Në
këtë artikull do të bëjmë disa llogari.
Jezusi flet shpesh për rëndësinë e llogaritjeve.
Le të shohim një nga këto pasazhe:
Luka 14:28,29
Kush
nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë,
nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet,
për të parë nëse ka mjaftueshëm për
ta mbaruar? Që atëherë, kur t`i ketë hedhur
themelet e të mos mundë ta përfundojë,
të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë
e të tallen, duke thënë: "Ky njeri filloi
të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë".
Padyshim që ky është një parim i mirë
përsa i përket ndërtimit, por Jezusi nuk po
flet thjesht për ndërtimin këtu. Kulla për
të cilën po flet këtu është jeta
e një njeriu. Në fund të fundit, çfarë
duan njerëzit nga jeta? Merr në pyetje sa njerëz
të mundesh, në përfundim të gjithë
duan të kenë një jetë të mirë,
pa probleme, me pasuri, me paqe, me dashuri. Të gjithë
njerëzit i dëshirojnë këto. Atëherë
Jezusi na nxit që të bëjmë llogaritë
për jetën tonë, që në fund të
jetës të mos ngelemi bosh dhe njerëzit të
tallen me ne, që kaluam një jetë të tërë
duke punuar por në fund nuk arritëm të ndërtojmë
diçka!
Le të shikojmë një pasazh tjetër:
Luka 12:15-21
Pastaj u tha atyre: ``Kini kujdes dhe ruhuni nga kopracia,
sepse jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë
e gjërave që zotëron``.
Dhe ai u tha atyre një shëmbëlltyrë: ``Tokat
e një pasaniku dhanë të korra të bollshme;
dhe ai arsyetonte me vete duke thënë: "Ç`të
bëj, sepse nuk kam vend ku t`i shtie të korrat e
mia?".
18 Dhe tha: "Këtë do të bëj: do të
shemb hambarët e mia dhe do t`i bëj më të
mëdhenj, ku do të shtie të gjitha të korrat
dhe pasuritë e tjera,
19 dhe pastaj do t`i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke pasuri
të shumta të shtëna për shumë vjet;
pusho, ha, pi dhe gëzo".
20 Por Perëndia i tha: "O i pamend, po atë
natë shpirtin tënd do të ta kërkojnë
dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?".
21 Kështu i ndodh atij që grumbullon thesare për
vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë``.
Këtu
jepet historia e një njeriu që ishte i shqetësuar
vetëm për të bërë sa më shumë
para dhe nuk kishte fare interes për shpirtin e tij.
Çdo gjë që ai bëri kishte të bënte
me këtë jetë, dhe ai kishte goxha plane përpara.
E dini si e quan Perëndia atë? I pamend! Po pse
i pamend, sepse kishte shumë para? Padyshim që jo!
Zoti nuk i thotë gjë për pasurinë, në
fund të fundit ai kishte punuar tërë jetën
për ato, por është i pamend sepse kishte llogaritur
çdo gjë në planet e tij, përveç
Zotit! Zoti është shumë i madh për t’u
lënë jashtë planeve të një njeriu!
Ky pasanik, kishte fortifikuar vilën e tij nga çdo
vizitor i padëshiruar, përveç një vizitori,
vdekjes! Ai i kishte marrë masat për çdo
gjë, por ç’të bësh që vdekja nuk
i kërkoi as leje as mendim se kur do të vinte. Ai
njeri kaloi të tërë jetën duke u kujdesur
se si mund të bënte sa më tepër para,
që në fund as nuk i merr dot me vete, dhe kalon
një përjetësi të tërë në
ferr, jo për pasurinë që kishte, por sepse
nuk kishte kohë të mendonte për Zotin.
Atëherë le të marrim lapsin dhe të bëjmë
disa llogari. Dhe do të flasim shkoqur fare në këtë
artikull, me shpresën se Zoti do t’i flasë ndonjë
të pamendi që ka bërë planet për
çdo gjë në jetë, përveç
Perëndisë.
Atëherë, le të llogarisim pak çfarë
do të fitojmë pa Zotin. Në fakt, e vërteta
është që çdo gjë vjen nga Zoti
edhe për ata që nuk besojnë në të.
P.sh. Bibla thotë tek
Mateu 5:45
Sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të
mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën
të bjerë shi mbi të drejtët dhe të
padrejtët.
Pra, është e qartë që Zoti i ka dhënë
njerëzve disa bekime thjesht si një dhuratë
nga Ai, pavarësisht nëse ata besojnë në
të apo jo. P.sh. sa prej jush keni paguar për oksigjenin
që thithni? Padyshim që jeta nuk mund të egzistojë
pa oksigjen, por ne e marrim atë falas apo jo? Sa prej
jush keni paguar për Diellin! Jeta pa diellin nuk mund
të egzistojë, dhe përsëri ai na është
dhënë falas nga krijuesi ynë. Megjithatë,
nëse një njeri nuk i beson këto, le të
shohim se çfarë mund të arrijë pa Zotin.
Maksimumi mund të arrijë të njëjtën
gjë ashtu si pasaniku i historisë që pamë.
Një jetë me çdo gjë që mund të
dëshirojë, dhe ta rrethojë veten me çdo
lloj lodre me çfarëdo lloj çmimi. Nuk është
keq apo jo? Zoti i quan njerëz të tillë të
pamend.
Çfarë të kushton po të pranosh Zotin?
Nëse jeton në Shqipëri mund të të
kushtojë shumë! Të gjithë ata që
kanë jetuar në perëndim sado pak, apo thjesht
krahasojnë korrupsionin në Shqipëri me atë
të vendeve të tjera, e kuptojnë sa shumë
të kushton në Shqipëri të pranosh Zotin
dhe të jetosh një jetë të drejtë.
