Kontradiktat në Bibël?
 
     

Një nga temat më të rëndësishme në besueshmërinë e Biblës është ajo e kontradiktave në Bibël. Kuptohet që kritikët e Biblës nuk kanë munguar asnjëherë dhe meqënëse shumë njerëz mund të jenë të ngatërruar ose thjesht kuriozë në lidhje me këtë çështje, ne po i kushtojmë një artikull të veçantë kësaj teme. Shumica e të ashtëquajturave kontradikta në Bibël vjen nga komuniteti musliman. Muslimanët e flaktë nuk humbasin asnjë rast për të folur për këtë temë në çdo debat me të krishterët. Atëherë, le ta shohim në hollësi këtë çështje.

Si një shembull, le të shikojmë konkretisht një nga këto kontradikta.

Veprat e Apostujve 13:16-22

Atëherë Pali u ngrit dhe, mbasi bën shenjë me dorë, tha: “Izraelitë dhe ju që druani Perëndinë, dëgjoni! Perëndia i këtij populli të Izraelit i zgjodhi etërit tanë, dhe e bëri të madh popullin gjatë qëndrimit në vendin e Egjiptit; pastaj, me krahë të fuqishëm, e nxori që andej. Dhe për afro dyzet vjet i duroi në shkretëtirë. Pastaj shkatërroi shtatë kombe në vendin e Kananit dhe ua shpërndau atyre në trashëgimi vendin e tyre. Dhe pastaj, për afro katërqind e pesëdhjetë vjet, u dha Gjyqtarë deri te profeti Samuel. Më pas ata kërkuan një mbret; dhe Perëndia u dha atyre Saulin, birin e Kisit, një burrë nga fisi i Beniaminit, për dyzet vjet. Pastaj Perëndia e hoqi dhe u ngjalli atyre si mbret Davidin, për të cilin dha dëshmi duke thënë: “Kam gjetur Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të zbatojë të gjitha vullnetet e mia”.

Atëherë, le të shikojmë kronologjinë e ngjarjeve historike që nga koha kur çifutët lanë Egjiptin deri tek mbreti David.

# i viteve ---- ku/drejtuesit e vendit
---------------------------------------
40 vjet ----- shkretëtirë
450 vjet ---- gjyqtarët
40 vjet ----- mbreti Saul
40 vjet ----- mbreti David
--------------------------
570 vjet

Shënim: Mbreti David mbretëroi për dyzet vjet sipas 2 Samuelit 5:4 ku Bibla thotë:

Davidi ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi dyzet vjet.


Pas Davidit, i biri i tij, Salomoni mbretëroi në Izrael.

1 Mbretërve 6:1

Në vitin katërqind e tetëdhjetë mbas daljes së bijve të Izraelit nga vendi i Egjiptit, në vitin e katërt të mbretërimit të tij mbi Izrael, në muajin e Zivit, që është muaji i dytë, Salomoni filloi të ndërtojë shtëpinë e Zotit.

Pra, në këtë varg thuhet se 480 vjet pas daljes së bijve të Izraelit nga Egjipti, Salomoni ishte në vitin e katërt të mbretërimit të tij. Në qoftë se kjo është e vërtetë, atëherë, mbreti David mbretëroi deri tre vjet para kësaj periudhe, ose 477 vjet pasi bijtë e Izraelit dolën nga Egjipti. Kjo kontradikton qartë vargjet nga Veprat e Apostujve, ku për të njëjtën periudhë kohe jepen 570 vjet. Atëherë, natyrshëm pyesim: Cili pasazh thotë të vërtetën? Kjo është një kontradiktë e qartë!

Tani le të shikojmë përgjigjen:

Gjyqtarët 3:8

Prandaj zemerimi i Zotit u ndez kunder Izraelit, dhe ai i dorëzoi në duart e Kushan-Rishathaimit për tetë vjet me radhë.

Gjyqtarët 3:14

Kështu bijtë e Izraelit u bënë shërbëtorë të Eglonit, mbretit të Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet.

Gjyqtarët 4:3

Dhe bijtë e Izraelit i klithen Zotit, sepse Jabini kishte nëntëqind qerre të hekurta dhe prej njëzet vjetëve shtypte rënde bijtë e Izraelit.

Gjyqtarët 6:1

Bijtë e Izraelit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe Zoti i dha në duart e Madianit shtatë vjet me radhë.

