Legalizmi
është një term që i referohet urdhërimeve
ose ligjeve që kisha vë mbi besimtarët në
lidhje me çështje ose fusha të cilat Bibla
nuk i thotë konkretisht. Këto ligje kanë zakonisht
të bëjnë me të ashtëquajturat “fusha
gri”, që domethënë, nuk janë as mëkat,
por as nuk thuhet qartë në Bibël që mund
ta bësh një gjë të tillë, pra janë
fusha që çdo individ duhet të vendosë
vetë përpara Zotit se çfarë do të
bëjë.
Le
ta ilustrojmë këtë me një shembull meqënëse
mund t'ju duket shumë abstrakte deri tani. Le të
marrim si shembull fushën e veshjes. Bibla thjesht na
thotë që veshja jonë të jetë modeste,
por nuk përcakton se çfarë mund apo nuk mund
të veshim. Problemi qëndron në faktin se fjala
modeste mund të interpretohet në shumë mënyra,
dhe ajo që mund të më duket mua modeste, mund
të mos i duket dikujt tjetër si e tillë. Atëherë,
nga dëshira për të njehsuar modestinë,
mjaft kisha, vendosin si ligj për anëtarët
se çfarë mundet të veshin dhe çfarë
quhet “mëkat” që të veshësh. Megjithëse
dëshira e tyre mund të jetë e mirë pse
e nxjerrin një ligj të tillë, ky është
një gabim i rëndë, dhe pasojat janë jo
të vogla. Kisha të tilla, vazhdojnë të
nxjerrin ligje të këtij karakteri, duke vënë
barra mbi besimtarët në fusha të tjera të
ngjashme.
Tani
le të shpjegojmë si duhet të funksionojë
ky parim sipas Biblës.
Romakët
14 është ndoshta kapitulli më i rëndësishëm
në Bibël në lidhje me këtë çështje.
Në këtë kapitull Perëndia shpjegon ekuilibrin
që ne duhet të kemi për “fushat gri”. Le ta
sqarojmë këtë në hollësi. Kapitulli
14 sjell disa shembuj konkretë me të cilët
besimtarët e asaj kohe kishin probleme. Disa nga këto
shembuj përfshijnë çështjen e ushqimit,
ditëve të caktuar të javës për adhurim.
Nëse nuk e keni lexuar Dhjatën e Vjetër në
Bibël, këto shembuj mund të mos kenë kuptim
për ju, prandaj po e shpjegojmë shkurtimisht. Në
Dhjatën e vjetër, Zoti i dha kombit të Izraelit
një grup urdhërimesh të quajtura ndryshe “Ligji”.
Qëndra e këtyre urdhërimeve janë padyshim
dhjetë urdhërimet e gjetura tek Eksodi 20, por padyshim
që kishte plot ligje të tjera për përcaktonin
mjaft hollësi të jetës. Një nga këto
ligje kishte të bënte me ushqimin. Sipas ligjit
Zoti i ndaloi çifutët të hanin disa lloje
kafshësh të papastra.
Kur Jezusi erdhi, ai e përmbushi ligjin, dhe pas vdekjes
së Tij në kryq njerëzit nuk kanë më
nevojë të mbajnë ligjin e Dhjatës së
Vjetër. Në fund të fundit edhe vetë emri
të tregon një gjë të tillë. Dhjata
e vjetër do të thotë “Beselidhja e vjetër”,
dhe Dhjata e re do të thotë Beslidhja e re, të
cilën Perëndia e lidhi me njerëzit me anë
të gjakut të Birit të Tij, Jezus Krishtit.
Por,
në kishën e hershme, shumë besimtarë ishin
shumë të ngatërruar në lidhje me çështjen
e ligjit, dhe shumë prej tyre mendonin se akoma nuk mund
të hanin disa lloje ushqimesh. Atëherë, apostulli
Pal, adreson këtë problem në kapitullin 14
të librit të Romakëve. Parimi në këtë
kapitull ka të bëjë me lirinë e ndërgjegjes
dhe besimit në lidhje me vendimin e çdo individi
nëse duhet të hamë çdo lloj mishi apo
jo. Tani se të shikojmë se çfarë thuhet
aty:
Romaket 1:1,2
Pranojeni atë që është i dobët në
besim, pa e qortuar për mendimet. Dikush mendon se mund
të hajë nga çdo gjë, ndërsa ai
që është i dobët ha vetëm barishte.