Korrupsioni shtrihet që nga maja më e lartë
e deri tek punëtori më i thjeshtë. Atëherë
si mundet të jetosh në një shoqëri të
tillë pa patur pasoja negative. Nuk merr dot një
çertifikatë lindje nëse nuk i jep dikujt
rrushfet, lëre pastaj për të tjerat! Të
gjithë duan të të zhvasin sa më tepër.
Nëse do të jetosh drejt, kjo do të kushtojë
shumë, sepse shumica do jenë kundër teje dhe
do të quajnë të çmendur nëse nuk
vendos të bashkëpunosh me ata, ose të bëhesh
tamam si ata. S’ka problem, edhe një herë, merre
lapsin dhe bëni llogaritë sa do të humbisni
po të pranoni Jezusin. Tani, le të marrin në
konsideratë fundin e jetës. “Miku” i paftuar, vdekja,
hyn në portat e blinduara të pasanikut dhe askush
s’e pengon dot. Në mes të natës, në mes
të planeve të mëdha 5-vjeçare, vdekja
vjen dhe e përpin. Shpirti i tij shkon në ferr ku
kalon përjetësinë. E morët shënim,
vërini vetë çmimin! Sa të doni ju! Nga
ana tjetër, ai njeri që pranoi Jezusin, për
të vdekja është vetëm fillimi. Fillimi
i përjetësisë me Perëndinë në
parajsë, pa vuajtje, pa dhimbje, pa korrupsion, përjetësisht.
Mbajeni shënim edhe këtë! Tani vërini
çmimin edhe kësaj! Tani krahasoni njërin
me tjetrin, dhe më thoni nëse nuk e kuptoni dot
pse Perëndia e quajti atë njeri të pamend!
Ju mund të debatoni se nuk besoni në Perëndi,
dhe kjo histori është thjesht një përrallë.
S’ka problem fare, por mbajeni shënim edhe këtë,
sa për të thënë, se në fund të
jetës, kur çdo gjë të marre fund, do
të shohim se çdo të merrni me vete, dhe kush
ka të drejtë!
Mendoni pak, shumica e shqiptarëve, nuk kanë kohë
ose vend për Zotin në jetët e tyre! Atëherë
bëjeni llogarinë, mbani shënime, dhe vendosni
vetë si t’ju duket më mirë! Por dini këtë,
sipas Biblës dhe Zotit të Biblës, ju jeni i
pamend nëse nuk mendoni për shpirtin tuaj dhe për
përjetësinë. Ju duket përralle? A i keni
studiuar faktet që të keni arritur në këtë
konkluzion? Apo thjesht s’keni kohë për ato? Ne
kemi përkushtuar kohën tonë për të
paralajmëruar ata njerëz që duan të dëgjojnë
për seriozitetin e kësaj çështje! Mbi
të gjitha, Zoti është i shqetësuar për
përjetësinë tuaj, pse nuk shqetësoheni
ju? Në qoftë se nuk keni menduar më parë
për këtë, dhe tani vendoset që të
dini më shumë për këtë, kliko
këtu për të mësuar se si mund të
pranosh Jezusin në jetën tënde dhe ta zgjidhësh
një herë e përgjithmonë çështjen
e përjetësisë së shpirtit tuaj.
Tani, le të flas pak për ata që e kanë
pranuar Jezusin. A i keni bërë llogaritë për
të ardhmen tuaj këtu? A është Zoti në
planet e jetës suaj? Zotit i vjen për të vjellë
nga gjithë besimtarët që ecin në mëkat
më keq sesa paganët. Tek
Zbulesa 3:15-20 Bibla thotë:
Unë
njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i
ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose
i ngrohtë!
16 Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë
e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga
goja ime.
17 Sepse ti thua: "Unë jam i pasur, u pasurova dhe
s`kam nevojë për asgjë"; edhe nuk e di
se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe
i zhveshur.
18 Të këshilloj të blesh nga unë ar të
kulluar në zjarr që të bëhesh i pasur;
edhe petka të bardhë që të vishesh dhe
të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe
vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh.
19 Unë të gjithë ata që i dua i qortoj
dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu.
20 Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse
dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën,
unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë
me të dhe ai me mua.
A
kini bërë llogaritë së çfarë
do t’ju kushtojë po të vazhdoni të ecni drejt
me Zotin, pa mëkat, pa kompromentuar? Eshtë çmim
i lart apo jo? Cili është vendimi juaj? Juda e shiti
Zotin për 30 monedha argjendi! Sa është çmimi
ynë? Për sa e shesim ne Zotin? Unë nuk numëroj
dot ata besimtarë që tani jetojnë komplet në
botë dhe në mëkat. Ata i bënë llogaritë,
dhe e panë që të ecje me Jezusin do t’i kushtontë
shumë, do t’i kushtonte famën, krenarinë, mëkatet
e fshehta, ndoshta karrierën, dhe vendosën që
ky çmim ishte shumë më i lartë sesa
ata donin të paguanin, dhe e shiten Zotin për më
pak se 30 monedha argjendi! Çfarë vendi ka Zoti
në planet e jetës suaj?
Ky artikull nuk ka aspak si qëllim që të drejtojë
gishtin ndaj ndonjë individi, por tema që po trajtojmë
është e tillë. Shqipëria ka nevojë
për besimtarë që të bëhen shembull
për të tjerët për të fituar shqiptarët
për Krishtin, atëherë thirrja jonë është
që nëse ju si besimtarë keni rënë
dakort me këtë vizion që ne kemi paraqitur
në këtë website, atëherë na ndihmoni
që të arrijmë këtë vizion. Zoti ju
bekoftë.