Gjyqtarët 13:1

Bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe për sytë e Zotit, dhe Zoti i dha në duart e Filistejve për dyzet vjet.

Tani të bëjmë pak arithmetikë: 8 + 18 + 20 + 7 + 40 = 93 vjet

Prandaj, 570 – 93 = 477 vjet.

Çfarë do të thotë kjo në fund të fundit? Po bën lojë numrash Zoti?


Aspak! Duket qartë nga vargjet e mësiperme mësimi që Zoti po mundohet të na tregojë. Sipas Dhjatës së vjetër, bekimet apo mallkimet mbi popullin e Izraelit nga Perëndia vareshin direkt nga bindja e tyre ndaj Fjalës së Zotit. Sa herë që Izraeli i bindej Fjalës së Zotit, bekimet vinin dhe Zoti i drejtonte. Kur ata nuk bindeshin, atëherë, Zoti i dorëzonte në duart e kombeve të tjera për t’u tërhequr vëmendjen. Vargjet që kemi përmendur më lart, nuk janë vargje që përmbajnë ato numra që na duhen ne për të zgjidhur enigmën! Kontrolloni vetë dhe shikoni nëse gjeni raste të tjera ku ata i shërbejnë kombeve të tjera! Tani, kjo është përmbledhja e gjithë kësaj teme deri tani. Zoti po mundohet të na mësojë diçka me anë të këtyre vargjeve, dhe mësimi është ky: Kur një njeri nuk i shërben Zotit me jetën e Tij, përsa i përket Zotit, ai njeri po humbet jetën e tij, dhe ato vite, nuk kanë rëndësi për Zotin. Është goxha mësim i mirë për të mësuar nën këndvështrimin e faktit se si duhet ta jetojmë ne jetën tonë. Ky parim shpjegon edhe shumë të ashtëquajtura kontradikta të tjera në Bibël që kanë të bëjnë me numrat, psh me vitet e mbretërimit të një mbreti. Ka vargje që thonë dy numra të ndryshëm për vitet që një mbret mbretëroi, atëherë skeptikët hidhen përpjetë dhe thonë; e shikon Bibla ka kontradikta. Përgjigja është shumë e thjeshtë, në një varg kemi vitet e mbretërimit të tij si politikan, në vargun tjetër vitet që ky mbret eci sipas vullnetit të Zotit. Këtu nuk ka asnjë kontradiktë. Kjo tregon që njerëzit nuk i shohin gjerat si Zoti i sheh, për Zotin koha që kalojmë jashtë vullnetit të Tij është kohë e humbur.
Kontradikta të tjera në Bibël janë të natyrave nga më të ndryshmet, mospërputhje të numrit të ushtarëve në betejë apo ushtri, mospërputhje të numrit të bagëtive, të popullsisë së Izraelit, mospërputhje emrash, etj. Megjithëse ne nuk pretendojmë të dimë çdo të ashtëquajtur kontradiktë dhe përgjigjen për secilën prej tyre, disa gjëra duhen nënvizuar këtu. Së pari, shumë prej këtyre të ashtëquajturave kontradikta tregojnë injorancën e atyre që i quajnë të tilla. Psh, mospërputhjet e numrave të bagëtisë, popullsisë, ushtrisë, janë shumë të lehta për t’u shpjeguar. A njihni ndonjë shtet popullsia e të cilit është e njëjtë në çdo vit? Atëherë pse nuk ndryshoka ajo e Izraelit kur Bibla u shkruajt? Apo bagëtia dhe ushtria? Shpesh herë njerëzit marrin dy vargje të ndryshme nga dy kapituj të ndryshëm dhe thonë; e sheh numri i deleve nuk është njësoj, Bibla ka kontradikta! Po mirë o njeri, a nuk ka mundësi që ata hëngrën disa dele, disa i flijuan, dhe dele të tjera lindën dhe u shtuan kopesë, si mundet numri të jetë njësoj? Bibla nuk u shkrua e tëra brenda një nate apo një jave, padyshim që ato numra do jenë të ndryshëm, sidomos nga kapituj të ndryshëm.

Nga kontradikta që ne dhamë si shembull, ne mësojme këto gjëra. Ka dy arsyje pse Zoti ka lejuar pasazhe të tilla në Bibël.