Pra, ai njeri që ka problem të hajë një
lloj mishi të caktuar është ai që është
i dobët në besim, por Zoti thotë, pranojeni
një njeri të tillë.
Romaket 1:3
Ai që ha të mos e përbuzë atë që
nuk ha, dhe ai që nuk ha të mos gjykojë atë
që ha, sepse Perëndia e ka pranuar.
Ky varg është mjaft i rëndësishëm
dhe shpjegon mjaft gjëra. Qëndrimi i drejtë
duhet të jetë ashtu si vargu shpjegon, pra ai që
ha mish të mos përbuzë atë që nuk
ha mish, por ai që nuk ha nuk duhet të gjykojë
atë që ha. Do të kthehemi përsëri
tek ky varg pak më vonë, tani le të vazhdojmë
të shikojmë se çfarë thuhet tjetër.
Romakët
14:5,6
Sepse
dikush e çmon një ditë më shumë
se një tjetër, dhe tjetri i çmon të
gjitha ditët njëlloj; gjithsecili të jetë
plotësisht i bindur në mendjen e tij. Ai që
e çmon ditën, për Zotin e çmon; ai
që nuk e çmon ditën, për Zotin nuk e
ruan; kush ha, për Zotin ha dhe i falet nderit Perëndisë;
dhe kush nuk ha, për Zotin nuk ha dhe i falet nderit
Perëndisë.
Në të njëjtin kontekst flitet për çështjen
e ditëve. Mund të keni dëgjuar psh për
Kishën Adventiste të Ditës së Shtatë.
Ata adhurojnë çdo të shtunë, dhe thonë
që të gjithë ne sot duhet të mbajmë
ditën e Shtunë, sipas ligjit që jepet tek Eksodi
20. Këtu thuhet qartë që ditët janë
njëlloj, në fund të fundit Zoti i krijoi të
gjitha, prandaj adhuroni kur të doni, qoftë të
Shtunën apo të Dielën, apo ndonjë ditë
tjetër.
Romaket
14:14,22,23
Unë
e di dhe jam plotësisht i bindur në Zotin Jezus,
se asnjë gjë nuk është e ndyrë në
vetvete, por për atë që çmon se diçka
është e ndyrë, për atë është
e ndyrë. A ke besim ti? Mbaje besimin për veten
tënde përpara Perëndisë; lum ai që
nuk dënon veten e tij në atë që miraton.
Por ai që është me dy mendje, edhe sikur të
hajë, është dënuar, sepse nuk ha me besim;
dhe çdo gjë që nuk bëhet me besim, është
mëkat.
A
nuk është e qartë kjo? Pra, Zoti do që
ne të jemi të bindur për vendimin që marrim.
Në këto vargje duhet qartë se asnjë ushqim
nuk është i ndryrë, nëse do ta hash, mund
ta hash atë, dhe nuk bën mëkat. Por, nëse
ti vendos që kjo gjë është mëkat
për ty, dhe pastaj e bën këtë gjë,
atëherë ke mëkatuar, prandaj thuhet se çdo
gjë që nuk bëhet me besim është mëkat.
Tani
që kemi parë vargjet le ta zgjerojmë pak temën
për të shpjeguar më tepër çfarë
është legalizmi në kishë. Kisha të
ndryshme nxjerrin ligje të ndryshme që nuk janë
në Bibël dhe nuk rrespektojnë këtë
kapitull. Një shembull i përmendur më parë
ishte fusha e veshjes. Mjaft kisha abuzojnë anëtarët
e tyre në këtë pikë, duke u thënë
se çfarë mund të veshin. P.sh, ka disa kisha
ku quhet mëkat për femrat të veshin pantallona!
Kjo është çmenduri dhe prish veprën
e Perëndisë në kishë. Unë nuk kam
parë asnjë varg ku Apostulli Pal t'i shkruajë
kishave që gratë të mos veshin pantallona.
