Është
e padiskutueshme që pavarësisht se çfarë
beson një njeri në lidhje me Jezus Krishtin, ai
është njeriu më i famshëm në botë.
John Lennon, anëtar i grupit “The Beatles” tha në
vitin 1966 se “Ne tani jemi më të famshëm se
Jezusi” dhe “Krishtërimi do të kalojë, do të
zhduket dhe zvogëlohet. Nuk kam nevojë të debatoj
për këtë. Unë kam të drejtë
dhe kjo do të provohet” (Newsweek, 21 Mars, 1966). Kjo
ngjalli një pakënaqësi të madhe sidomos
në Amerikë, protesta dhe bojkotime të albumeve
të Beatles, gjë që e detyroi John Lennon të
dalë në televizor dhe të lëpinte çdo
gjë që kishte vjellë. Vras mendjen çfarë
mendon John Lennon tani? E di, e di që ka vdekur, por
trupi i tij ka vdekur, shpirti i tij nuk ka vdekur. Një
ditë ai do të dalë përballë Jezus
Krishtit vetë dhe do të ketë mundësi të
shfaqë famën e tij!
Është qesharake dhe idiotike të thuash që
Beatles ishin më të famshëm se Jezus Krishti.
Doni t’i krahasojmë? Ok, le ta provojmë. 2000 vjet
pas lindjes së Krishtit, ai adhurohet çdo ditë
të javës nga të gjithë popujt e botës.
2000 vjet pas lindjes së tij njerëzit kanë
shkruar dhjetëra mijëra këngë adhurimi
ndaj tij që këndohen në çdo gjuhë
të botës. Sa këngë janë shkruar për
Beatles? Sa veta mblidhen çdo të Dielë në
të gjithë botën dhe këndojnë këngë
për Beatles? Edhe sot ka pak veta që akoma dëgjojnë
këngët e tyre, por pas 200 vjetësh Beatles
do gjenden vetëm në librat e historisë! Krishtërimi
ka rezistuar 2000 vjet histori dhe vazhdon të qëndrojë.
Nuk ka asnjë njeri që mund të pretendojë
të qëndrojë para Krishtit e të krahasohet
me të. Tek Gjoni 8:46 Jezusi u tha dëgjuesve të
tij: “Cili nga ju më bind për mëkat? Nëse
flas të vërtetën përse nuk më besoni?”
Çfarë shprehje! Cili nga ju më bind për
mëkat?! Nëse unë do ta thoja këtë
gjë do ishin të paktën 1000 gishtërinj
të drejtuar ndaj meje për mëkatet e mia, kurse
Jezusi i sfidon ata që e kundërshtonin duke i ftuar
të gjenin një mëkat në jetën e tij
dhe askush nuk e bëri dot. Cili njeri tjetër mund
të bënte një sfidë të tillë?
Cili ishte ky njeri që është figura më
e debatueshme në gjithë historinë e njerëzimit?
Hipotezat janë po aq të shumta sa edhe kundërshtarët
e tij. Disa e shohin Jezusin si një filozof, disa të
tjerë si një profet të Zotit, disa si një
të çmendur, disa si një gënjeshtar,
të tjerë e pranojnë atë si një krijesë
të Perëndisë, të tjerë thonë
që ai ishte Perëndia vetë i shfaqur në
mish, disa thonë, duke shfaqur paditurinë dhe injorancën
e tyre për faktet historike, se ai nuk ka egzistuar fare,
është thjesht një përrallë e sajuar.
Atëherë ku ta dimë se kush është
Jezus Krishti? Kush mund të na tregojë më mirë
sesa vetë thëniet e tij për vetveten se kush
ishte ai. Nëse burimi i informacionit për të
marrë një vendim se kush ishte Jezus Krishti nuk
është Bibla, atëherë njerëzit do
vendosin të besojnë çfarë duan ata të
besojnë për Jezusin. Nëse ju e refuzoni Biblën
si fjalën e Perëndisë, atëherë nuk
keni si te dini se kush është Jezus Krishti. Në
qoftë se refuzoni dëshminë e njerëzve
që ecën me të, jetuan me të, panë
mrekullitë që bëri Ai, dhe dhanë edhe
jetët e tyre për Atë, atëherë nga
mund ta dini të vërtetën? Ju padyshim që
keni lirinë që ta refuzoni Biblën si Fjalën
e Zotit, por të paktën nuk mund të thoni që
Bibla nuk thotë gjëkundi që Jezusi ishte vetë
Perëndia i shfaqur në mish, ashtu siç pretendojnë
mjaft njerëz. Por nëse dëshironi të dini
nga Bibla se kush është Jezus Krishti atëherë
le të shikojmë këtë në hollësi.
