A i fal Zoti të gjitha mëkatet, apo ka ndonjë mëkat të madh që Zoti nuk e fal?
 
     

Ndonjë herë ndodh që takon një njeri që ndihet aq fajtor për diçka që ka bërë saqë mendon që Zoti nuk ja fal atë mëkat. Nga ana tjetër takon njerëz që mendojnë ngaqë janë njerëz të mirë dhe mëkatet e tyre nuk janë aq të mëdha sa të tjerëve, nëse ka një Zot, atëherë Ai patjetër do t'i falë ata për disa mëkate të vogla.

Sipas Biblës, mëkati përkufizohet në tre mënyra:

1. Çdo padrejtësi ( 1Gjonit 5:17).
2. Çdo gjë që e dimë që është e mirë dhe nuk e bëjmë (Jakobi 4:17).
3. Çdo gjë që bëjmë pa besim. (Romakët 14:23).

Këto janë ato gjëra që Zoti i konsideron mëkat. Së pari, çdo gjë që Ai e quan padrejtësi në Bibël, fjalën e Tij, kur ne shkelim ato që ai i quan mëkat. Së dyti, nëse ka diçka që nuk thuhet konkretisht në Bibël që është mëkat, atëherë, nëse ne dimë të bëjmë një gjë të mirë dhe nuk e bëjmë, ky është mëkat. Dhe së fundi, nëse ka diçka që përseri nuk thuhet direkt në Bibël që është mëkat, dhe ne e kemi me dyshim nëse është apo jo mëkat, nëse kemi ndonjë rezervim për këtë gjë sepse ndërgjegja dëshmon që mund të jetë mëkat, nëse e bëjmë atë gjë, atëherë edhe kjo konsiderohet mëkat.

Tani, nuk ka asnjë varg në të gjithë Biblën ku të thuhet se mëkati kategorizohet si i vogël, mesatar apo i madh. Siç e pamë më lart, për Perëndinë, çdo njëra nga tre pikat e mësipërme konsiderohet mëkat dhe nuk jepet ndonjë shkallëzim i mëkateve. Nga ana tjetër është e vërtetë që për disa mëkate të caktuara pasojat që ne heqim janë më të mëdha, apo pasojat që ato lënë tek njerëzit e tjerë janë të ndryshme, por kjo nuk do të thotë që Zoti i kategorizon mëkatet si të mëdha apo të vogla. Për Perëndinë mëkati është mëkat, dhe është i shëmtuar përpara tij.

Arsyeja pse njerëzit i kategorizojnë mëkatet, është për shkak të pasojave që ato mund të sjellin. Le ta shpjegojmë këtë. Nëse një njeri gënjen dikë tjetër le te themi për moshën e tij, atëherë kjo mund të mos ketë ndonjë pasojë të madhe për personin i cili u gënjye. Por nëse një njeri vret dikë, atëherë pasoja e viktimës së mëkatit është e madhe. Megjithëse pasojat që mëkati sjell në këtë jetë janë të ndryshme, ne duhet të kuptojmë disa gjëra. Kur ne mëkatojmë, mëkatojmë dyfish. Pra nëse gënjyem dikë, atëherë mëkatuam ndaj atij personi, por në të njëjtën kohë mëkatuam edhe kundër Zotit që thotë qartë që të mos gënjejmë. Mëkatet kundër të tjerëve mund të kenë pasoja të ndryshme, kjo është e vërtetë, por mëkatet ndaj Zotit, kanë të gjitha një ndëshkim, përjetësinë në ferr. Duke qënë e tillë, Zoti siguroi një rrugë që në të na falet çdo mëkat që kemi bërë kundër Tij dhe të mos marrim dënimin që meritojmë.

Shikoni një herë vargun më poshtë:

1Gjonit 1:8-10

Po të themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. Po t`i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi. Po të themi se s`kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.

Pra, për Perëndinë ka më tepër rëndësi pendimi sesa mohimi i gjendjes sonë. Ka njerëz që janë aq krenarë saqë nuk e pranojnë që janë mëkatarë. Kjo ndodh sepse ata e krahasojnë veten e tyre me njerëz të tjerë dhe thonë, unë nuk kam vrarë njeri, prandaj nuk jam mëkatar. Më vjen mirë që s'keni vrarë njeri por mëkati nuk është vetëm vrasja, ka plot gjëra të tjera që janë mëkat. Prandaj më sipër thuhet se po të themi se s'kemi mëkatuar, atëherë po e quajmë Zotin gënjeshtar, sepse ai ka thënë që të gjithë, pa asnjë përjashtim, kanë mëkatuar. Po ashtu, në vargun 9, thuhet se po të pendohemi dhe ti rrefejmë mëkatet tona ndaj Zotit dhe t'i kërkojmë falje Atij, Zoti na fal 90% të mëkateve! Jo nuk thotë ashtu, vargu thotë që Zoti na fal ÇDO mëkat, të gjitha pa asnjë përjashtim. A shihni ju ne atë varg që Zoti të thotë ndonjë mëkat të caktuar që nuk e fal? Atëherë nëse Zoti ju fal, pse nuk e falni ju vetveten? Nuk ka asnjë mëkat shumë më të madh sesa gjaku i Krishtit mund të mbulojë! Nga ana tjetër nuk ka asnjë mëkat aq të vogël, saqë ne të mos kemi nevojë për falje nga Perëndia. Mekati është mëkat, dhe ne duhet të pendohemi dhe të pranojmë faljen që Perëndia na jep nëpërmjet birit të Tij, Jezus Krishtit.

Nëse ju, i dashur lexues, akoma nuk keni pranuar Jezusin në jetën tuaj, dhe nuk keni përjetuar këtë falje, ne ju ftojmë që ta konsideroni këtë vendim sot. Kliko këtu nëse dëshiron të mësosh më tepër se çdo të thotë të pranosh Jezusin. Zoti ju bekoftë.

   

 
 

Artikuj PyetjeKomenteFotografiKontakt

©2003 Albavizion.com. Çdo material i botuar ne kete website eshte shkruar nga Albavizion.com, me perjashtim te artikujve qe thone ndryshe. Ne rezervojme te gjitha te drejtat e autorit. Ne inkurajojme vizitoret qe te perdorin keto materiale per qellimet e tyre, me leje nga Albavizion.com. Asnje referim i ketij materiali nuk mund te perdoret jashte kontekstit te shkrimit dhe per qellim abuzimi , keqperdorimi, ose disktretitimi kundrejt Albavizion.com.