Shikoni si qëndron çështja: nëse një
grua vendos që është mëkat për atë
të veshi pantallona, unë s’kam problem me këtë,
ky është vendimi i saj. Por nëse ajo i thotë
grave të tjera në kishë që është
mëkat për të gjitha gratë të veshin
pantallona, atëherë ky është gabim. Kohë
më parë njihja një besimtar që më
tha se është mëkat të shikosh televizor!
Unë i thashë atij se njoh një njeri i cili
pa filmin e Jezusit në televizor dhe pranoi Jezusin si
Zotin dhe Shpëtimtarin e tij. Unë e pyeta atë
nëse ai kishte mëkatuar duke bërë një
gjë të tillë! Ai nuk dinte ç’të
thoshte dhe vazhdoi të mbante po të njëjtën
pozitë. Të vjen keq vërtet që ka kisha
që predikojnë gjëra të tilla! Televizori
është një vegël, mund të përdoret
për mirë dhe mund të përdoret për
keq. Nëse një besimtar shikon pornografi ose gjëra
të ngjashme atje, atëherë ai po mëkaton,
por të vendosësh një ligj duke thënë
prerazi se të shikosh televizor është mëkat,
kjo përbën një mëkat.
Le ta shpjegojmë këtë në kontekstin e
Romakëve 14. Nëse dikush ka një dobësi,
atëherë ai mund të vendosë një ligj
për jetën e tij, për ta mbrojtur atë nga
mëkati. Nuk ka asnjë problem me këtë gjë.
Ky njeri sipas vargut 1, është i dobët në
besim dhe vendos një ligj të tillë që
ta mbrojë vetveten, por ky njeri nuk duhet të predikojë
këtë si një ligj edhe për të tjerët
që mund të mos kenë të njëjtën
dobësi. Ata duhet të vendosin vetë për
këtë. Psh. Një besimtar tjetër që
unë njoh, vendosi për disa vite që të
mos shkonte në plazh, sepse kjo gjë e tundonte atë,
me mendime mëkatare, kur shikonte vajzat në rroba
banje. Prandaj, ai vendosi për të mbrojtur veten
e tij, që të mos shkonte në plazh, për
të shmangur tundimet, sepse njihte dobësinë
e tij. Pra sipas Romakëve 14, ky njeri ishte i dobët
në atë fushë dhe vendosi një ligj për
veten e tij, për ta mbrojtur atë. Urdhëri që
i jepet besimtarëve në këtë fushë,
sipas vargut 3 është që ai që s’ka një
problem të tillë të mos e përbuzë
atë besimtar që ka marrë një vendim të
tillë dhe ai që nuk shkon në plazh të
mos gjykojë ata që shkojnë. Lexoni vargun 3,
a nuk është kjo e qartë?
Pse e thotë Zoti këtë gjë? Sepse kjo është
tendenca që njerëzit kanë. Deri këtu jemi
sipas parimeve të thënë në Bibël.
Tani, nëse ai që nuk shkon në plazh del para
kishës dhe thotë se është mëkat të
shkosh në plazh, ai mëkaton në një gjë
të tillë. Lexoni vargun 14. Zoti thotë që
për atë që e çmon një gjë
të tillë të ndryrë, për ATË
NJERI është e ndryrë, jo për të tjerët.
Pra nëse ai vendosi që është mëkat
për atë të shkojë në plazh sepse
përbën tundim për atë, atëherë
ky ligj që ai vendosi është mëkat për
këtë njeri nëse e shkel, jo për të
tjerët. Ne mund të vendosim mjaft ligje të
tilla në jetën tonë, që na mbrojnë
ne nga mëkati, dhe kjo nuk është një gjë
e keqe, por duhet të kemi kujdes të mos gjykojmë
të tjerët që nuk kanë vendosur një
ligj të tillë në jetën e tyre. P.sh. një
njeri mund të mos ketë problem fare me tundimin
thjesht sepse shkoi në plazh, prandaj ai njeri që
ka vendosur të mos e bëjë një gjë
të tillë, nuk duhet t’i thotë të tjerëve
që është mëkat për ata të bëjnë
një gjë të tillë.