Bibla
thotë se Jezusi është Perëndia vetë
i shfaqur në mish:
1
Timoteut 3:16
Dhe s`ka asnjë dyshim se misteri i mëshirës
është i madh: Perëndia u shfaq në mish,
u shfajësua në Frymë, u duk ndër engjëj,
u predikua ndër johebrenj, u besua në botë,
u ngrit në lavdi.
Lexoni
vargun më lart dhe shikoni nëse vargu nuk thotë
që Jezusi është Perëndia i shfaqur në
mish. E theksojmë këtë, sepse mjaft njerëzve
u ngrihen qimet përpjetë kur dëgjojnë
një gjë të tillë. Nëse ju nuk e pranoni
këtë, kjo do të thotë se nuk e besoni
Biblën, sepse po ta besonit, vargu e thotë këtë
qartë.
Tani,
disa gjëra duhen theksuar në lidhje me këtë
varg. Së pari, vargu thotë që ky është
një mister, jo sepse nuk e di njeri, por sepse vetëm
ata që e besojnë atë, mund ta dinë këtë
mister. Së dyti, vargu tregon qartë, se ky mister
është i madh, dmth, ka disa gjëra që nuk
mund t'i kuptojmë në lidhje me këtë mister.
Së treti, siç e theksuam më lart, vargu thotë
që Perëndia u shfaq në mish. Le ta shpjegojmë
këtë më qartë. Perëndia u shfaq në
mish, do të thotë që Jezusi pati një formë
trupore si të gjithë njerëzit e tjerë.
Pra, Jezusi kishte dy natyra, ai ishte 100% njeri, dhe 100%
Perëndi. Si njeri, Jezusi hante, flinte, u lodh, pati
etje, vdiq në kryq. Si Perëndi, Jezusi, fali mëkatet
e njerëzve, bëri mrekulli të pabëra më
parë, pranoi adhurimet e njerëzve, shpëtoi
njerëzit nga dënimi në ferr për mëkatet
e tyre, etj. E theksojmë këtë dallim dhe natyrën
e dyfishtë të Jezusit, sepse të gjithë
ata që nuk besojnë se Jezusi është Zot,
gjejnë ato vargje që flasin për anën njerëzore
të Jezusit dhe debatojnë që ai nuk ishte Zot.
Midis këtyre grupeve përmendim Muslimanët,
Dëshmitarët e Jehovait, dhe Mormonët. Nëse
kupton faktin që Ai ishte 100% njeri dhe 100% Perëndi,
atëherë nuk ka problem për t'i shpjeguar ato
vargje. Megjithatë, akti i shfaqjes së Perëndisë
në mish, siç thotë vargu më sipër,
është mister, ne si njerëz nuk mund ta kuptojmë
plotësisht. Por kjo nuk do të thotë që
nuk është i vërtetë.
Le
te shikojmë një pasazh tjetër të ngjashëm:
Gjoni
1:1,3,14
Në
fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë,
dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim
me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë
me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë
asnjë nga ato që u bënë. Dhe Fjala u bë
mish dhe banoi ndër ne …
Jezusi
në Bibël referohet me mjaft epitete të ndryshme.
Këtu Ai quhet Fjala. Duket qartë në vargun
1 që flitet për vetë Perëndinë, ashtu
si në vargun 3 ku shpjegohet që flitet për
Perëndinë, sepse Ai krijoi gjithçka. Në
vargun 14, thuhet që Fjala (Perëndia, pra) u bë
mish dhe banoi ndër ne.
Këtu
thuhet shumë qartë që Perëndia që
krijoi gjithçka (v1,3) u bë mish dhe banoi ndër
ne, (v.14) dhe nëse ka ndonjë dyshim se për
kë flitet lexoni kontekstin (v.10-18).
Isaia
40:3
Zëri i dikujt që bërtet
në shkretëtirë: "Shtroni udhën e
Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë
për Perëndinë tonë.
Mateu 3:3
Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia
kur tha: ``Një zë i atij që bërtet në
shkretëtirë: "Përgatitni udhën e
Zotit, drejtoni shtigjet e tij"``.
