që fillojnë me “PSE”, sidomos kur bëhet
fjalë për Zotin janë të vështira
për t'ju përgjigjur, sepse Zoti është
më i madh se ne, dhe shpesh herë mund të mos
e dimë PSE-në. Megjithatë, duke parë Biblën,
dhe parimet që janë vendosur aty mund të themi
këto gjëra për pyetjen në fjalë.
Së
pari, Perëndia e krijoi njeriun si një qënie
me vullnet të lirë, pra jo si një robot. Njerëzit
kanë krijuar mjaft objekte, por të gjitha ato janë
të kushtëzuara nga mënyra sesi njeriu i ka
krijuar. P.sh, kompjuteri është një objekt
i komplikuar që njeriu ka krijuar, por një kompjuter
nuk mund të zgjedhë vetë se çfarë
do të bëjë sot, ai do të bëjë
(nëse punon tamam) ate që është dizenjuar
për të bërë, pra nuk ka vullnet të
lirë. Kjo është e vërtetë, për
makinat, makineritë, apo çdo gjë tjetër
që njeriu ka krijuar. Pra në krijim, Perëndia
gjykoi që ta krijonte njeriun me vullnet të lirë,
t'i jepte atij mundësinë të zgjidhte. Padyshim
ne shikojmë në kaptujt e parë të Zanafillës,
se Perëndia i tregoi njeriut të mirën dhe të
keqen, pra çfarë duhet të bënte dhe
çfarë nuk duhet të bënte. A mund ta
gjykojmë ne Perëndinë pse na dha një vullnet
të lirë? Padyshim që jo. Në qoftë
se ju bëni një enë për zbukurim, mos vallë
ka të drejtë ena t'ju kërkojë llogari
juve pse e bëtë ashtu? Pra, kjo pikë është
e rëndësishme, Zoti nuk dëshiron që ne
të jemi robotë, që thjesht të bëjmë
atë që do Ai. Ai na ka dhënë mundësinë
për të zgjedhur, duke na bërë të
qartë bekimet që ndjekin bindjen ndaj Fjalës
së Tij, dhe pasojat që ndjekin rrebelimin ndaj Fjalës
së Tij.
Përveç
dëshirës për t'i krijuar njerëzit të
lirë, ka një arsye tjetër më të madhe
pse Perëndia i dha njerëzve mundësinë
për të zgjedhur kundër asaj që Ai dëshironte.
Kjo ka të bëjë me mundësinë që
krijesa ka për të shfaqur dashuri ndaj Perëndisë.
Nëse Adami dhe Eva nuk do të kishin mundësi
për të zgjedhur ndryshe nga ajo që Perëndia
donte, atëherë ata jo vetëm që do të
ishin robotë dhe jo njerëz, por gjithashtu nuk do
të mund të shfaqnin dashuri dhe mirënjohje
ndaj Perëndisë. Ju mund të debatoni se Perëndia
mund t'i kishte krijuar që ata ta donin Atë, por
kjo në vetvete nuk përbën dashuri, sepse ata
do të ishin “programuar” për të bërë
një gjë të tillë.
Mundësia
për të zgjedhur të kundërtën e asaj
që Perëndia dëshironte, por me vullnet të
lirë zgjedh t'i bindesh Atij, të jep aftësinë
për të shfaqur dashuri ndaj krijuesit. Meqënëse
Adami dhe Eva e dinin mirë që Zoti nuk donte që
ata të mëkatonin, në qoftë se ata do të
kishin zgjedhur për t'ju bindur Atij, atëherë
ata do të tregonin dashurinë dhe adhurimin e tyre
ndaj Perëndisë, duke e ditur mirë se po të
donin mund të mekatonin, por nga dashuria për krijuesin
e tyre, do zgjidhnin që të mos mëkatonin.
Për
këto dy arsye (përveç ndonjë tjetre)
Perëndia i dha atyre mundësinë që të
zgjidhnin kundër vullnetit të tij, dhe ata bënë
pikerisht atë. Në fund të fundit njerëzit
dëshirojnë që të jenë të lirë
dhe të vendosin vet, pavarësisht nga pasojat. A
nuk është kjo e vërtetë? E rreflektuar
në botë, ky parim ka të bëjë me lirinë
e besimit, jo vetëm fetare, por edhe politike, sociale,
etj. Cili sistem ju duket më i drejtë, ai diktatorial,
ku qeveria i thotë njerëzve se çfarë
të besojnë dhe çfarë të mos besojnë
apo bëjnë, apo një sistem pluralist ku njerëzit
nxiten të mendojnë për veten e tyre dhe të
vendosin vetë se cila është e drejta dhe çfarë
do të bëjnë. Besoj se shqiptaret i kanë
parë frytet e mendimit monist dhe pasojat që ai
sistem sjell.
Njerëzit
edhe sot kanë mundësinë për të zgjedhur.
Çështja më e rëndësishme për
të cilën njerëzit zgjedhin sot, është
përjetësia e tyre. Perëndia ka krijuar një
rrugë që njerëzit të pranojnë faljen
e mëkateve që Ai ka siguruar nga dashuria për
ne. Kjo rrugë është nëpërmjet Jezus
Krishtit. Njerëzit nuk mund të fajësojnë
Zotin për prezencën e mëkatit në botë,
sepse kjo ishte zgjedhja e tyre jo e Zotit, për më
tepër Zoti siguroi një rrugë që njerëzit
të shpëtojnë nga këto mëkate dhe
të mos marrin dënimin që këto mëkate
sjellin në përjetësi. Pyetja që mbetet
për ju i dashur lexues është: A e keni pranuar
ju Jezus Krishtin? Perëndia ju do, dhe dëshiron
që ju të bëni zgjidhjen e drejtë. Megjithatë
kjo është në dorën tuaj. Zoti nuk do t'ju
detyrojë ta bëni këtë gjë, por nga
ana tjetër paralajmëron për pasojat nëse
një njeri refuzon rrugën që Zoti ka zgjedhur
për shpëtim. Lutja jonë është që
ju ta merrni këtë vendim sot nëse akoma se
keni marrë. Zoti ju bekoftë.