Cili është kuptimi i jetës!
 
     

Kjo padyshim nuk është pyetja më e lehtë për t'u përgjigjur. Si mundet një njeri të japi një përkufizim të saktë për kuptimin e jetës, kur sot askush nuk pretendon ta ketë gjetur përgjigjen e saktë! Apo si është e mundur të ketë vetëm një përkufizim për kuptimin e jetës kur kjo varet nga besimi dhe rrethanat e njerëzve, dhe ato gjëra që kanë kuptim për mua, mund të mos kenë kuptim për dikë tjetër, apo jo?

Në fakt ne duam ta trajtojmë këtë çështje në një këndvështrim më të gjerë, që të japim një tablo më të plotë.

Është e vërtetë që për njerëz të ndryshëm kuptimi i jetës është i ndryshëm nga mënyra se si e shikojnë ata. Por ku argument qëndron vetëm atëherë kur dikush beson se në botë nuk ka asgjë absolute. Ne do të debatojmë të kundërtën. P.Sh. për një njeri që beson në evolucionin, kuptimi i jetës mund të jetë: "të hamë të pimë, se nesër do të vdesim"! Dhe ky konkluzion është llogjik për një njeri që beson në evolucion. Nëse njerëzit janë njësoj si kafshët, në qoftë se nuk ka një përjetësi, atëherë përkufizimi i mësipërm duket i drejtë. E sheh, asnjë evolucionist nuk mund të japë një përkufizim global për kuptimin e jetës, sepse nëse dikush beson se universi u krijua nga rastësia, nëse jeta në tokë filloi dhe u zhvillua nga rastësia, nëse e ardhmja e universit është në dorën e rastësisë, shkatërrimi i të cilit është i paevitueshëm sipas ligjit të dytë të Termodinamikës, atëherë, kuptimi i vetëm i jetës është "të gëzojmë për sa kohë që jemi këtu në tokë dhe të bëjmë ç'është e mundur që të jetojmë sa më gjatë". Me fjalë të tjera, kuptimi i jetës është "peshku i madh e ha të voglin", ose ligji i xhunglës": më i forti mbijeton".

Në qoftë se në këtë botë çdo gjë është relative, atëherë kuptimi i jetës është çfarëdo që një njeri dëshiron që të jetë, që do të thotë që kuptimi i jetës mund të jetë "të përdorim çdo formë që na siguron forcimin tonë (material, fizik, ekonomik, social, politik, fetar, etj) edhe në qoftë se kjo përfshin dhunën, vrasjen, vjedhjen, mashtrimin, e çdo gjë tjetër. Në qoftë se njerëzit evoluan nga kafshët, nuk ka asgjë gabim apo të eksagjiruar në fjalinë e mësipërme, sepse ato janë instinktet e kafshëve. Në qoftë se nuk ka një të vërtetë abosolute (dmth, Fjala e Perëndisë, Bibla), atëherë, kush mund të thotë se të vrasësh është gabim, apo të vjedhësh? Ligji? Me ç'të drejtë thotë ligji (i shtetit) që të vrasësh është gabim, nëse çdo gjë është relative, nëse Bibla, Fjala e Perëndisë nuk është e vërtetë? Bibla përkufizon për njerëzit se çfarë është e drejtë dhe çfarë jo, çfarë është mëkat, dhe fakti është që ligjet që njerëzit në shoqëritë civile vendosin, reflektojnë ndërgjegjen që Perëndia i ka dhënë çdo njeriu, që të dallojë të mirën nga e keqja. Atëherë nëse ju vendosni të besoni se ekzistenca e universit, botës, njerëzimit, vetë ekzistenca juaj është rastësi, atëherë jeta për ju nuk ka një kuptim, ju jeni këtu nga rastësia dhe do të zhdukeni nga rastësia. Por ne besojmë të kundërtën, që çdo njeri ndodhet në këtë botë për një qëllim, që jeta ka një kuptim, dhe përgjigja gjendet në Fjalën e Perëndisë, Biblën.