Libri
i Isaia-s u shkrua rreth 700 vjet para Krishtit, dhe në
profecinë e tij, ai flet për ardhjen e Perëndisë.
Tek Mateu 3, Gjon Pagëzori, i referohet kësaj profecie
duke thënë qartë që ajo profeci po flet
për Jezusin. A nuk është kjo e qartë që
Jezusi është vetë Perëndia?
Isaia 9:5
Sepse na ka lindur një fëmijë,
një djalë na është dhënë. Mbi
supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të
quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm,
Atë i përjetshëm, Princ i paqes.
Këtu
jepet një profeci tjetër, në lidhje me lindjen
e Jezusit. Për të sqaruar më tej se kush ishte
ky fëmijë që lindi në Betlehem, Isaia
tregon cilësitë e tij, duke e quajtur atë,
Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm.
Vargje të tillë i bëjnë mjaft njerëz
që t'u ngrihen qimet përpjetë, sepse nga që
s'duan të besojnë se cili është Jezusi,
i vjen inat që vargje të tilla egzistojnë,
dhe patjetër do gjejnë një justifikim për
t'i refuzuar disi.
Isaia 7:14
Prandaj vet Zoti do t`ju japë një
shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë
dhe do të lindë një fëmijë të
cilin do ta quajë Emanuel.
Mateu1:23
``Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë
dhe do të lindë një djalë, të cilit
do t`i venë emrin Emanuel, që do të thotë:
"Zoti me ne".
Më
shqip nuk thuhet. Emanuel, emri që vetë Zoti lajmëroi
që ta quanin Jezusin, do të thotë (lexoje)
“Zoti me ne”.
Osea 1:7
Përkundrazi do të kem dhembshuri
për shtëpinë e Judës dhe do t`i shpëtoj
me anë të Zotit, Perëndisë së tyre;
nuk do t`i shpëtoj me harkun as me shpatën apo me
betejën, as me kuajt ose me kalorësit".
Titi 2:13
duke pritur shpresën e lume dhe
të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi
dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.
Tek
Osea është Zoti që do të jetë shpëtimtari
i njerëzve, por tek Titi thuhet që i vetmi shpëtimtar
është Jezus Krishti. Si mundet të dyja të
jenë të vërteta nëse nuk flitet për
të njëjtin person?
1 Korintasve 15:47
Njeriu i parë i bërë
prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë
është Zoti nga qielli.
Që
kur qënka Zoti nga qielli bërë njeri? Vargu
(lexo kontekstin) po flet qartë për Jezusin.
Veprat 20:28
Tregoni kujdes, pra, për veten
tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të
së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë
ju kujdestarë që të kullotni kishën e
Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me
gjakun e tij.
Këtu
thuhet që Perëndia e fitoi kishën me gjakun
e vet. Po pse paska gjak Perëndia? Patjetër që
po flitet për Jezusin dhe gjakun që ai derdhi në
kryq. Si mundet të refuzojë një njeri i ndershëm
vargje të tilla dhe të thotë që Bibla
nuk thotë se Jezusi është vetë Perëndia?
Marku 2:7
``Pse vallë ky po flet blasfemi.
Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë
vetë?``.
Shumë
prej njerëzve që panë dhe dëgjuan Jezusin,
thanë gjëra të ngjashme me këtë varg.
Padyshim që Jezusi nuk po blasfemonte, por ai i fali
mëkatet pikërisht sepse ishte vetë Perëndia.
Këtu s'ka asgjë për t'u çuditur.
1 Mbretërve 8:39
ti dëgjoje nga qielli, nga vendbanimi
yt, dhe fal, ndërhy dhe jepi secilit sipas sjelljes së
tij, ti që njeh zemrën e secilit; (në të
vërtetë vetëm ti ua njeh zemrën gjithë
bijve të njerëzve),
Ezekieli 11:5
Pastaj Fryma e Zotit ra mbi mua dhe
më tha: "Thuaj: Kështu thotë Zoti: Ju
thoni kështu, o shtëpi e Izraelit, dhe unë
i njoh gjërat që ju shkojnë në mend.
Luka 5:22
Por Jezusi, duke i njohur mendimet e
tyre, e mori fjalën dhe tha: ``Ç`po arsyetoni
në zemrat tuaja?