1. Të lejojë skeptiket të korrin atë që kanë mbjellë.
2. Të shfaqë një sekret apo mësim që të tjerët nuk e mësojnë dot.

Tek Galatasit 6:7 Bibla thotë: Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. Kjo është arsyeja e parë pse Zoti ka vendosur pasazhe të tilla që duket sikur përbëjnë një kontradiktë, sepse të dashur lexues çelësi i kuptimit të Biblës nuk varet nga diploma apo madhësia e truve të një njeriu, por varet nga qëndrimi i zemrës dhe marrëdhënies me Zotin që një njeri ka. Shikoni ç’thuhet tek Psalmi 119:97-100:

“Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime. Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua”.

Zoti e merr shumë seriozisht qëndrimin që një njeri ka ndaj Fjalës së Tij, dhe siç e lexuam më lart, nuk do të lejojë që një njeri ta tallë atë, dhe kur një njeri e bën atë, ateherë ai njeri do të korrë tamam atë që ka mbjellë. Shikoni pak sa serioze është kjo çështje për Zotin:

Ezekieli 14:1-4

Pastaj erdhën tek unë disa pleq të Izraelit dhe u ulën para meje. Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë: “Bir njeriu, këta njerëz kanë ngritur idhujt e tyre në zemrën e tyre dhe kanë vënë para tyre pengesën që i ben të bien në paudhësi. A do ta lë veten të konsultohem prej tyre? Prandaj folu dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Cilido qoftë nga shtëpia e Izraelit që i ngre idhujt e tij në zemrën e tij, dhe vë para vetes pengesën që e bën të bjerë në paudhësi dhe pastaj vjen te profeti, do t’i përgjigjem unë, Zoti, lidhur me këtë, sipas morisë së idhujve të tij.

E kuptoni çfarë thonë këto vargje? Një idhull është dicka që një njeri vë mbi Zotin. Kur një njeri vendos që të vërë një idhull para tij, psh të thotë që Bibla ka kontradikta, dhe shkon edhe konsultohet me kë të dojë për të ditur të vërtetën mbi Zotin, Zoti thotë që ai vetë do t’i përgjigjet sipas idhujve që ka vënë në zemër të tij. Me fjalë të tjera, Zoti do t’i vërë përpara ata njerëz që mësojnë gjëra të gabuara që ata të besojnë një gënjeshtër, sepse kanë refuzuar Fjalën e Zotit. Nuk po e shpik unë këtë, lexoni pasazhin, deri në vargun 11 po pati mundësi. Zoti nuk vihet dot në lojë, është premtim prej tij. Kur një njeri mendon se është më i zgjuar se Zoti, dhe i gjen të tëra gabimet që Zoti paska bërë në Fjalën e Tij, Biblën, atëherë Zoti thotë, OK, s’ka problem fare, unë do të të jap tamam atë që po kërkon, atë që po mbjell, madje do të të duket sikur ti je më i zgjuari, më i dituri, ndërkohë që jeni i verbër dhe në errësirë. Pse ju duket e çuditshme kjo që po lexoni?! Mendoni pak për kë po flasim, Zotin e të tërë universit, krijuesin e gjithë hapësirës! Zoti që krijoi dritën që lëviz me një shpejtësi prej 300,000 km/sek, Zoti që krijoi yjet, më i afërti prej së cilëve është 1.8 vjet jetë drite afër Tokës. 1.8 vjet udhëtim prej 300,000 km/sek! Me shpejtësinë e dritës do të thotë që t’i biesh Tokës rrotull 6 herë në 1 sekond, dhe të udhëtosh 1.8 vjet me këtë shpejtësi arrin në yllin më të afërt. Zoti krijoi miliarda yje të tillë, në një univers që askush s’ja gjen dot fundin. Mendoni pak sa i madh që është! I njëjti Zot na dha Fjalën e Tij, Biblën! Mendoni që ai do të lejojë që një plesht të dalë e ta korrigjojë Zotin në gjërat që Ai ka thënë? Çfarë është Zoti, lodër kalamajsh? Sa fyese është që një njeri të qëndrojë përpara një Zoti të tillë dhe ta korrigjojë atë për “gabimet” që ky gjeni paska gjetur nga gjërat që Zoti tha! Zoti nuk e lejon një gjë të tillë. Shikoni çfarë thotë ai për Fjalën e Tij:

Hebrenjve 4:12

“Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendjet dhe dëshirat e zemrës”.