Ky është legalizmi në kishë. Është
gjëja më e lehtë që legalizmi të
egzistojë në çdo kishë. Kjo ndodh sepse
nga dëshira për të ruajtur veten dhe të
tjerët nga mëkati, besimtarët nxjerrin rregulla
dhe ligje që nuk janë në Bibël. Ne duhet
të kemi shumë kujdes për gjëra të
tilla, sepse këto gjëra shkatërrojnë punën
e Perëndisë. Në fund të fundit është
Fryma e Shenjtë e Perëndisë që bind botën
për mëkat, nuk jemi ne, prandaj le ta lëmë
Zotin të bëjë punën e vet, dhe ne të
bëjmë punën tonë. Prandaj, nëse Bibla
nuk thotë konkretisht që një gjë është
mëkat, dhe kjo gjë nuk shkel asnjë parim biblik,
atëherë duhet të kemi kujdes përpara se
ta bëjmë një gjë të tillë ligj
për të gjithë sikur është mëkat.
Shikoni çfarë thotë 2Korintasve 3:17
Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është
Fryma e Zotit, atje është liria.
Pra, kur gjen kisha të tilla legaliste që vendosin
ligje për besimtarët që nuk janë në
Bibël, kjo tregon se ata nuk po drejtohen nga Fryma e
Zotit në ato fusha.
Në të njëjtin kontekst tek Romakët 14,
shikoni se ç’thuhet në vargun 18:
Romaket 14:18
Sepse ai që i shërben Krishtit në këto
gjëra, është i pëlqyer nga Perëndia
dhe i miratuar nga njerëzit.
Ai që i shërben Krishtit në këto gjëra...
në çfarë gjërash? Në ekuilibrin
e duhur në lidhje me fusha që Bibla nuk i quan mëkat,
por njerëzit mund t’i quajnë të tilla. Bibla
thotë që ky njeri është i pëlqyer
nga Perëndia dhe i miratuar nga njerëzit. Edhe jobesimtarët
e quajnë të çmendur një njeri që
thotë se është mëkat të shikosh televizor.
P.sh. në qoftë se keni dëgjuar për “Dëshmitarët
e Jehovait”, ky grup, jo vetëm që është
një kult dhe fe e rreme, por ata kanë disa urdhërime
që futen në këtë kategori që kemi
përshkruar. P.sh. ata nuk festojne ditëlindjet,
apo Krishtlindjen, apo Pashkët, nuk shërbejnë
në ushtri, nuk pranojnë transfuzion gjaku edhe sikur
jeta e tyre të varej nga kjo gjë. Unë s’kam
asnjë problem nëse ata vendosin që të
mos i bejnë këto gjëra për veten e tyre,
por që të thonë se këto gjëra janë
mëkat është një gjë tjetër.
Është e vërtetë që Bibla nuk thotë
festoni Krishtlindjen apo Pashkën, por as nuk thotë
mos e festoni, pra nëse unë dua ta festoj është
puna ime përpara Zotit. Unë po desha e festoj Pashkën
çdo ditë, në fakt çdo ditë falenderoj
Zotin që Krishti nuk mbeti në varr por u ringjall.
Kjo është puna ime përpara Zotit, prandaj Bibla
thotë që njerëz të tillë që
nxjerrin ligje të tilla, as nuk miratohen nga njerëzit,
domethënë edhe bota jobesimtare e kupton se ata
janë të çmendur.
Si përfundim, shpresojmë që ky artikull të
ketë sqaruar sadopak këtë problem që gjendet
në shumë kisha dhe lë pasoja jo të vogla.
Lutja jonë është që ju të gjeni këtë
ekuilibër në jetën tuaj. E vërteta është
që Zoti do të punojë në ne më shumë
se ne duam, prandaj le të mos bëhemi pengesë
për atë që Zoti do të bëjë,
dhe le të themi se Zoti është mjaft në
gjendje të bëjë punën e vet, atëherë
le ta lëmë atë të bëjë punën
e tij, dhe le të përqëndrohemi në gjërat
që Ai na ka thënë ne të bëjmë.
Zoti ju bekoftë.