Gjoni 2:24-25
por Jezusi nuk u zinte besë atyre,
sepse i njihte të gjithë, dhe sepse nuk kishte nevojë
që ndokush të jepte dëshmi për njeriun,
sepse ai e dinte ç`kishte përbrenda njeriut.
A nuk thuhet qartë që vetëm Zoti mund ta dijë
se çfarë kanë njerëzit në zemër
dhe çfarë mendojnë ata? Por nga ana tjetër,
vargjet e fundit tregojnë që Jezusi kishte këto
aftësi. A është kjo një kontradiktë?
Aspak, Jezusi është vetë Perëndia i shfaqur
në mish, për çdo njeri që di të
lexojë.
Psalmi 97:9
Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti
mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë
mbi gjithë perënditë e tjera.
Gjoni 3:31
Ai që vjen nga lart është
përmbi të gjithë; ai që vjen nga dheu
është nga dheu dhe flet për dheun; ai që
vjen nga qielli është përmbi të gjithë.
Ja
që Zoti qëndron mbi të gjithë ata që
njerëzit i quajnë Perëndi (Zeusi, Allahu, Baali,
mendja e njeriut, shkenca, paraja, etj). Dhe ky Zot, që
është përmbi të gjithë, është
Ai që erdhi nga qielli në Tokë, Jezus Krishti.
Isaia 44:6
Kështu thotë Zoti, mbreti
i Izraelit dhe Çliruesi i tij, Zoti i ushtrive: "Unë
jam i pari dhe jam i fundit, dhe përveç meje nuk
ka Perëndi.
Zbulesa 1:17,18
Dhe kur e pashë, rashë para
këmbëve të tij si i vdekur. Dhe ai vuri dorën
e tij të djathtë mbi mua, duke më thënë:
``Mos u tremb! Unë jam i pari dhe i fundit, dhe i gjalli;
isha i vdekur, por ja, jam i gjallë në shekuj të
shekujve, amen.
Zbulesa 22:13
Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi
dhe mbarimi, i pari dhe i fundit``.
Shikoni
sa qartë është thënë. Zoti thotë
që Ai është i pari dhe i fundit, dhe përveç
Atij nuk ka Perëndi tjetër. Nga ana tjetër,
Jezusi tha që Ai ishte i pari dhe i fundit, dhe si i
tillë, i vetmi Perëndi.
Isaia
6:1-3
Në vitin e vdekjes së mbretit
Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një
fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit
të tij mbushnin tempullin. Mbi të ishin serafinët;
secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte
fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe
me dy fluturonte. Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte:
"I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është
Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot
me lavdinë e tij".
Gjoni 12:41
Këto gjëra tha Isaia, kur
e pa lavdinë e tij dhe foli për të.
Tek Isaia 6 thuhet që profeti Isaia pa Zotin të
ulur në fronin e Tij. Tek Gjoni 12:41 thuhet që
Isaia po fliste për Jezusin, kur pa lavdinë e tij.
Cili është ai njeri që ka kaluar klasën
e dytë fillore dhe di të lexoje këto vargje,
që të mos kuptojë, se Jezusi është
Zoti i gjithësisë? Të gjithë ata që
e kanë zemrën të mbyllur.
Joeli
2:32
Dhe do të ndodhë që kushdo që do t`i drejtohet
emrit të Zotit do të shpëtojë, sepse në
malin Sion dhe në Jeruzalem do të ketë shpëtim,
siç e ka thënë Zoti, edhe për ata që
kanë mbetur gjallë dhe që Zoti do t`i thërrasë".
Romaket 10:9,10,13
sepse, po të rrëfesh me gojën
tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën
tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish,
do të shpëtohesh. Sepse me zemër, njeriu beson
në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim
për shpëtim, Në fakt: ``Kushdo që do ta
thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet``.
Citimi nga Romakët 10 ka të bëjë me Jezusin
(lexo vargjet më lart) dhe është një citim
direkt nga Dhjata e Vjetër, ku thuhet qartë që
po flitet për Zotin. Nëse Jezusi nuk është
Zot, atëherë si shpjegohen vargjet e mësipërme?
Predikuesi 12:14
Sepse Perëndia do të vërë
të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë
që është fshehur, qoftë e mirë apo
e keqe.