Dëgjoni mirë i dashur lexues. Një njeri që mendon se mund ta korrigjojë Zotin dhe Fjalën e Tij, dhe të gjejë kontradikta në të, nuk e di me çfarë po luan! Bibla nuk është thjesht një libër! Është një libër i gjallë! Është një shpatë, dhe kush mundohet ta diskretitojë do ta gjejë veten në luftë me një shpatë që depërton atje ku nuk depërton dot njeri, deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe do pritet e do lëndohet përjetësisht, sepse Zoti nuk do lejojë që dikush të tallet me Fjalen e Tij dhe me karakterin e Zotit. Nga ana tjetër, kur dikush e përul vetveten para Zotit, dhe e pranon Biblën si Fjalën e Tij, Zoti do t’i tregojë këtij njeriu ato thesare të fshehur në Fjalën e Tij, që të tjerët nuk i mësojnë dot, sepse zemra e tyre është e ngurtësuar. Nuk ka të bëjë fare me intelektin. E gjitha ka të bëjë me zemren. Ka njerëz shkencëtarë që refuzojnë Biblën, ka njerëz që janë më injorantë se një mur që e refuzojnë Biblën! Intelekti s’hyn fare këtu, çelësi është qëndrimi i zemrës.

Le të shohim një varg tjetër:

2 Korintasve 11:14

“Dhe nuk është për t’u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në ëngjëll drite”. Muhamedi tha që Bibla është e korruptuar dhe plot me gabime. E dini ju si filloi feja muslimane? Me një ëngjëll drite që ju shfaq atij! Ai mendonte që ishte Gabrieli, po ku e dinte ai se cili ëngjëll ishte, ai ishte analfabet, nuk dinte të shkruante e të lexonte, jo më të dallonte dot se cili ëngjëll ju shfaq! Shikoni çfarë thotë Jezusi për të dhe të tjerë si ai:

Mateu 24:24,25:

Sepse do të dalin Krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrekulli të tilla aq sa t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit. Ja, unë ju paralajmërova. Pra, në qoftë se ju thonë: “ja, është në shkretëtirë”, mos shkoni atje: “Ja, është në dhomat e fshehura”, mos u besoni”.

A thuhet dot më qartë se kaq? Shkretëtira nuk tregon thjesht çdo shkretëtirë, po flitet për shkretëtirën e madhe, për Arabinë, nga ku kanë dalë dhe vazhdojnë të dalin profetët e rremë, dhe dhomat e fshehura nuk janë bodrume lokalesh, janë shpellat ku Muhamedi dhe pasardhesit e tij fshihen.

I dashur lexues, e kuptojmë që tani shumë prej jush mund të jeni nxehur aq shumë saqë jeni gati të shpërtheni. Duhet të kuptoni diçka: ne nuk i shpikëm këto vargje, ato janë në Bibël, shkruar kohë më parë sesa Muhamedi të lindte. Në qoftë se ne nuk donim t’ja dinim për ju, nuk do shkruanim gjëra të tilla, më mirë flismin për gjëra të tjera që nuk i vënë njerëzit në pozitë, por e shkruam këtë sepse ju duam me dashurinë e Zotit, dhe nëse ju mendoni që Bibla ka kontradikta, le t’ju inkurajojmë që të pranoni Fjalën e Zotit dhe jo ta refuzoni atë.

Në përfundim, a ka kontradikta Bibla? Ne besojmë që nuk ka. Ato vargje që duken si kontradikta janë thesare që Zoti ka përgatitur t’i shfaqë atyre që janë aq të hapur sa të pranojnë Fjalën e Zotit dhe t’i kërkojnë Atij zgjuarësinë për të kuptuar bekimet e fshehura aty. Lutja jonë është që nëse ju nuk e keni pranuar Biblën si Fjalën e Zotit, ta merrni atë seriozisht sot. Zoti ju bekoftë.

     
   
 
 

Artikuj PyetjeKomenteFotografiKontakt

©2003 Albavizion.com. Çdo material i botuar ne kete website eshte shkruar nga Albavizion.com, me perjashtim te artikujve qe thone ndryshe. Ne rezervojme te gjitha te drejtat e autorit. Ne inkurajojme vizitoret qe te perdorin keto materiale per qellimet e tyre, me leje nga Albavizion.com. Asnje referim i ketij materiali nuk mund te perdoret jashte kontekstit te shkrimit dhe per qellim abuzimi , keqperdorimi, ose disktretitimi kundrejt Albavizion.com.