Të githë ata që njoh unë që kanë pranur Jezusin nuk bëjnë asnjë gallatë, ç'e dua unë një jetë të tillë?
 
     

Ka disa gjëra që duhen sqaruar në lidhje me këtë pyetje. Së pari të kesh pranuar Jezusin nuk do të thotë që nuk mund të bësh gallatë. Në fakt e kundërta është e vërtetë, mund të bësh mjaft gallatë. Në disa konferenca studentësh me temë biblike, dëshmija e studentëve në përfundim të konferencës gjithmonë ka qënë që kaluam mjaft mirë dhe bëmë shumë gallatë. Duhet gjithashtu të dallojmë midis gallatës dhe mëkatit. Në qoftë se mendoni se të krishterët nuk bëjnë gallatë sepse nuk marrin pjesë në mëkate, atëherë kjo varet nga përkufizimi juaj i fjalës gallatë. Eshtë e mundur të bësh gallatë pa mëkatuar! Eshtë e mundur të bësh gallatë duke mëkatuar! Në fakt Bibla thotë se mëkati është gallatë për një farë kohe. Shikoni një herë vargjet më poshtë:

Hebrenjve 11:24,25

Me anë të besimit Moisiu, si u bë i madh, nuk pranoi të quhet i biri i së bijës së Faraonit, duke parapëlqyer të keqtrajtohet bashkë me popullin e Perëndisë se sa të gëzonte për një farë kohe dëfrimet e mëkatit,

E sheh? Bibla thotë që mëkati mund të jetë dëfrim, PËR NJË FARË KOHE, sepse vjen një kohë që nuk është më dëfrim dhe gallatë. Atëherë në qoftë se ju i referoheni mëkatit kur thoni se të krishterët nuk bëjnë gallatë, atëherë kjo është zgjedhja juaj, ju dëshironi më tepër atë sesa Zotin. Nëse kjo është ajo që dëshironi, atëherë s'ka problem, jeta e krishterë vërtetë nuk është për ju, dhe ju keni në dorë se çfarë do të bëni. Por mos mendoni për një sekond se të jesh i krishterë dhe të mos marrësh pjesë në mëkat do të thotë se nuk ke një jetë të përmbushur apo me gëzim. Unë mund të flas me këtë gjuhë sepse i kam provuar të dyja anët dhe i njoh mirë të dyja. Unë nuk kam asnjë keqardhje për ndonjë gjë që kam lënë pas, as mendoj se më mungon diçka për të plotësuar gallatën apo gëzimin në jetën time. Vite më parë takova një të ri që mendonte si titulli i artikullit. Unë e pyeta nëse ishte i lumtur dhe i gëzuar pa Krishtin dhe ai tha po. Atëherë i thashë të këndonte një këngë, aty ku ndodheshim, në bulevardin kryesor të Tiranës dhe të shprehte gëzimin e tij. Ai i shqeu sytë dhe tha :”ÇFARË?”! Unë i thashë të këndojë një këngë, njerëzit kur janë të gëzuar dhe të lumtur atë bëjnë, këndojnë nga zemra! Atëherë i kërkova atij të këndonte një këngë që të shprehte gëzimin e tij! Ai kujtoi se unë kisha rrjedhur dhe më tha, këndo ti një këngë, dhe pa mbaruar akoma unë fillova të këndoj:

O burim gëzimi eja
bëma zemrën të këndoj
e kërkon mëshira jote
unë me këngë të lavdëroj

Kur u enda larg nga Zoti
më kërkoi Jezusi vetë
më shpëtoi Ai nga vdekja
derdhi gjakun, fali jetë.

Ai u largua duke më parë si të çmendur! Edhe ju mund të mendoni kështu! Po pse ju duket e habitshme. Nuk e kishit vënë re më parë këtë gjë? Njerëzit kur janë në qejf, apo të gëzuar, kur diçka e mirë që u ka ndodhur, kur po bëjnë dush, këndojnë! Atëherë nëse ju keni një gëzim të tillë pse të mos këndoni, shpreheni gëzimin tuaj! Si ka mundësi të ketë mijëra e mijëra këngë të shkruar për Jezus Krishtin në qoftë se ai qënka si njerëzit e tjerë, apo një legjendë? Si ka mundësi që ky njeri që jetoi 2000 vjet më parë të vazhdojë të mbushë jetët e njerëzve me gëzim në çdo vend të botës! Si e shpjegoni ju këtë? Hipnotizim? Le t'ju them, Ai paska goxha aftësi si hipnotizues të vazhdojë të hipnotizojë botën 2000 vjet pas vdekjes!

I dashur lexues, nëse ju mendoni se do të humbisni diçka të mirë po të pranoni Jezusin, atëherë ju nuk e njihni atë. Në qoftë se doni të vazhdoni të jetoni si të doni vetë, në mëkat, dhe pa Jezus Krishtin, atëherë, kjo është zgjedhja juaj, por mos mendoni për asnjë çast se të krishterët po humbasin gjë duke mos marrë pjesë në mëkate. Pyet ata që i kanë provuar të dyja anët! Bibla thotë që të provoni të shikoni sa i mirë është Zoti. Në qoftë se nuk e keni provuar këtë, ju nuk e dini ç'po humbisni, jo ne që kemi qënë në atë anë dhe e dimë mirë për çfarë flisni ju. Jezusi ju do dhe ju pret krahëhapur. Kliko këtu nëse do të mësosh më tepër se çdo të thotë të pranosh Jezusin. Zoti ju bekoftë.

 

   

 
 

Artikuj PyetjeKomenteFotografiKontakt

©2003 Albavizion.com. Çdo material i botuar ne kete website eshte shkruar nga Albavizion.com, me perjashtim te artikujve qe thone ndryshe. Ne rezervojme te gjitha te drejtat e autorit. Ne inkurajojme vizitoret qe te perdorin keto materiale per qellimet e tyre, me leje nga Albavizion.com. Asnje referim i ketij materiali nuk mund te perdoret jashte kontekstit te shkrimit dhe per qellim abuzimi , keqperdorimi, ose disktretitimi kundrejt Albavizion.com.