2Timoteut 4:1
Po të përbej, pra, përpara
Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për
të gjykuar të gjallë e të vdekur, në
dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij:
2Korintasve5:10
Sepse ne të gjithë duhet të
dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin
e gjërave që ka bërë me anë të
trupit, në bazë të asaj që ka bërë,
qoftë në të mirën apo në të
keqen.
Tek
Predikuesi 12 thuhet që Perëndia do të gjykojë
njerëzit për çdo gjë që kanë
bërë, por tek 2Korintasve thuhet që Jezusi
është Ai që do t'i gjykojë. Pra është
e qartë që Jezusi është vetë Perëndia.
1Samuelit 2:2
Nuk ka asnjë të shenjtë
si Zoti, sepse nuk ka asnjë tjetër veç teje,
nuk ka asnjë shkëmb si Perëndia ynë.
Veprat 3:14
Por ju e mohuat të Shenjtin, të
Drejtin, dhe kërkuat që t`ju jepej një vrasës.
1Samuelit
thotë që asnjë nuk është i shenjtë
si Zoti, dhe tek Veprat e Apostujve, duke folur për Jezusin
thuhet, se Ai është i Shenjti (në trajtën
e shquar).
Zanafilla 1:1
Në fillim Perëndia krijoi
qiejt dhe tokën.
Nehemia 9:6
Vetëm ti je Zoti! Ti ke bërë qiejtë, qiejtë
e qiejve dhe tërë ushtrinë e tyre, dheun dhe
tërë ato që qëndrojnë mbi të,
detet dhe gjithçka që është në
ta. Ti i mban gjallë tërë këto gjëra
dhe ushtria e qiejve të adhuron.
Gjoni 1:3
Të gjitha gjërat u bënë
me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë
asnjë nga ato që u bënë.
Kolosianeve 1:16
sepse në të u krijuan të
gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe
ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk
duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të
gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij
dhe në lidhje me të.
Perëndia është krijuesi i gjithë universit,
dhe ky Perëndi është vetë Jezus Krishti,
sipas vargjeve të mësipërme.
Të gjitha referencat e dhëna më sipër
thonë qartë që Jezusi është vetë
Perëndia i shfaqur në mish. Këto vargje janë
vetëm një pjesë e vargjeve që vërtetojnë
këtë doktrinë. Pse nuk japim më tepër?
Sepse këto vargje mjaftojnë për çdo
njeri që do të dijë të vërtetën.
Nëse një njeri refuzon vargje të tilla, padyshim
që do refuzojë vargje të tjera. E theksojmë,
që vendimi se cili ishte Jezusi nuk varet nga sa vargje
kemi dhënë apo nuk kemi dhënë këtu,
ne gjykojmë që këto janë të mjaftueshme,
vendimi varet nga qëndrimi dhe zemra e atyre që
lexojnë këtë artikull.
Padyshim
që ky artikull krijon pyetje të tjera. Ne do mundohemi
që të pasurojmë arkivën e artikujve me
ato pyetje që bëhen me shpesh, apo që kanë
më interes. Nëse ju keni një pyetje, ju lutem
na shkruani dhe ne do t'ju japim përgjigjen me kënaqësi.
Çfarë
kuptimi ka që Jezusi ishte Perëndia në mish?
Në fund të fundit pse duhet të vinte Perëndia
në formë njeriu?
Një
studim i hollësishëm i Biblës na mëson
që ardhja e Jezusit ishte pjesë e planit të
Perëndisë për shpëtimin e botës nga
mëkatet e tyre. Bibla mëson se të gjithë
njerëzit kanë mëkatuar, dhe për shkak
se Perëndia është i shenjtë, atëherë
njerëzit nuk mund të kenë bashkësi me
Perëndinë. Gjatë Dhjatës së Vjetër
(para ardhjes së Jezusit), Perëndia dha disa rregulla
dhe ligje nëpërmjet kombit të Izraelit. Këto
rregulla tregonin se sa larg ishte njeriu prej shenjtërisë
së Perëndisë. Megjithëse këto ligje
ishin të shenjta, ato nuk u dhanë për shpëtimin
e njerëzve, sepse asnjë njeri nuk ishte në
gjendje që të zbatonte ato rregulla 100%. Njerëzit
atëherë duhet të flijonin mjaft flijime para
Perëndisë (p.sh një qengj), për mëkatet
e tyre, si një dëshmi që ata ishin mëkatarë,
dhe se mëkati kërkon një pagesë. Ato ligje
u dhanë në mënyrë që njerëzit
të kuptonin se ishte e pamundur që ata të arrinin
drejtësinë e Perëndisë me anë të
zbatimit të këtyre ligjeve, sepse standarti që
Perëndia kërkonte ishte shumë i lartë.