Sipas Biblës, njeriu më i zgjuar që ka shkelur mbi këtë Tokë, pas Jezus Krishtit, ishte Salomoni. Shikoni se çfarë thotë ai për kuptimin e jetës, pas një debati të gjatë, pikërisht për kuptimin e jetës, tek Predikuesit 12:13 : "Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: "Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut". Ky është konkluzioni i njeriut më të mençur që ka ecur mbi tokë, pasi kishte provuar çdo gjë që bota të ofron. Shikoni gjithashtu se ç'thotë ai në lidhje me përgjegjësinë e mënyrës se si ne jetojmë tek Predikuesi 11:9 : "Gëzohu, pra, o i ri, në rininë tënde, le të gëzohet zemra jote në ditët e rinise sate; ndiq edhe rrugët e zemrës sate dhe pamjen e syve të tu, por dije që për të gjitha këto gjëra Perëndia do të të thërrasë në gjyq". Gëzimi i njeriut nuk qëndron në sasinë e gjërave që ai zotëron (sipas Jezus Krishtit), në kundërshtim me çdo ide humaniste. A keni dëshiruar ndonjëherë një gjë aq shumë saqë thatë që nëse do ta merrnit atë, nuk do të donit gjë tjetër? Çfarë ndodhi pasi e morët? Besoj se të gjithë e dimë përgjigjen e kësaj pyetje, pas disa kohësh u mësuam me atë, nuk na bën më përshtypje, dhe duam diçka tjetër. Nëse ka një varg në Bibël që shpjegon më qartë kuptimin e jetës, arsyen e ekzistencës së universit dhe çdo krijese që ekziston, ky varg gjendet tek Zbulesa 4:11 që thotë: "Ti je i denjë, o Zot, te marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat, dhe për kënaqësinë tënde ekzistojnë dhe u krijuan". Ky varg shpjegon qartë kuptimin e jetës. Ne u krijuam për lavdinë e Perëndisë, dhe e vetmja mënyrë që një njeri gjen përmbushjen e jetës së tij/saj është vetëm kur pranon Jezus Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar DHE jeton një jetë që përputhet me Fjalen e Zotit, dhe për lavdinë e Tij. Në qoftë se ju nuk bini dakort me shprehjen e mësipërme, le t'ju pyes këtë: A e keni provuar ndonjëherë këtë për të cilën unë po flas? Unë e kam provuar anën tjetër, dhe nuk kam gjetur gjë që të përmbushë jetën time. Për të kuptuar këtë merrni në konsideratë shembullin e mëposhtëm: Nësë unë krijoj ose prodhoj diçka, le të themi një gotë, arsyeja që unë e krijoj është që gota të mbajë pije. Në qoftë se gota ka një apo më shumë vrima, ajo nuk po bën atë për të cilën ishte krijuar dhe nuk vlen asgjë. Në qoftë se gota përmbush sadopak ndonjë qëllim, është thjesht të bëjë atë për të cilën ishte krijuar. E njëjta gjë është edhe me Perëndinë dhe krijesat e tij. Ne u krijuam për lavdinë e Perëndisë, dhe nëse Zoti nuk po merr lavdi nga jetët tona, atëherë, ne nuk vlejmë asgjë. E di që kjo mund të mos tingëllojë mirë, por kush mund të ankohet pse Zoti na bëri kështu? A do të ankohej gota nëse ju e bëtë për të mbajtur ujë? Megjithatë, Zoti nuk na ka krijuar si robotë, që të bëjmë çdo gjë që do Ai, por na jep mundesinë për të zgjedhur. Çdo njeri ka një vullnet të lirë, për të zgjedhur ç'do vetë. Nëse ne nuk do të kishim një vullnet të lirë për të zgjedhur, atëherë nuk do të ishim ndryshe nga një kompjuter, do të bënim thjesht atë që ishim programuar, por mundësia që Zoti na jep për të zgjedhur të kundërtën e asaj që Ai dëshiron për ne, tregon që kur ne zgjedhim vullnetin e tij, ne shfaqim dashuri ndaj Tij, sepse Ai na deshi i pari. Ky është kuptimi i jetës, dhe nuk ka përmbushje më të madhe në jetën e një njeriu sesa ecja me Zotin sipas Fjalës së tij. Nëse ju nuk e keni provuar këtë gëzim, ne ju ftojmë që të filloni sot, të provoni vetë në jetën tuaj çdo të thotë kjo. Bibla thotë "Provoni dhe shikoni sa i mirë është Zoti", lutja jonë është që të vendosni sot.

     
   
 
 
 

Artikuj PyetjeKomenteFotografiKontakt

©2003 Albavizion.com. Çdo material i botuar ne kete website eshte shkruar nga Albavizion.com, me perjashtim te artikujve qe thone ndryshe. Ne rezervojme te gjitha te drejtat e autorit. Ne inkurajojme vizitoret qe te perdorin keto materiale per qellimet e tyre, me leje nga Albavizion.com. Asnje referim i ketij materiali nuk mund te perdoret jashte kontekstit te shkrimit dhe per qellim abuzimi , keqperdorimi, ose disktretitimi kundrejt Albavizion.com.