Prandaj
Jezusi erdhi në formë njeriu. Ai u lind nga një
virgjëreshë, dhe Ai ishte Njeriu-Perëndi. Ai
ishte i vetmi që jetoi një jetë pa mëkat,
dhe si i tillë, ishte i vetmi që mund të bëhej
ura lidhëse midis Perëndisë dhe njerëzve,
sepse ai ishte 100% njeri dhe 100% Perëndi, dhe ishte
i vetmi pa mëkat. Asnjë njeri nuk mund të vdesë
për mëkatet e dikujt tjetër, sepse ata kanë
mëkatet e tyre. Por meqënëse Jezusi ishte pa
mëkat, atëherë Ai ishte i vetmi që mund
të merrte dënimin e mëkateve të botës
mbi veten e Tij.
Në
këtë pikë shumë njerëz pyesin, pse
duhet të vdiste dikush në fund te fundit? A nuk
mundet Zoti t'i falë mëkatet? Në fund të
fundit vetëm krishtërimi mëson një gjë
të tillë, të gjitha fetë e tjera thonë
që po të bësh më shumë të mira
se të këqija, atëherë Zoti t'i fal ato
mëkate që ke bërë.
Kjo
është pyetje shumë e mirë, por megjithëse
duket sikur është e drejtë në të
vërtetë nuk është ashtu. Çfarë
do të thotë që t'i falë Zoti mëkatet,
që Ai të mbyllë sytë para tyre? Mëkati
duhet dënuar, sepse një Zot i shenjtë nuk mundet
ta lejojë mëkatin të banojë në prezencën
e Tij. Ideja e shumë njerëzve për “faljen e
mëkateve” nga Zoti, nuk ka të bëjë asgjë
me faljen, ajo ka të bëjë me anashkalimin,
dhe Zoti nuk e bën një gjë të tillë.
Dikush duhet të paguajë për mëkatet e
bëra. Tek Galatasve 2:21 Bibla thotë:
Unë nuk e hedh poshtë hirin
e Perëndisë sepse, në qoftë se drejtësia
vjen me anë të ligjit, atëherë Krishti
ka vdekur më kot.
Vargu thotë qartë që nëse ne do të
mund të shkonim në parajsë dhe të fitonim
drejtësinë që Perëndia kërkon që
njerezit të jetojnë në prezencën e Tij
me anë të ligjit, pra zbatimit të disa urdhërimeve
(bëj këtë, mos bëj atë), atëherë,
Krishti ka vdekur kot, sepse ne mund të bënim këtë
pa vdekur ai. Por problemi qëndron në faktin se
Zoti është i Shenjtë dhe nuk toleron dot asnjë
mëkat. Në këtë gjë shfaqet dashuria
e Perëndisë ndaj krijesës së Tij, saqë
Ai erdhi në formë njeriu, dhe mori atë dënim
që të gjithë njerëzit do merrnin në
përjetësi për mëkatet e tyre, dhe në
këtë mënyrë krijoi rrugën e vetme
për shpëtim. Ne nuk themi se kjo është
e vetmja rrugë për shpëtim që të
përçmojmë çdo filozofi tjetër,
por sepse Bibla e mëson këtë. Perëndia
na deshi aq shumë saqë nuk kurseu asgjë për
shpëtimin tonë. E vetmja pjesë që na ngelet
ne, është thjesht që zgjasim dorën dhe
ta pranojmë këtë dhuratë. Ne nuk e meritojmë
dot, prandaj Zoti na e jep si dhuratë. Duke vënë
besimin tonë te ajo që Jezusi bëri në
kryq për ne, dhe duke besuar me gjithë zemër
që Ai vdiq për të paguar për mëkatet
tona, duke iu lutur Atij që të na falë mëkatet,
ne marrim shpëtimin që Perëndia do që
ne të marrim. Perëndia nuk detyron asnjë njeri
që ta marrë një vendim të tillë,
por dëshiron që ne të mos paguajmë vetë
për mëkatet tona, por të pranojmë dashurinë
e tij. A e keni marrë ju këtë vendim? Zoti
ju do dhe ju pret krahë hapur. Zoti ju bekoftë.